Fuqizimi i strukturave shtetërore në mbrojtjen e viktimave të trafikimit

Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim, në bashkëpunim me Caritas Shqiptar dhe CRS, organizoi konferencën ku prezantoi projektin “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave”.

Në të morën pjesë, znj. Elona Gjebrea Hoxha, zv/ministre e Punëve të Brendshme, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, prefektët e qarqeve Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Kukës, përfaqësues të Komiteteve Rajonale Antitrafik, përfaqësues nga Policia e Shtetit, Shërbimi Social Shtetëror, Prokuroria, Gjykata dhe Shoqëria civile.

Konferenca i shërbeu paraqitjes së disa nga sfidave në sistemin e identifikimit, referimit dhe integrimit të viktimave të trafikimit dhe ngritjes së Komitetit Drejtues përgjegjës për monitorimin e zbatimit të përgjegjësive të Komiteteve Rajonal Anti Trafik.

Financimi i projektit është bërë i mundur nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS me qëllim rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit.

Projekti do të ndihmojë në ndërtimin/rikonstruktimin e dhomave të intervistimit në pikat kufitare në Morinë dhe Han të Hotit/ Muriqan për  viktimat e mundshme të trafikimit, që ata të ndihen të mbrojtur deri në finalizimin e procesit të intervistimit dhe referimit.

Fjala e zëvendësministres së Punëve të Brendshme Elona Gjebrea:

Së pari, më lejoni të shpreh mirënjohjen dhe kënaqësinë time të veçantë, që si partnerë të përhershëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe veçanërisht të Koordinatorit Kombëtar jemi bashkë sot, për të konturuar një rrugë të re bashkëpunimi.

Një falënderim i sinqertë shkon për qeverinë amerikane, e cila vazhdimisht dhe në mënyrë konstante ka mbështetur  qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të luftuar krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, falënderoj Zyrën Ndërkombëtare Humanitare të Komunitetit Katolik në Shtetet e Bashkuara dhe Caritas Shqiptar për angazhimin, që  keni zgjedhur të kontribuoni në një kauzë jo të lehtë, por jo të pamundur, për t’u përballur me luftën kundër trafikimit të personave.

Marrja pjesë e partnerëve dhe aktorëve kryesorë në këtë konferencë tregon se trafikimit të personave vazhdon t’i jepet një përgjigje serioze dhe profesionale, por më së shumti një reagim i përbashkët, bazuar në një frymë bashkëpunimi në të gjitha nivelet, e në veçanti në nivel vendor, atje ku ndodh edhe vetë fenomeni.

Sikurse do ta shikoni nga prezantimi, ky projekt  ka qasjen të rrisë bashkëpunimin ndërmjet Koordinatorit Kombëtar Antitrafik, Komiteteve Rajonale Antitrafik të Qarqeve Kukës, Lezhë, Shkodër, Durrës, Shërbimit Social Shtetëror dhe shoqërisë civile etj. për të adresuar sfidat në sistemin e identifikimit, referimit dhe integrimit të viktimave të trafikimit.

Ndërtimi dhe rikonstruktimi i dhomave të intervistimit në pikat kufitare do të krijojë kushte të favorshme dhe miqësore në mënyrë që viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit të ndihen të mbrojtura dhe të sigurta deri në finalizimin e procesit të intervistimit dhe referimit.

Ngritja e Komitetit Drejtues, i cili do të monitorojë zbatimin e përgjegjësive të Komiteteve Rajonal Antitrafik është një risi dhe do t’i shndërrojë këto Komitete Rajonale në bërthamën e konceptimit dhe veprimit antitrafik duke hartuar plane veprimi, bazuar në një vlerësim paraprak të nevojave dhe specifikave të qarkut.

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim dhe si drejtuese e këtij Komiteti ju siguroj për mbështetjen dhe angazhimin tim maksimal për të vepruar të gjithë së bashku për realizimin me sukses të këtij projekti dhe kërkoj mbështetjen dhe angazhimin tuaj të plotë në zbatimin e detyrimeve që paraqet ky projekt ambicioz.

Faleminderit!