Antitrafikimi / Gjebrea: Mungesa e koordinimit në nivel vendor, kushtëzon suksesin

Në kuadër të parandalimit dhe luftës kundër trafikimit të personave, si dhe fuqizimit të Komiteteve Rajonale Antitrafik, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, njëkohësisht edhe Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, organizoi në Durrës një takim me anëtarët e Komitetit Rajonal Antitrafik të Qarkut Durrës mbi parandalimin  e trafikimit të personave dhe forcimin e asistencës për viktimat e trafikimit.

Koordinatori Kombëtar Antitrafik ka krijuar një risi në bashkëpunimin dhe koordinimin e përpjekjeve të organizmave shtetërorë dhe jo-shtetërore në luftën pa kompromis kundër trafikimit të personave, duke mbledhur bashkë në nivel lokal, aktorë të rëndësishëm si: pjesëmarrës nga Prokuroria e Rrethit, nga Shërbimi Social Shtetëror, nga Drejtoria e Policisë Qarkut, nga aktorë të rëndësishëm në fushën arsimore dhe shëndetësore, si dhe nga Shoqëria Civile.

Organizimi i takimeve të tilla me aktorë të rëndësishëm të luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore në nivel vendor i jep një frymë të re bashkëpunimit institucional mes qeverisjes qendrore, institucioneve shtetërore në nivel lokal dhe Shoqërisë Civile, sidomos për çështje kaq të ndjeshme dhe të prekshme, siç janë të drejtat e viktimave të trafikimit, duke synuar të parandalojë dhe mbrojë viktimat e mundshme të trafikimit, apo dhe qasja me sfidat gjatë procesit të tyre të integrimit/riintegrimit në shoqëri.

Në takim zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, njëkohësisht edhe Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, znj. Elona Gjebrea, si edhe Prefekti i Durrësit, Rolant Xhelilaj, artikuluan forcimin e urave lidhëse të bashkëpunimit në nivel qendror dhe vendor.

Por gjatë tryezës u evidentua si problematikë, se është bërë pak punë në drejtim të konsolidimit dhe ndërtimit të mekanizmave vendore, antitrafikim.

“Është pikërisht mungesa e koordinimit dhe drejtimit të punës në nivel vendor, e cila kushtëzon suksesin e çdo angazhimi apo përpjekjeje. Marrja e masave të menjëhershme për mbrojtjen e individëve dhe grupeve të rrezikuara nga trafikimi, në mënyrë të veçantë të fëmijëve, është ndër detyrat kryesore të njësive rajonale”, tha zv/ministria Gjebrea.