Lufta kundër trafikimit të brendshëm të fëmijëve: Sfidat dhe zgjidhjet

Koordinatorja Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave Elona Gjebrea vazhdon që të ndërmarrë një sërë hapash si në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor, ashtu edhe për ndërgjegjësimin dhe përmirësimin e njohurive të aktorëve kryesorë përgjegjës për të luftuar trafikimin e personave dhe veçanërisht mbrojtjen e fëmijëve nga çdo lloj forme abuzimi apo shfrytëzimi.

Për trajtimin e duhur të këtij fenomeni, u organizua workshopi me temë “Lufta kundër trafikimit të brendshëm të fëmijëve: sfidat dhe zgjidhjet”.

Ky aktivitet, i cili mblodhi për herë të parë bashkë prokurorë, punonjës të shërbimit social shtetëror rajonal, inspektorë të inspektoratit shtetëror të punës dhe punonjës të policisë antitrafik u zhvillua, në Qendrën e Formimit Policor Tiranë. Në të morën pjesë 25 persona.

Gjatë zhvillimit të workshopit, u trajtuan raste konkrete të viktimave të trafikimit, sfidat e prokurorisë në hetimin e veprave penale të trafikimit, sidomos problematikat që hasen gjatë hetimit të veprës penale të keqtrajtimit të të miturve (neni 124/b) dhe trafikimit të të miturve (neni 128/b); ndarja e veprës problematikat e policisë me prokurorinë, shërbimit social dhe inspektoratit shtetëror të punës në identifikimin  e viktimave të mundshme të trafikimit.

Gjithashtu u diskutuan detyrimet e secilit institucion për identifikimin, referimin, asistencën dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.