Marrëveshje ndërmjet KM dhe Suedisë për Programin “Forcimi i Policimit në Komunitet” (2017-2020)

P R O J E K T L I GJ

PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, PËR PROGRAMIN “FORCIMI I POLICIMIT NË KOMUNITET NË SHQIPËRI” (2017-2020)

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1 Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i policimit në komunitet në Shqipëri” (2017-2020).

Neni 2 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ILIR META

QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN

Palët, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), nëpërmjet kësaj marrëveshjeje angazhohen për mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, nëpërmjet një programi të quajtur “Forcimi i policimit në komunitet në Shqipëri”. Programi për forcimin e policimit në komunitet në Shqipëri bazohet në tri shtylla, të lidhura ndërmjet tyre: Mbështetje për policimin në komunitet në Drejtorinë Rajonale të Policisë, mbështetje për menaxhimin strategjik dhe Mbështetje për dhunën në familje.

Objektivi kryesor i marrëveshjes është rritja e besimit të ndërsjellë dhe partneritetit ndërmjet policisë dhe komunitetit, për të krijuar fqinjësi të sigurt. Marrëveshja u miratua në parim me vendimin nr.805, datë 16.11.2016, të Këshilit të Ministrave dhe është nënshkruar për palën suedeze në datën 10.1.2017 dhe për palën shqiptare më 16.2.2017.

 

MARRËVESHJE NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË PËR PROGRAMIN “FORCIMI I POLICIMIT NË KOMUNITET NË SHQIPËRI” (2017-2020)

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë  dhe Suedia, përfaqësuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), më poshtë të referuara si palët, duke marrë parasysh se:

  • Pala shqiptare  ka kërkuar që pala Suedeze të kontribuojë në zbatimin e strategjisë së Policisë së shtetit shqiptar nëpërmjet financimit të projektit: Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, (Kontributi  ID55020254) gjatë periudhës/vitit fiskal 2017-2020.
  • Niveli i financimit i palës shqiptare për Projektin/Programin është reflektuar në buxhetin e shtetit të Këshillit të Ministrave dhe Suedia do të vendosë në dispozicion mbështetje për Projektin/Programin duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike deri në një shumë maksimumi prej 30 000 000 SEK në bazë të ndarjeve parlamentare të fondeve nga Suedia, kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1 – Objektivat e programit dhe objekti i Marrëveshjes së Posaçme

Objektivi i përgjithshëm i Projektit/Programit është krijimi i besimit të ndërsjellët dhe partneritetit ndërmjet policisë dhe komuniteteve për të krijuar fqinjësi të sigurt, siç përshkruhet në shtojcën 1 Propozimi i Programit: Fuqizimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri, i datës 31 mars 2015, duke mbuluar një periudhë 4 vjeçare ekzekutimi. Dokumenti i  programit, duke përfshirë Kuadrin e Rezultateve, si dhe buxhetin në monedhën Euro, do të përditësohet nëpërmjet amendimeve me shkrim, sa herë që kërkohen  ndryshime të mëdha në kuadër të Rezultateve të Programit që janë të nevojshme për zbatimin efektiv, duke marrë në konsideratë rezultatet e çdo vlerësimi dhe rishikimeve të ardhshme, vendimet e marra nga pala shqiptare  në bazë të konsultimeve me Suedinë, etj. apo planet vjetore të punës për përkrahjen e projekteve, si dhe takimet e Komitetit Drejtues të Programit.

Neni  2 – Referenca ndaj marrëveshjeve të tjera

Bashkëpunimi ndërmjet Palëve sipas kësaj Marrëveshjeje rregullohet edhe nga:

  • Marrëveshja  mbi Kushtet dhe Termat e përgjithshme për Bashkëpunimin për Zhvillim ndërmjet Palëve për periudhën 30 qershor 2006 deri në njoftimin për përfundim nga njëra prej palëve;
  • Marrëveshja mbi Bashkëpunimin për Zhvillim ndërmjet Palëve për periudhën 09 shkurt 2017 – 31 dhjetor 2020 dhe;
  • Çdo marrëveshje tjetër që mund të zëvendësojë ose ndryshojë marrëveshjet në fjalë.

Neni 3 – Përgjegjësitë e zbatimit dhe përfaqësimi

3.1  Projekti do të realizohet nëpërmjet  një konsulenti zbatues / Ekipi për Menaxhimin e Programit (PMT) / që do të tenderohet nëpërmjet një procesi të hapur tenderi të kryer nga Ambasada Suedeze. Komiteti  i Përzgjedhjes së Prokurimit do të përbëhet nga një ekip i përbashkët me përfaqësues të Ambasadës Suedeze, një përfaqësues nga Policia e Shtetit Shqiptar dhe një nga Ministria e Punëve të Brendshme. Zbatimi i programit do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet konsulentit dhe Policisë së Shtetit Shqiptar dhe kur është e nevojshme  me Ministrinë e Punëve të Brendshme.  Ambasada, Policia e Shtetit Shqiptar dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të  marrin raportet e projektit dhe përditësimet financiare nëpërmjet takimeve të Komitetit Drejtues të Projektit dhe mjeteve të tjera.

Si një financues, Suedia nuk do të marrë asnjë përgjegjësi dhe/ose detyrim për ndonjë palë të tretë në lidhje me zbatimin e Programit. Suedia do të nënshkruajë një kontratë me fituesit e tenderit, e cila do t’i vihet në dispozicion palës shqiptare, duke përfshirë anekset.

3.2 Këshilli i Ministrave  ka  autorizuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit Shqiptar të jenë përgjegjës përpara Këshillit të Ministrave në lidhje me zbatimin e Programit.

3.3  Çdo komunikim në lidhje me këtë Marrëveshje duhet të bëhet me shkrim, ku të jetë vendosur numri i kontributit të Sida-s dhe titulli i Projektit/Programit dhe të dërgohet në adresat e mëposhtme:

Për Suedinë

Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim, Sida/Ambasada Suedeze në Tiranë, Rr. Pjetër Budi, No. 56.

Në vëmendje të Linda Gjermani

Për Shqipërinë

Ministria e Punëve të Brendshme, Sheshi Skënderbej Nr. 3, Tiranë

Në vëmendje të znj. Zhanina Dapi

Neni 4 – Disbursimet

4.1 Suedia do të përpiqet të garantojë parashikueshmërinë e financimit të saj duke përafruar angazhimet e saj financiare vjetore dhe disbursimet me nevojat e fluksit të mjeteve monetare për ekzekutimin e projektit.

4.2 Palët parashikojnë programin e mëposhtëm të përkohshëm të financimit:

VITI 2017 7000 000

 

 

 

 

SEK, pas nënshkrimit të kontratës me ekipin e kontraktuar të Menaxhimit të Programit dhe faturimin tremujor të Ambasadës

 

VITI  2018 8 000 000 SEK, pas miratimit të raportit vjetor të Sida-s/Ambasadës dhe buxhetit të përditësuar dhe analizës së riskut

 

VITI 2019

 

 

VITI 2020

 

8 000 000

 

 

7 000 000

SEK, pas miratimit të raportit vjetor të Sida-s/Ambasadës

 

SEK, pas miratimit të raportit vjetor të Sida-s/Ambasadës

 

Kontributi total maksimal

 

30 000 000

 

SEK.

4.3. Financimi i siguruar nga Suedia do t’i paguhet si shpenzim i ndodhur,  drejtpërdrejt konsulentit zbatues të kontraktuar, pas marrjes dhe miratimit nga Suedia. Disbursimet kushtëzohen me përmbushjen e kërkesave të kësaj Marrëveshjeje të Posaçme, progresit në lidhje me objektivat dhe rezultatet e pritshme të programit,  si dhe nevojave aktuale për qarkullim monetar në përputhje me planet e paraqitura të punës vjetore, duke përfshirë buxhetet. Disbursimet janë gjithashtu të kushtëzuara nga  një analizë e përditësuar e riskut dhe  buxhetit të detajuar kur partneri kontraktues ka qenë i zgjedhur.

4.4. Pala shqiptare konfirmon se financimi i siguruar nga Suedia do të përdoret ekskluzivisht për të mbuluar shpenzimet e alokuara për Programin, siç është detajuar në dokumentin e Programit dhe i detajuar më tej në Planin Vjetor të miratuar të Punës dhe të Buxhetit. Konsulenti i zbatimit/ PMT do t’i dërgojë kopje të të gjitha faturave palës shqiptare, në mënyrë që të lehtësojë monitorimin e zbatimit të buxhetit nga ana e palës shqiptare dhe të sigurojë informacion të përditësuar dhe të saktë për shpenzimet e programit në mënyrë transparente për Shqipërinë.

Neni 5 – Menaxhimi financiar

Menaxhimi financiar i programit do të jetë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e konsulentit të zbatimit  dhe në përputhje me sistemet e tij organizative, financiare dhe menaxhuese. Ekzekutimi i buxhetit do të bazohet në buxhetin e programit dhe do të reflektojë planin e miratuar të punës të rënë dakord mbi baza vjetore dhe që do të specifikohet më tej pas përzgjedhjes së konsulentit zbatues.

Neni  6 – Prokurimi

Konsulenti i përzgjedhur i zbatimit/PMT do të kryejë të gjitha prokurimet që do të kërkohen për programin dhe në përfitim të palës shqiptare. Konsulenti do të kryejë prokurimet në përputhje me planin e dakordësuar të prokurimit, procedurat e veta dhe Udhëzimet e Prokurimit të Sida-s (SPG). Udhëzimet e Prokurimit të Sida-s do t’i bashkëlidhen kontratës së Suedisë me konsulentin zbatues që do t’i vihen në dispozicion palës shqiptare  pas nënshkrimit. Plani i prokurimit do të përfshijë detaje për secilin prokurim, duke përfshirë procedurat e rëna dakord për konsultime me palën shqiptare.

Neni 7- Raportimi financiar.

7.1 Ekipi i kontraktuar për Menaxhimin e Programit / konsulenti për zbatimin do të përgatisë raporte financiare për Ambasadën e Suedisë, palën shqiptare  dhe KDP-në, çdo gjysmë viti, për Programin që nga fillimi i tij. Raportet financiare përfshijnë një analizë të të dhënave financiare me anë të përpilimit të të dhënave, si dhe krahasimeve me vitet e mëparshme. Pasqyrat dhe raportet financiare mbulojnë të gjitha faturat dhe shpenzimet e Programit dhe tregojnë financimin nga Suedia, në formë dhe me detaje që mundësojnë identifikimin e disbursimeve në dokumentin e miratuar të Programit, planin e punës, duke përfshirë buxhetin e miratuar, i cili mundëson krahasimin e shpenzimeve me planin aktual dhe buxhetin.

7.2. Pasqyrat financiare gjashtë mujore dhe raportet financiare përfshijnë informacione mbi shumën e marrë, si në valutën e transferimit dhe shumën në monedhës vendase, kursin e këmbimit valutor dhe informacione mbi datën kur kjo shumë është kredituar. Raporti përfshin gjithashtu informacione për shpenzimet totale të kryera, të ndara në përputhje me zërat e miratuara të buxhetit, për periudhën e raportimit, si dhe shumën e mbledhur për të gjithë periudhën e Programit.

7.3 Miratimi i raportit përfundimtar do të bëhet nga Suedia, në konsultim me Komitetin Drejtues të Projektit.

Neni 8-Raporti Përshkrues

8.1 Ekipi i Menaxhimit të Programit / konsulenti i zbatimit do ti vënë në dispozicion palës shqiptare,  Suedisë dhe Komitetit Drejtues të Projektit, në formë të shkruar, një raport përshkrues çdo gjashtë muaj. Raporti përshkrues duhet të përmbajë një analizë të ecurisë së aktiviteteve të programit dhe rezultatet e pritshme, duke ndjekur strukturën e dokumentit të programit,  kuadrin e rezultateve, siç shtjellohen më tej në planet vjetore të punës. Raporti do të mbulojë periudhën kohore prej gjashtë muajsh, nga fillimi i programit dhe do të dorëzohet brenda dy muajve pas kësaj periudhe. Raporti gjashtë mujor përmban një llogaritje, mbi baza kumulative, e cila mbulon të gjithë periudhën e Programit / projektit për sa i përket:

• aktiviteteve të realizuara gjatë periudhës së raportimit,

• rezultateve të arritura në krahasim me rezultatet e planifikuara,

• rezultatit (eve) të objektivit/objektivave të arritur/a të krahasuar/a me objektivin/objektivat e rezultateve të planifikuara (ose progresin drejt arritjes së objektivit/objektivave të rezultateve dhe një vlerësim të mundësisë për arritjen e objektivave të rezultateve të planifikuara,

• një vlerësimi të faktorëve të riskut që mund të ndikojnë në arritjen e objektivave, dhe

• një vlerësimi të përshtatjeve të mundshme në zbatimin e Programit, duke përfshirë menaxhimin e riskut.

8.2 Miratimi përfundimtar i raportit do të kryhet nga Suedia në konsultim me Komitetin Drejtues të Projektit. Raporti mund ti vihet në dispozicion  publikut shqiptar nëpërmjet palës shqiptare.

8.3 Ekipi i Menaxhimit të Programit / konsulenti zbatues do t’i  dorëzojë Shqipërisë dhe Suedisë, me shkrim, një raport për përfundimin e Programit. Raporti përfundimtar duhet të përmbajë një llogari, mbi baza kumulative, e cila mbulon të gjithë periudhën e aktivitetit, për:

• rezultatet e arritura në krahasim me rezultatet e planifikuara,

• objektivin/ objektivat e rezultateve të arritura në krahasim me objektivin/objektivat e rezultateve të planifikuara,

• një vlerësim të faktorëve që kanë ndikuar në arritjen e objektivave,

• mësimet e nxjerra nga zbatimi i Programit / Projektit, dhe

• një vlerësim të nevojave të mundshme për rregullime në Program, duke përfshirë veprimet që lehtësojnë riskun.

Pala shqiptare mund t’ia shpërndajë raportin palëve të interesuara dhe publikut shqiptar.

8.4 Pala shqiptare  do t’i sigurojë palës suedeze të gjitha informacionet që lidhen me zbatimin e Programit, siç mund të kërkohen nga Suedia.

Neni 9- Këshillimet

9.1 Palët do të bashkëpunojnë dhe komunikojnë rregullisht me njëra-tjetrën për të gjitha çështjet që lidhen me zbatimin e Programit dhe të kësaj Marrëveshjeje të Posaçme .

9.2 Palët duhet të takohen të paktën çdo gjashtë muaj, nën kujdesin e Komitetit Drejtues të Projektit, për të diskutuar mbi zbatimin e Programit. Përbërja e Komitetit Drejtues të Projektit përfshin, por nuk kufizohet tek Ambasada e Suedisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit, Departamenti për Programet Zhvillimore, Financimin dhe  Ndihmën e Huaj në  Kryeministri, shoqatat e qeverive lokale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe shoqëria civile. Komiteti Drejtues i Projektit ka një rol konsultues në miratimin e raporteve. Takimet duhet të mblidhen dhe drejtohen nga pala shqiptare, nëpërmjet Policisë shqiptare të Shtetit, në koordinim me partnerë të rëndësishëm për zhvillimin e Programit ose Sektorit si nga institucionet qeveritare, edhe nga komuniteti i donatorëve .

9.3 Raportet gjashtë mujore financiare dhe përshkruese të programit i jepen dhe shpërndahen Shqipërisë dhe Suedisë, si dhe anëtarëve të tjerë të Komitetit Drejtues të Projektit nga konsulenti zbatues, të paktën dhjetë ditë pune para takimit. Kur është e përshtatshme, të dhëna të tjera si raporte  të rishikimeve dhe vlerësimeve, planet vjetore dhe afatmesme, buxhetet për programin etj do të shpërndahen në të njëjtën periudhë kohore.

9.4 Tematikat kryesore që do të diskutohen gjatë takimeve të Komisionit Drejtues të Projektit përfshijnë, por nuk kufizohen tek zbatimi i Marrëveshjes së Posaçme, vlerësimi/rishikimi i performancës në lidhje me grupet e synuara, /zbatimi i buxhetit dhe nevojat financiare, prioritetet e shpenzimeve në bazë të prodhimit dhe treguesit e rezultateve të përshkruara në Kornizën e Rezultateve, rezultati i vizitave në terren, rishikimi i planeve të veprimit/buxhetit për vitin kalendarik të ardhshëm/prioritetet e të ardhurave dhe shpenzimeve; ndjekja e kërkuar për auditime dhe vlerësime.

9.5 Rezultati i takimit regjistrohet në procesverbalet e miratuara. Procesverbalet e Miratuara hartohen nga konsulenti zbatues dhe drafti do ti kalohet palës suedeze dhe  palës shqiptare për miratim/ komente, brenda një jave pas takimit. Pala suedeze dhe pala shqiptare do të informojnë mbi miratimin/ komentet e tyre brenda pesë ditësh pune pas marrjes së draftit.

9.6 Takime të tjera konsultative mund të kërkohen nga  pala shqiptare dhe /ose pala suedeze për çdo subjekt që ka lidhje me zbatimin e Programit.

9.7 Pala shqiptare  do të informojë menjëherë Suedinë për çdo rrethanë që mund të pengojë ose të rrezikojë të ndërhyjë në zbatimin e suksesshëm të Programit dhe me synim zgjidhjen e çështjes, do të kërkojë mbajtjen e një takimi për të informuar apo për tu konsultuar me palën Suedeze mbi masat korrigjuese, nëse ka, të cilat duhet të ndërmerren.

Neni 10  Angazhimet e ndërmarra nga pala shqiptare

10.1 Pala shqiptare  merr përsipër të organizojë Mbledhjet e Komitetit Drejtues të Programit, duke ftuar ministritë e tjera përkatëse dhe anëtarët e tjerë që lidhen me qeverinë lokale dhe shoqërinë civile. Duke konsideruar Policinë e Shtetit si përfituesin kryesor të programit, takimet e Komitetit Drejtues të Programit do të kryesohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ose në rast të mungesës së parashikuar, nga një prej Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm.

10.2 Pala shqiptare  ndërmerr të sigurojë burimet e nevojshme njerëzore dhe mbështetjen institucionale të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të programit.

10.3 Pala shqiptare do të sigurojë fonde në kohën e duhur për të mbuluar pagesën e TVSH-së për çdo pajisje të blerë nga programi dhe që do të bëhet pronë e Policisë shqiptare të Shtetit në fund të projektit.

10.4 Në lidhje me inaugurimet e punëve infrastrukturore të kryera në kuadër të programit me financimin e palës suedeze, pala shqiptare merr përsipër  ti organizojë ato në bashkëpunim me palën Suedeze, në mënyrë që të lejojë pjesëmarrjen e pranisë së ambasadës suedeze në çdo rast.

10.5 Pala shqiptare  do t’i sigurojë palës suedeze informacionin përkatës dhe të përditësuar mbi zhvillimet në sektor që mund të ndikojnë në zbatimin e programit dhe arritjen e rezultateve të tij të planifikuara, siç janë programe të reja të asistencës ndërkombëtare në të ardhmen apo fonde shtetërore.

Neni 11-Monitorimi.

11.1 Pala shqiptare dhe Suedia, do të monitorojnë progresin dhe përformancën e Programit dhe arritjen e rezultateve të tij të pritshme dhe rezultateve të matura në Kornizën e Rezultateve. Kjo do të bëhet kryesisht përmes takimeve të Komitetit Drejtues të Programit dhe raportimeve, por mund të përfshijë gjithashtu vizita të përbashkëta në terren, informime, vlerësim dhe rishikime. Pala shqiptare dhe Suedia, do të mbajnë një dialog të ngushtë në lidhje me mbështetjen dhe zbatimin e Programit.

Neni 12-Vlerësimi.

Nëse Suedia kryen një vlerësim (të përkohshëm apo ex post) ose një mision monitorues,  pala shqiptare duhet të ndërmarrë për të siguruar çdo dokument apo informacion që do të ndihmojë misionin e vlerësimit apo të monitorimit dhe do të mundësojë të drejtat e nevojshme për akses.

Nëse një palë kryen ose autorizon një vlerësim gjatë Programit, ajo duhet ti japë palës tjetër një kopje të raportit të vlerësimit.

Neni 13- Auditimi

13.1 Auditimi i jashtëm do të kryhet nga një auditues i jashtëm i pavarur dhe i kualifikuar. Auditimi do të kryhet në përputhje me standardet ndërkombëtare të lëshuara nga Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ose të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK), ose në përputhje me standardet e krahasueshme kombëtare. Konsulenti i zbatimit do të jetë subjekt auditimi dhe do të jetë përgjegjës për prokurimin e audituesit të jashtëm. Suedia miraton përzgjedhjen e audituesit. Kostoja e tij do të mbulohet nga buxheti i programit i alokuar nga Suedia.

Termat Standarde të Referencës të SIDA-s për auditimin financiar do të përdoren si referencë dhe Termat përfundimtare të Referencës do të miratohen nga Suedia.

Nëse auditimi përmban ndonjë rekomandim, Suedia do duhet t’ia japë këto të fundit  Shqipërisë, brenda tre javëve nga marrja e një Përgjigjeje mbi Menaxhimin, duke përfshirë një Plan veprimi. Plani i Veprimit do të raportohet me shkrim nga konsulenti zbatues çdo 6 muaj.

13.2 Suedia mund të autorizojë ose kërkojë në çdo kohë ndonjë auditim shtesë (të tilla si auditime prokurimi apo ligjore), ndjekje apo studime financiare. Pala shqiptare  do të bashkëpunojë me të dhe do të ndihmojë Suedinë për auditime të tilla.

Shpenzimet për auditimet shtesë, përveç auditimeve të rregullta vjetore, do të financohen nga Suedia.

Neni 14-Shlyerja

Suedia do të përcaktojë shumën përfundimtare të kontributit pas marrjes dhe miratimit të raportit/raporteve përfundimtare  (narrative/financiare) dhe llogarive të audituara  të Programit dhe të gjitha faturave nga konsulenti zbatues. Fondet që janë vendosur tek EMP /konsulenti zbatues dhe të cilat mbeten pas përfundimit të Programit, do të kthehen në Suedi brenda 60 ditëve pas miratimit të auditimit financiar.

Suedia do të informojë Shqipërinë për shumën që do të duhet të shlyhet në Suedi, si dhe mbi valutën e preferuar dhe të dhënat bankare.

Neni 15-Korrupsioni.

15.1 Palët do të bashkëpunojnë për parandalimin e mashtrimit dhe korrupsionit në lidhje me Programin dhe do të kërkojnë që personeli i përfshirë, si dhe konsulentët /furnizuesit /kontraktuesit e financuar sipas Programit të evitojnë për t’iu ofruar palëve të treta apo për t’iu kërkuar, pranuar apo për tu premtuar nga palë të treta, për veten e tyre apo ndonjë palë tjetër, ndonjë dhuratë, shpërblim, kompensim apo përfitim të çdo lloji, e cila mund të interpretohet si një praktikë e paligjshme apo korruptive.

15.2 Palët do të informojnë menjëherë njëra-tjetrën për rastet apo dyshimet e mashtrimit apo korrupsionit, siç referohet në këtë nen dhe për masat e marra, siç referohet në nënparagrafin vijues.

15.3 Palët do të veprojnë shpejt për të ndaluar, për të filluar hetime dhe nëse është e rëndësishme, për të ndërmarrë veprime, me qëllim fillimin e ndjekjes penale dhe/ose për të zbatuar sanksionet në përputhje me ligjet dhe politikat e zbatueshme ndaj çdo personi të dyshuar për keqpërdorim të burimeve, mashtrim apo korrupsion në lidhje me Projektin / Programin.

Neni 16-Rregullimet ligjore.

16.1 Në rast të mosrespektimit nga ana e palës shqiptare  të dispozitave të kësaj Marrëveshjeje të Posaçme, Suedia rezervon të drejtën të ushtrojë zgjidhjet e mëposhtme, duke përfshirë bllokimin e pagesave të mëtejshme dhe/ose uljen e pagesave të reja, duke kërkuar kthimin e fondeve të disbursuara ose ndërprerjen e mbështetjes së saj për Projektin / Programin.

16.2 Në rast të shkeljes së Marrëveshjes, Suedia mund të ndërpresë Marrëveshjen nëpërmjet një njoftimi dy muaj para.

16.3 Në rast të një shkeljeje të rëndë të Marrëveshjes, Suedia mund të ndërpresë Marrëveshjen me efekt të menjëhershëm.

16.4 Në rast të ndërprerjes nga Suedia, ndërprerja nuk do të zbatohet për fondet e zotuara në mirëbesim nga ana e Shqipërisë  për palët e treta, para datës së njoftimit të ndërprerjes, me kusht që angazhimet të jenë bërë në përputhje me këtë Marrëveshje.

16.5 Ndërprerja do të kryhet pas një njoftimi me shkrim në lidhje me të.

Neni 17-Njohja dhe informacioni.

Duke iu referuar veprimtarive plotësisht ose pjesërisht të financuara në përputhje me këtë Marrëveshje, pala shqiptare kurdoherë do të njohë dhe do të bëjë publike aktivitetet e  financuara përmes ndihmës suedeze për zhvillim. Logoja e Suedisë do të përdoret në përgatitjen e materialeve informative dhe në lidhje me aktivitetet informuese. Prodhimi i materialeve të tilla është plotësisht përgjegjësi e palës shqiptare/Programit dhe përgjegjësia e përmbajtjes do të jetë e botuesit. Termat “Sida” ose “Suedia” nuk mund të përdoren në mënyrë të tillë që mund të perceptohet sikur Sida apo Suedia ka marrë pjesë në përgatitjen apo mbështetjen e ndonjë prej opinioneve të paraqitura. Sida dhe departamentet e tjera të administratës suedeze jashtë vendit rezervojnë të drejtën për të kopjuar dhe shpërndarë materiale të kësaj natyre, nëse kërkohet.

Neni 18-Përfundimi.

Kjo Marrëveshje do të mbetet e vlefshme deri më 31 dhjetor 2021, përveç kur Palët e ndërpresin para kohe duke i dërguar njëra tjetrës një njoftim me shkrim gjashtë muaj para. Në rast të ndërprerjes para kohe nga pala shqiptare, asnjë fond nuk do të jetë më në dispozicion për aktivitete pas gjashtë muajve nga njoftimi me shkrim. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet e Palëve sipas kësaj Marrëveshjeje do të vazhdojnë të mbeten të pacenuara deri në kthimin e fondeve të mbetura / balancës së fondeve tek Suedia dhe plotësimin e kërkesave të raportimit të kësaj Marrëveshjeje, në kohën kur kësaj Marrëveshje i kalon afati.

Neni 19-Hyrja në fuqi

Kjo Marrëveshje hyn në fuqi kur Suedia të ketë marrë njoftim me shkrim nga pala shqiptare, ku do të konfirmohet përfundimi i procedurave të brendshme shqiptare të nevojshme për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes. Kjo marrëveshje do të zbatohet përkohësisht nga nënshkrimi i saj në masën që dispozitat e kësaj Marrëveshjeje të mos bien në kundërshtim me legjislacionin e Shqipërisë apo të Suedisë.

Kjo Marrëveshje Specifike është nënshkruar në gjuhën angleze në dy kopje origjinale, një për secilin nënshkrues.

_________________                                                                              _________________

Vendi dhe data                                                                                         Vendi dhe data

 

Për Suedinë,  përfaqësuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim  (Sida)

Nënshkrimi

Saimir Tahiri

Ministër i Punëve të Brendshme

Për palën shqiptare

Nënshkrimi

Birgitta Jansson

Këshilltare, Shefe e Seksionit të Bashkëpunimit për  Zhvillim në Ambasadën e Suedisë

 

Shtojcat:

  1. Dokumenti i Programit, i cili përshkruan projektin, duke përfshirë buxhetin dhe Kuadrin e Rezultateve