Konferenca e Linjës Kombëtare 116 006 dhe Aplikacionit “Raporto! Shpëto!”

Ministria e Punëve të Brendshme e Zyra e Koordinatorit Kombëtare Kundër Trafikimit, mbështetur nga organizata World Vision dhe Fondacioni Vodafone Albania organizuan në datë 16 qershor 2014 Konferencën Prezantuese të Linjës Kombëtare 116 006 dhe Aplikacionit Celular “Raporto! Shpëto!”, ku mori pjesë Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri, Ambasadorë të Përfaqësive Diplomatike në Shqipëri, titullarë institucionesh e partnerë në nismë.

Shqipëria është ndër të parat në rajon që sjell risinë e përdorimit të teknologjisë në përgjigje të një prej çështjeve sociale më akute, parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Nëpërmjet zbatimit të kësaj iniciative publikut i ofrohet një mënyrë për të raportuar thjesht dhe shpejt raste trafikimi apo të dyshuara si të tilla. Qytetarët mund të dërgojnë në mënyrë anonime një mesazh të shkurtër, i cili u shkon menjëherë dhe njëkohësisht 6 zyrtarëve të ndryshëm publikë, që janë anëtarë të Autoritetit Përgjegjës për Identifikimin, Referimin dhe Mbrojtjen e Viktimave/Viktimave të Mundshme të Trafikimit, ose mund të telefonojnë falas 116 006.

Linja telefonike kombëtare 116 006 për të denoncuar rastet e trafikimit apo ato të dyshuara ofrohet falas dhe mund të përdoret nga çdo telefon, qoftë celular apo fiks. Thirrja shkon menjëherë në zyrën operative të Departamentit të Përgjithshëm të Policisë, në Tiranë.  Të dy shërbimet ofrohen nga të gjithë operatorët e telefonisë në Shqipëri. Ndërsa, Aplikacioni “Raporto! Shpëto!” për telefonat smart androidë  mund të shkarkohet si çdo aplikacion tjetër nga Google Play Store, lehtësisht dhe falas dhe është i përshtatshëm për shumicën e telefonave celularë në Shqipëri.