Fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave

Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim në bashkëpunim me Caritas Shqiptar, zhvilluan në Shkodër workshopin me temë: “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave.  

Në workshop morën pjesë Sekretarja e Përgjithshme e institucionit te Prefektit Shkodër, Zj. Felek Kasemi, anëtarët e Komitetit Rajonal Antitrafik dhe anëtarët e Tryezës Teknike të qarkut Shkodër, përfaqësues nga Njësia Antitrafik, policia, shërbimi social, nënprefektura e Malësisë së Madhe, organizata që operojnë në qark, etj.

Gjithashtu, në takim mori pjesë edhe imzot Angelo Massafra, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i cili falënderoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Koordinatoren Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave për punën dhe angazhimin maksimal në parandalimin dhe luftën kundër krimit dhe trafikimit të personave, si dhe ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij në parandalimin e krimit.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave”, financuar nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS, me qëllim rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat/viktimat e mundshme të trafikimit.

Në workshop u prezantua Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2014-2017, u zhvillua një punë në grupe për draftimin e Planit 2 vjeçar të Veprimit antitrafikim të qarkut Shkodër, u diskutua mbi veprimtaritë që do të zhvillohen gjatë kësaj periudhe, si  dhe mbi detyrat e përgjegjësitë e institucioneve dhe aktorëve  në nivel rajonal sa i takon çështjeve të luftës kundër trafikimit të personave.