Konsultimi publik per projektligjin per “Komunikimet elektronike”

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, përfaqësues nga MPB dhe Policia e Shtetit zhvilluan sot një takim me operatorë telefonikë, në kuadër të konsultimit me grupet e interesit mbi projektligjin për “Komunikimet elektronike”.

Pas takimit, ministri Tahiri dha një prononcim për mediat:

Ministri Tahiri: Jemi në një fazë tjetër të ndryshimeve ligjore të cilat do mundësonin hetime penale shumë më efektive dhe mbi të gjitha rezultate në kohë.

Edhe në kuadër të rekomandimeve të Bashkimit Europian, edhe në kuadër të analizave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit nga njëra anë, Prokurorisë nga ana tjetër, dhe të gjitha agjencive ligjzbatuese në tërësi, kemi konstatuar domosdoshmërinë për të ndryshuar disa ligje, të cilat do të mundësonin Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese të bënin hetime më të shpejta dhe më efektive në kohë.

Sot patëm një konsultë me operatorët telefonikë përsa i takon disa ndryshimeve në ligjin “Për Komunikimet Elektronike”, të cilat do të mundësonin një akses më të drejtpërdrejt të Prokurorisë, të Policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, por mbi të gjitha dhe një marrëdhënie shumë më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike.

Gjithashtu, përtej kësaj do vazhdojmë edhe me konsulta të tjera, lidhur me disa ndryshime që ne i shohim të domosdoshme në Kodin Penal. Për t’iu propozuar më pas edhe Ministrisë së Drejtësisë, agjencive të tjera ligjzbatuese pra Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror përse jo. Dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë për të ndryshuar në përmasën që duhet legjislacionin penal, për të bërë ç’është e mundur që hetimet proaktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në veçanti dhe terrorizmit të zhvillohen në kohë, me rezultate të qëndrueshme dhe pa pengesa burokratike të cilitdo lloji.

Pyetje: Zoti Tahiri, a thyhen kompetencat e Prokurorisë? Është konsultuar me të ky projektligj?

Ministri Tahiri: Nuk ka lidhje kjo me kompetencat e asnjë institucioni. Ndryshimet të cilat po konsultojmë kanë lidhje me marrëdhënien që kanë agjencitë ligjzbatuese me operatorë kryesisht privatë por edhe publikë në fushën e hetimeve penale. Pra nuk jemi në fazën (dhe nuk është as detyra dhe kompetenca jonë) që të propozojmë ndryshime në pikëpamje të ndryshimit të kompetencave të institucioneve. Nuk është kjo.

DOKUMENTAT E BASHKËNGJITURA