Konsultimi për projektin e “Popullimit” ne Lezhe

Prononcimi i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pas takimit me Prefektin dhe strukturat vendore administrative të qarkut Lezhë, ku u diskutuan hapat konkretë për realizimin e procesit të “Popullimit”:

Patëm një takim me Prefektin, kryetarët e bashkive dhe të gjithë administratorët e qarkut Lezhë, për të nisur një kapitull të ri në procesin e “Popullimit” (pra të bashkimit të regjistrave të Gjendjes Civile të shtetasve me Regjistrin e Adresave) dhe për të pasur njëherë e mirë një llogari definitive të banorëve që jetojnë në qarkun e Lezhës dhe ku jetojnë.

Procesi i “Popullimit” do na japë pra në fund të ditës një llogari definitive sa jemi dhe ku banojmë. Dhe me këtë takim të parë në qarkun e Lezhës, ne hapim një fazë të re që është konsultimi (deri në nivel kryepleqsh dhe takimesh me komunitetin) dhe mbledhja e informacionit paraprak.

Ndërkohë, me mbledhjen e informacionit nga zyrat e Urbanistikës po shohim mundësinë që të pezullohet paraprakisht vendosja e emrit të rrugëve nga këshillat bashkiakë (në mënyrë që të mbajmë në kontroll procesin, për të mos lejuar konfuzion me rrugë që kanë 2 emra ose më shumë, të njëjtë, në të njëjtat njësi, apo me rrugë që nuk kanë rregull nga pikëpamja e emërtimit). Për të vendosur më pas një rregull – që nga modeli i ri i adresave, deri te procesi i ‘Popullimit’ në fund të të cilit parashikohet një riverifikim në terren, derë më derë, për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Eshtë një proces themelor. Shërben si gur themeli i cili garanton shërbime më cilësore për qytetarët dhe mbi të gjitha mundësinë që shteti t’i përgjigjet qytetarit me transparencë (nga njëra anë), dhe t’i përgjigjet në banesë (nga ana tjetër).

Por është dhe një proces që garanton dhe të drejtën e votës. Ju e dini shumë mirë që në shumë palë zgjedhje vitet e fundit ka pasur qytetarë që fizikisht jetonin në një njësi, por votonin në një njësi tjetër, apo jetonin në një qytet dhe votonin në një qytet tjetër.

Për ne është e rëndësishme që të kemi një pasqyrë reale të Shqipërisë së vërtetë. Kemi dy Shqipëri sot: Shqipërinë në letër dhe Shqipërinë në të vërtetë, me qytetarë që në letër banojnë në Lezhë por ndërkohë në fakt jetojnë në Tiranë apo anasjelltas.

Na duhet të bëjmë një pasqyrë të saktë të realitetit në qarkun e Lezhës dhe në të gjithë Shqipërinë, për t’i dhënë mundësi qeverisë dhe shtetit shqiptar t’u japë qytetarëve shërbimet që meritojnë.