Fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave në Shqipëri

ZYRA E KOORDINATORIT KOMBËTAR ANTITRAFIKIM NË BASHKËPUNIM ME CARITAS SHQIPTAR, në datën 3 mars 2015, ZHVILLUAN në Lezhë WORKSHOPIN ME TEMË:“Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave. 

Në workshop morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës Lezhë dhe njëkohësisht kryetar i Tryezës Teknike, anëtarët e Komitetit Rajonal Antitrafik dhe anëtarët e Tryezës Teknike të qarkut Lezhë, drejtori i Policisë së Qarkut, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, përfaqësues nga shërbimi social, drejtoria e punësimit, bashkia, organizatat që operojnë në qark, etj. Risia e këtij takimi ishte pjesëmarrja edhe e nxënësve nga shkollat e mesme të qytetit të Lezhës.

Ky aktivitet u zhvillua në vijim të aktiviteteve të mëparshme në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave”, financuar nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS, me qëllim rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit.

Në workshop u prezantua Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2014-2017, u zhvillua punë në grupe për draftimin e Planit 2 vjeçar të Veprimit antitrafikim të qarkut Lezhë, ku një kontribut të vlefshëm dhanë edhe nxënësit e pranishëm në takim për hartimin e planit sa i takon shtyllës së parandalimit. Gjithashtu, u diskutua mbi veprimtaritë që do të zhvillohen gjatë kësaj periudhe, si dhe mbi detyrat e përgjegjësitë e institucioneve dhe aktorëve  në nivel rajonal sa i takon çështjeve të luftës kundër trafikimit të personave.