Grup Këshillimor i Shoqërisë Civile për Luftën Anti-trafik të Qënieve Njerëzore

Në një tryezë të iniciuar nga Koordinatori Kombëtar për Çështje të Luftës Kundër Trafikimit të Personave, njëkohësisht Zëvendësministre e Punëve të Brendshme znj. Elona Gjebrea, u vendos sot ngritja e një Grupi Këshillimor nga Shoqëria Civile, me fokus të veçantë në adresimin e çështjeve të luftës kundër trafikimit të personave.

Ky Grup Këshillimor do të shërbejë edhe si një instrument monitorimi dhe kontrolli i dyfishtë për veprimtarinë antitrafik të institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore. Gjithashtu, do të ketë si objekt të punës edhe orientimin e politikave dhe energjive të përbashkëta, sipas prioriteteve dhe nevojave reciproke.

“Bashkëpunimi me shoqërinë civile në të gjithë veprimtarinë e MPB-së, në veçanti për çështjet e parandalimit dhe luftës kundër trafikimit të personave mbetet një parim dhe filozofi pune”, tha zëvendësministrja Gjebrea.

Diskutanët theksuan se forcimi dhe koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta, është një kusht për të arritur sukses në luftën kundër trafikimi të personave. Duke njohur aftësitë dhe mundësitë e aktivistëve të shoqërisë civile, është rënë dakord për krijimin e hapësirave për këta të fundit si mundësi për kapacitete të shtuara dhe alternativa mendimi dhe veprimi, si edhe për shkëmbimin e informacionit të vazhdueshëm.

“Kjo strukturë besohet se do të shmangë problematikat dhe vështirësitë e krijuara në bashkëpunimin  e shoqërisë civile me institucionet shtetërore duke garantuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe konstruktiv”, thanë përfaqësues të OJF-ve.

Grupi Këshillimor i Shoqërisë Civile do të ketë 11-15 anëtarë, nga organizata që ushtrojnë aktivitet në kujdesin ndaj fëmijëve; që ofrojnë shërbim për viktimat e trafikut, apo organizata aktive në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Ministria e Punëve të Brendshme do të mbështesë funksionimin e Grupit Këshillimor, përfshirë edhe lehtësimin e komunikimit me të gjitha agjencitë shtetërore dhe jo-shtetërore.