Gjebrea: Bashkëpunimi Prokurori-Polici, kyç për luftën anti-trafik

Në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare në forcimin e bashkëpunimit të të gjitha strukturave të zbatimit të ligjit, si dhe për të intensifikuar përpjekjet e aktorëve antitrafik, sa i takon hetimit dhe ndjekjes penale të veprave të trafikimit të personave, Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave me mbështetjen e OSBE-së, organizoi seminarin kombëtar me temë ”Hetimi dhe ndjekja penale e veprave të trafikimit të personave”. Seminari u përshëndetet nga zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Z. Robert Wilton, nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme/Koordinatorja Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Zj. Elona Gjebrea (Hoxha), nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Artan Didi. Diskutantët artikuluan qartë dhe fort, rolin e rëndësishëm dhe bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore, ndërkombëtare dhe të pavarura, në luftën pa kompromis kundër trafikimit të personave.

Fjala e zëvendësministres së Punëve të Brendshme, njëkohësisht  Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, znj. Elona Gjebrea:

Të nderuar pjesëmarrës,

Trafikimi i personave është një sfidë kombëtare për çdo institucion shtetëror. Në veprimet e tyre të përditshme agjensitë e zbatimit të ligjit ballafaqohen me këtë fenomen të rëndë shoqëror, i cili përbën një krim të rëndë që meriton ndëshkim të fortë. Për autorët e këtij krimi, trafikimi i personave është një sipërmarrje fitimprurëse. E ky është vërtet një realitet therës shoqëror që kërkon dita ditës rritje të shkallës së përgjegjshmërisë dhe vëmendjes nga çdo individ që është pjesë e strukturave të zbatimit të ligjit. Individë me dëshirë të pakontrolluar për përfitim kërkojnë me çdo kusht të pasurohen dhe persona me problematika të ndryshme ekonomike dhe sociale bien pre e rrjeteve kriminale të përfitimit. Dhe forca që e zhbën këtë fenomen, e zhbën këtë lidhje, është proaktiviteti i strukturave shtetërore.

Këto akte duhet në radhë të parë të parandalohen e sigurisht qëllimi fundor është ndëshkimi i trafikantëve dhe puna intensive për ri-integrimin e viktimës. Në duart e Policisë shqiptare dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda ka sot mjaft mjete për të arritur në identifikimin e rasteve dhe ndjekjen e tyre, pavarësisht se jo të gjitha burimet dhe mjetet shfrytëzohen maksimalisht. Bashkëpunimi ndërkombëtar gjithashtu është një mundësi mjaft e mirë për shkëmbim eksperiencash e për të rritur numrin e rasteve të identifikuara.

Ende sot vijojmë të flasim për hetimet pro-aktive, të cilat, të paktën në dijeninë time janë në nivele minimale. Vëzhgime të tilla vijnë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët në të gjitha raportet e tyre monitoruese kanë të njëjtin lajtmotiv: “rritja e hetimeve proaktive”. Ri-sjell në vëmendjen veçanërisht të policisë, të cilët janë të detyruar në bazë edhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave të kryejnë intervistimin formal të viktimave të trafikimit të cilat kanë vullnetin për t’a kryer atë.

Ky është një fakt që ndihmon absolutisht hetimin e veprave penale të trafikimit të personave të rritur e të mitur. Hetimet e nisura kryesisht janë të sanksionuara në legjislacionin penal, por shumë rrallë shfrytëzohet kjo mbështetje ligjore. Gjithashtu, po kjo intervistë formale për viktimat e trafikimit është një tregues, i cili detyron kualifikimin e drejtë ligjor të veprës penale, duke mos lejuar rastet e konstatuara më parë që një viktimë trafikimi përveçse është referuar për ushtrim prostitucioni, edhe shfrytëzuesi është dënuar thjeshtë për shfrytëzim prostitucioni. Jemi të vendosur që raste të tilla trajtimi me dy standarde nuk duhet dhe nuk do të ndodhin më!

Këtu dua të bashkohem me mendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili gjatë fjalës së tij në analizën e punës një vjeçare të policisë u shpreh se: “Bashkëpunimi me prokurorinë është pjesë organike e gjithë veprimtarisë së policisë së shtetit në luftën kundër krimit. Policia nuk është në gjendje të luftojë me efektivitet  krimin pa një bashkëpunim dhe mbështetje të prokurorisë, pasi është ky organi që finalizon gjithë veprimtarinë e policisë për zbulimin dhe dokumentimin e veprave penale dhe autorëve të tyre. Policia e shtetit është e gatshme të ofrojë bashkëpunimin e saj pa asnjë rezerve prokurorisë  në luftën e tyre të përbashkët kundër krimit.”

Në vijim, dua të shpreh edhe angazhimin tim maksimal në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në facilitimin e këtij bashkëpunimi dhe mbështetjen e përkushtuar për të përmirësuar dhe arritur standardet ndërkombëtare drejt të cilave të gjithë synojmë.

Prokuroria nga ana e saj ka një detyrim gjithashtu për të siguruar që viktima ka marrë garancitë për mbrojtje. Deri sot vetëm një rast ka arritur të marrë mbrojtje nga programi i mbrojtjes së dëshmitarit dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Vëmendja e prokurorit duhet të jetë si për ndjekjen e çështjes ashtu edhe për viktimën, interesi për situatën e viktimës duhet të vlerësohet me vëmendje.

Në vijim të bashkëpunimit mes hallkave të drejtësisë penale, për të adresuar të gjithë problematikën e gjerë të rasteve të trafikimit të personave, duke marrë shkas edhe nga rekomandimet e grupit të punës që do të prezantohen në vijim, janë ndërmarrë hapat e parë për ngritjen e një Task Force kundër trafikimit të personave, si një grup i përhershëm konsultativ me pjesëmarrjen e të gjitha strukturave kyçe si Policia, Prokuroria, Gjyqësori dhe me kontributin e organizatave partnere me eksperiencë në fushën e zbatimit të ligjit. Praktika e deri më tanishme ka demonstruar se rastet e trafikimit kalojnë në një zinxhir veprimesh dhe referohen nga një institucion në tjetrin dhe në mungesë të një bashkëveprimi dhe koordinimi të mirë midis tyre mund të dëmtohet i gjithë procesi.

Një grup i tillë i organizuar në formën e një Task Force do të ishte një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e debateve dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira për probleme që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe zbatimin e legjislacionit anti-trafikim, përqasjen me tendencat e reja të fenomenit të trafikimit, identifikimin dhe adresimin e duhur për zgjidhje të problemeve të hetimit dhe gjykimit të rasteve të trafikimit, shpjegimit, interpretimit dhe sqarimit të koncepteve të reja ligjore të aplikuara tashmë në legjislacionin e brendshëm.

Nevoja për të bashkërenduar përpjekjet dhe mbështetur njëri-tjetrin dhe për të koordinuar më mirë çdo aksion dhe veprim në luftën kundër trafikimit të personave është domosdoshmëri, vëmendje ndaj situatës së viktimës dhe rritje e pro-aktivitetit dhe bashkëpunimit me aktorë të shoqërisë civile që japin shërbime për viktimat e trafikimit dhe kryejnë identifikime fillestare të rasteve të shfrytëzimit duhet të intensifikohet.

Do të doja ta mbyllja fjalën time duke cituar zotin Ministër të Punëve të Brendshme në fjalën e tij gjatë analizës së punës së Policisë së Shtetit: “Sfida fillon nga ne këtu. Nga ju, drejtuesit e Policisë së Shtetit për të vazhduar me kapacitetin tonë maksimal në ndërtimin e urave solide të partneritetit me qytetarët dhe bashkëpunimin efektiv me Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimin Informativ Shtetëror, Avokatin e Popullit, agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe të gjithë partnerët e shoqerisë civile dhe misionet ndërkombetare që asistojnë modernizimin e policisë së shtetit. Për të ndërtuar një model demokratik në policinë e shtetit. Transparencë maksimale, kontroll civil në polici dhe shërbim dinjitoz ndaj qytetarëve”.

Ju faleminderit!