Athinë: Konsultim për ligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”

Greqi – Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka zhvilluar në Athinë një takim konsultativ për ligjin Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ministri u shpjegoi shoqatave të emigrantëve shqiptarë procesin e regjistrimit që ka ndërmarrë shteti shqiptar kohët e fundit, në lidhje me procesin e regjistrimit të emigrantëve shqiptarë në vendet ku ndodhen, ku janë vendosur e ku jetojnë: « Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ju, ky është një borxh që po jua kthejmë duke ju shërbyer për kontributin dhe sakrificat që keni bërë për Shqipërinë».

Ministri ka përmendur më tej faktin që janë bërë shumë premtime për votën e emigrantëve nga politika por pavarësisht kësaj deri më sot nuk është bërë asgjë, duke vënë në dukje që procesi i regjistrimit do të shtrojë bazat për garantimin e të drejtës së votës së emigrantëve.

Ministri Tahiri shoqërohej në takimet e zhvilluara edhe nga zv/ministri i Brendshëm Stefan Çipa dhe ambasadori i Shqipërisë në Athinë Dashnor Dervishi.