Edukimi i komunitetit për çështje të trafikimit të personave

Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në bashkëpunim me organizatën “Të ndryshëm dhe të Barabartë” dhe Korpusin e Paqes, të mbështetur financiarisht nga Ambasada Amerikane, zhvilluan në Tiranë trajnimin 2 ditor të trajnerëve me temë “Edukimi i komunitetit për çështje të trafikimit të personave”.

Në trajnim morën pjesë ekspertë të fushës antitrafikim, profesionistë nga institucione shtetërore, njësitë e qeverisjes vendore, si: Shërbimi social, Njësitë për Mbrojtjen e fëmijëve, administratorë socialë, ekspertë, etj.

Objektivi i trajnimit dyditor ishte trajnimi i profesionistëve për ndërgjegjësimin e komunitetit lidhur me fenomenin e trafikimit, format e trafikimit, shkaqet dhe pasojat e trafikimit, faktorët e rrezikut dhe sistemet e ndërtuara me qëllim ofrimin e mbrojtjes dhe të shërbimeve për viktimat e trafikimit, prezantimi i Strategjisë së Luftës kundër Trafikimit të Personave dhe Planit të Veprimit, ku një hapësirë e veçantë iu kushtua fushës së parandalimit,  si udhërrëfyes për identifikimin dhe referimin e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit.

Pjesëmarrësit sollën raste konkrete dhe praktikat më të mira të punës së tyre dhe bashkërisht hodhën piketat për hartimin e planeve te tyre të veprimit për të vijuar punën me trajnimin e komunitetit për çështjet antitrafikim për periudhën në vijim.

Në fund të takimit dy ditor për pjesëmarrësit u shpërndanë certifikata. Në ceremoninë e dhënies së certifikatave morën pjesë Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Zj. Elona Gjebrea, Drejtorja e Marrëdhënieve me Publikun në  Ambasadën Amerikane, Zj. Valerie O’Brien dhe, Drejtori i Korpusit të Paqes në Shqipëri, Z. Earl Wall, të cilët mbajtën edhe fjalë përshëndetëse për të pranishmit.