Elbasan – Vijon fushata informuese “Zgjidhni mundësitë, jo migracionin e parregullt!”

22 Nëntor 2017, Elbasan – Në vijim të kalendarit kombëtar për zhvillimin e aktiviteteve sensibilizuese në zbatim të projektit “Mbi parandalimin e migracionit të parregullt”, Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në datat 22 nëntor zhvilluan disa takime informuese në qarkun e Elbasanit.

Në Institucionin e Prefektit të qarkut u zhvillua një takim me anëtarët e Tryezës Teknike për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e tyre lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt drejt Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian me sloganin “Zgjidhni mundësitë, jo migracionin e parregullt!, ku morën pjesë 29 persona.

Më pas u zhvillua një workshop me anëtarë të Tryezës Teknike Antitrafik, përfaqësues nga Këshilli i qarkut, sistemi arsimor, njësitë e qeverisjes vendore, etj., ku u diskutua rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin  e trafikimit dhe të migracionit të parregullt, etj., me 25 pjesëmarrës.

Gjithashtu, u zhvillua një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të çdo qarku, ku morën pjesë 25 pjesëmarrës, për të vijuar më pas me 2 takime (1 takim me 25 mësuesit e shkollës së mesme “Vasil Kamami” dhe 1 takim me Zyrën Rajonale të Punësimit) dhe me qytetarë që kishin ardhur për shërbime në Zyrën e Punësimit, ku u informuan për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.

Pikat kryesore nga diskutimet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve në takimet e mësipërme përfshinë:

  • Nevojat për fuqizimin e grave dhe komunitetit dhe aktivitetet paralele të ndërgjegjësimit;
  • Rëndësia e medias dhe roli i tyre vendimtar në fushatat e ndërgjegjësimit;
  • Bashkëpunimi institucional është me rëndësi të madhe dhe punon në skuadrat multidisiplinare;
  • Prioritet duhet t’i kushtohet krijimit të mundësive për zhvillimin e komunitetit, përmes mbështetjes së kategorive të rrezikuara për zbatimin e projekteve që adresojnë çështjet ekonomike sociale.

 

Po kështu u zhvilluan sesione informimi me nxënësit e shkollës së mesme “Vasil Kamami” me rreth 30 nxënës, si dhe u shpërndanë fletëpalosje në bare të ndryshme kafeje dhe në vende të tjera publike. Gjithsej në qarkun Elbasan po shpërndahen 4000 fletëpalosje.

Plani i ardhshëm i aktiviteteve për këtë vit përfshin:

  • 5-7 Dhjetor 2017- takime informuese në  Kukës
  • 12-14 dhjetor 2017- takime informuese në  Shkodër
  • 19-21 Dhjetor 2017 – takime informuese në  Korçë