Konsultimi për projektligjin “Për sigurinë publike”

Në datën 11 nëntor 2015 është organizuar në Hotel Tirana Internacional një tryezë e gjerë konsultimi publik, me pjesëmarrje nga institucionet e përfshira dhe përgjegjëse për zbatimin eventual të këtij ligji, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit nga bankat, shoqatat e udhëtarëve, bordet e prindërve dhe institucionet arsimore.

Në zbatim të ligjit, aktiviteti u njoftua nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe u dërguan ftesa zyrtare nëpërmjet postës elektronike.

Pas prezantimit të projektligjit nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, Z. Saimir Tahiri, iu dha mundësia të gjithë pjesëmarrësve për të parashtruar komentet apo oponencën e tyre, pavarësisht kostove të tejkalimit të afateve të përcaktuara në axhendë.

Ndërsa pjesa më e madhe e pjesëmarrësve e përshëndetën iniciativën dhe garantuan mbështetje dhe bashkëpunim për zbatimin e ligjit pas miratimit në Parlament, Z. Roland Tashi, përfaqësues i Komitetit të Bankave, ka propozuar gjatë tryezës vendosjen e një standardi të lartë për cilësinë e kamerave, i cili aktualisht mungon, për mirëmbajtjen dhe kontrollin e tyre, për subjektet që do të luajnë rolin e operatorit etj.

Gjithashtu u tregua një kujdes i veçantë në kuptimin e ligjit, lidhur me administrimin e të dhënave që do të përftohen nëpërmjet vendosjes së kamerave, për mbrojtjen e të dhënave personale. Niveli i sigurisë për përpunimin e këtyre të dhënave personale do të përcaktohet në një udhëzim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

DOKUMENTAT E BASHKËNGJITURA