Dhuna në familje – Takim mes Gjebreas dhe OJF/Prezantohet studimi

Sipas një studimi në 10 vitet e fundit shoqëria shqiptare ka ndryshuar perceptimin ndaj dhunës në familje.

Referuar rezultateve të këtij anketimi, të bëra publike në një takim të zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme mes një grupi OJF dhe Koordinatores Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore znj. Elona Gjebrea, vetëm 54 % e të anketuarve mendojnë se çështja e dhunës në familje është një tërësisht private, ndryshe nga 89 % që ishte perceptimi 10 vjet më parë.

Sipas raportit, institucioni kryesor ku drejtohen ankesat apo denoncimet për dhunë brenda familjes, mbetet Policia. Më konkretisht, 39 % e të dhunuarve i drejtohen zyrës së Policisë nëse përballen me dhunë; 23 % u telefonojnë OJF-ve; 18 % e çështjeve shkojnë në Gjykatë; vetëm 1 % e denoncimeve përfundojnë në Prokurori dhe 1 % në pushtetin lokal, megjithëse ky i fundit, me ligj, është ndër institucionet kryesore që menaxhon këtë problematikë të mprehtë.

Nga më shumë se 500 qytetarë të pyetur përmes intervistimit telefonik, bisedave në fokus-grupe apo vetë-intervistimit në faqen Ëeb, 443 prej tyre u shprehën kundër dhunës në familje, ndërsa 100 të tjerë u përgjigjën se “pse jo, burri mund ta godasë gruan”.

Rezultatet i bëri publike Iris Luarari, Drejtore Ekzekutive e Linjës së Këshillimit për Gra e Vajza.

Në vijim, Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea siguroi se rezultatet e këtij anketimi do të bëhen pjesë e planit të punës së Policisë së Shtetit, ndërsa vlerësoi se kështu po krijohet një databazë e rëndësishme për të luftuar fenomenin e dhunës në familje dhe sulmet seksuale.

Timothy Del Veçhoi, konsulent i Programit suedezo-shqiptar për Policimin në Komunitet, u shpreh se po punohet për të zgjidhur incidentet përpara se të shkojnë në Gjykatë.