Gjebrea firmos memorandum mirëkuptimi me WVA, me fokus fëmijët

Më datë 20.11.2015, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në ambjentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit “Për intensifikimin e mëtejshëm të veprimit kundër trafikimit të personave në Shqipëri, me fokus të veçantë fëmijët dhe të rinjtë”.ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Organizatës Ndërkombëtare World Vision në Shqipëri (WVA),

Qëllimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është përcaktimi i angazhimit të ndërsjellë të Palëve bazuar në objektiva specifike që kontribuojnë në parandalimin e trafikimit të personave dhe mbrojtjen dhe ri/integrimin e viktimave të trafikimit, me fokus të veçantë fëmijët dhe të rinjtë, në përputhje me objektivat e Strategjisë së Luftës kundër Trafikimit të Fëmijëve 2014-2017 dhe në koordinim me të gjitha institucionet e përfshira shtetërore dhe joshtetërore.

Nëpërmjet zbatimit të këtij Memorandumi do të arrihet bashkëpunimi ndërmjet World Vision në Shqipëri (WVA) dhe strukturave në përbërje dhe varësi të MPB për zbatimin e projekteve që lidhen me parandalimin e trafikimit të personave në 10 zonat e Shqipërisë ku WVA operon: Shkodër, Dibër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Tiranë, Elbasan, Korçë, Librazhd dhe Vlorë.