Postuar më: 22 Dhjetor 2016

Ligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për Gjendjen Civile”, të ndryshuar"

PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT

Ky projektligj parashikon disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar , në nenet 2, 11, 13, 14, 17, 23, 27, 32, 33, 41, 50, 51, 52, 56, 60, 61, 66, 67, 73 dhe 74. Gjithashtu, janë shtuar nenet 21/1 dhe 69/1.

Në nenin 1, të projektligjit, është plotësuar përkufizimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile me fjalët “i vitit 2010”, të cilat referojnë datën e krijimit të tij, që përkon me përfundimin e procesit të hedhjes së të dhënave nga regjistrat themeltarë manualë, në atë elektronik dhe saktëson periudhën në bazë të së cilës lëshohet dokumentacioni nga Regjistri Kombëtar.

Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile emërtohet sipas periudhës së krijimit të tij, viti 2010, e dhënë e cila referohet në dokumentacionin që lëshon ky shërbim për ngjarje dhe fakte të pasqyruara në këtë regjistër. Për fakte juridike të ndodhura përpara vitit 2010, burimi i informacionit është regjistrimi i popullsisë i vitit 1974. Për konkretizim, listojmë regjistrime të mëparshme të popullsisë në vendin tonë, të cilat respektivisht janë kryer për periudhat e viteve 1930, 1945, 1950 dhe 1974, të dhëna të cilat janë të dokumentuara në regjistrat themeltarë, të klasifikuar si dokumente të arkivuara, në të cilët nuk kryhen më veprime.

Në nenin 2, të projektligjit është parashikuar që ndër përbërësit e gjendjes civile, të rrjedhur nga akte të organeve të tjera, siç janë birësimi, shtetësia, heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, të jetë dhe ushtrimi i përgjegjësisë prindërore, për sa i përket regjistrimit të fëmijës, e cila në interpretim të vendimit të 2 gjykatës për zgjidhje martese, etj, ka të bëjë me kryerjen e veprimeve për sa i përket regjistrimit të fëmijës, përcaktimin e lidhjes familjare me prindin për të cilin ka vendosur gjykata, etj. Një ndër pasojat që sjell zgjidhja e martesës mbi fëmijën është dhe vendosja e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, autoritetit prindëror, si një ndër masat për mbrojtjen e fëmijëve, sipas përcaktimeve të vendimit gjyqësor për lënien për rritje dhe edukimin e tyre.

Në nenin 3, të këtij projektligji janë rigrupuar në një paragraf të vetëm përkufizimet lidhur me statusin, gjendjen civile të shtetasve, duke ndryshuar terminologjinë e përdorur për statusin “i divorcuar”, në vend të “i shkurorëzuar”. Aktualisht, kjo është terminologjia e përdorur dhe në përmbajtje të rubrikave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC). Ndryshimi i saj është gjithashtu, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Familjes dhe në ligje të tjera, siç është p.sh., ligji nr.9443, datë 16.11.2005, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën “Për juridiksionin, ligjin e zbatueshëm, njohjen zbatimin dhe bashkëpunimin, në lidhje me përgjegjësinë prindërore dhe masat për mbrojtjen e fëmijëve””, ligjit nr.109/1012, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për njohjen e divorceve dhe ndarjeve ligjore”, si dhe ligjin nr.10428, datë 2.6.2011, “Për të drejtën ndërkombëtare private”.

Në nenin 4, të projektligjit formulimi i dispozitës ekzistuese është plotësuar duke parashikuar të drejtën e shtetasve për të pasur banesë edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 5, të projektligjit, dispozita për pranimin në një vendbanim tjetër rregullon këtë marrëdhënie, në drejtim të saktësimeve të mëtejshme, të cilat konsistojnë në hapa procedurialë të nevojshëm për t’u ndërmarrë nga përfaqësues të organeve të vetëqeverisjses vendore, të cilët ngarkohen me përgjegjësinë administrative të kryerjes së verifikimeve direkte në terren, për familjet që ndryshojnë vendbanimin duke u vendosur në banesën e një familjeje tjetër, kur nuk kanë lidhje familjare. Sqarojmë se ky funksion kërkon bashkëpunimin e shërbimit të gjendjes civile, i cili jo pa qëllim ushtrohet si funksion i deleguar në organet e vetëqeverisjes vendore, që gëzojnë autonomi dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të parimit të subsidiarietetit, si një shërbim që ofrohet sa më pranë komunitetit. Bashkëpunimi i zyrave të gjendjes civile me organe të vetëqeverisjes vendore, cilësohet gjithashtu, në funksione të tjera të përmendura në këtë ligj, siç janë në regjistrimin e fëmijëve të gjetur, apo identifikimin e personave të gjetur të paidentifikuar, për sa i përket deklarimit të vdekjes. Kjo procedurë është konsideruar e nevojshme nisur nga raste të ndeshura në praktikë, kur realisht për familjet ardhëse nuk ekzistojnë, apo përmbushen 3 kushtet potenciale të banimit. Në këtë aspekt, përfshirja e kësaj strukture e bën këtë procedurë më të kontrollueshme në lidhje me ushtrimin e autoritetit shtetëror.

Në nenin 6, të projektligjit, është parashikuar deklarimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas legjislacionit përkatës, i cili parashikon periudhën për të cilën bëhet vetëdeklarimi, procedurat për identifikimin dhe regjistrimin e adresës në programin e regjistrimit të adresës, i cili është pjesë përbërëse e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Në nenin 7, të projektligjit, janë parashikuar veprime që duhet të kryejë zyra e gjendjes civile për zbatimin e dekreteve të Presidentit për fitim dhe lënie të shtetësisë shqiptare. Dispozita ekzistuese parashikon vetëm veprimet që duhen kryer nga zyra e gjendjes civile për ç’regjistrimin e shtetasve shqiptarë, të cilëve u është miratuar lënia e shtetësisë shqiptare me dekret të Presidentit të Republikës. Aktualisht procedura e zbatueshme, si për lënien e shtetësisë shqiptare, ashtu dhe për fitimin e saj ndiqet nëpërmjet përcjelljes së akteve respektive, Dekreteve të Presidentit të Republikës për lënie dhe fitim të shtetësisë shqiptare, nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Zyrave të gjendjes civile që do të kryejnë veprimet. I është kushtuar rëndësi procedurës së fitimit të shtetësisë shqiptare, veprimeve që duhet të kryhen në zyrën e gjendjes civile, për sa i përket betimit të personave të cilëve efektivisht u është dekretuar, miratuar, fitimi i shtetësisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, ky është një detyrim i përcaktuar në ligjin nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i cili në nenin 23 të tij, parashikon shprehimisht se “Personi që fiton shtetësinë shqiptare me natyralizim betohet para nëpunësit të zyrës së regjistrimit të shtetasve për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Shtetësia shqiptare quhet efektivisht e fituar që nga dita e bërjes së betimit”. Në mënyrë eksplicite, siç parashikohet në dispozitën e sipërcituar shtetësia shqiptare, si një e drejtë, lidhje e qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar, quhet efektivisht e fituar në momentin e bërjes së betimit, procedurë e paaplikueshme deri më tani. Rregullat, procedurat për kryerjen e betimit dhe teksti i tij, do të përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile. 4

Neni 8, i projektligjit, saktëson veprimet që kryhen nga shërbimi i gjendjes civile në postet konsullore, siç janë mbajtja e akteve të martesave dhe përcjellja e tyre nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mënyrë që nga zyrat përkatëse ku shtetasit shqiptarë kanë vendbanimin e tyre në Shqipëri, të kryhen veprimet në Regjistrin Kombëtar, për ndryshimet në përbërësit respektivë të gjendjes civile. Shtetasit, të cilëve u kanë ndodhur fakte juridike siç mund të jenë ai i martesës, lindjes së fëmijëve të tyre, apo i vdekjes së pjesëtarëve të familjes, përcjellin dokumentacionin përkatës në postet konsullore. Më pas, postet konsullore dërgojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, këto akte, dhe kjo e fundit i adreson periodikisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Në ndryshim nga parashikimi në pikën 3, të nenit 27, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, i cili parashikon mbajtjen e akteve të lindjes, martesës dhe të vdekjes nga shërbimi diplomatik apo konsullor shqiptar, neni 8, i këtij projektligji, parashikon vetëm mbajtjen e akteve të martesës nga këto autoritete. Ky ndryshim është propozuar për arsyen se ligji i zbatueshëm për faktin juridik të lindjes dhe të vdekjes është ligji i vendit ku ka ndodhur ky fakt. Në të njëjtën mënyrë në shërbimin shqiptar të gjendjes civile deklarohen faktet juridike të lindjes dhe të vdekjes që shtetasve të huaj, u kanë ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në praktikë, veprimtaria e nëpunësve konsullorë në lidhje me aktet e gjendjes civile, konsiston vetëm në mbajtjen e aktit të martesës.

Miratimi i këtij ndryshimi duhet të shoqërohet me shfuqizimin e parashikimit ligjor, në nenin 11, të ligjit nr.8372, datë 9.7.1998, “Për ushtrimin e funksioneve konsullore nga përfaqësitë diplomatike ose konsullore”, në lidhje me kompetencën e kryerjes së akteve të gjendjes civile, regjistrimin e lindjes, martesave dhe vdekjeve të shtetasve shqiptarë, nga ana e posteve konsullore (drejtuesi i tyre). Në këtë mënyrë postet konsullore do të kenë kompetencë vetëm në lidhje me mbajtjen e aktit të martesës, duke qenë në harmoni të plotë (jo në kundërshtim) me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, që është dhe ligji bazë që rregullon veprimtarinë e shërbimit të gjendjes civile. Në çdo rast Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes Civile verifikon ligjshmërinë e tyre, për sa i përket zbatimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, përpara se akti të përcillet për zbatim në zyrën përkatëse të gjendjes civile, për kryerjen e veprimeve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010, për të pasqyruar, ndryshimet në përbërësit e gjendjes civile të shtetasve. Afati i mëparshëm për përcjelljen e këtyre akteve nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, data 20 janar e çdo viti, është hequr. Është propozuar që 5 aktet të dërgohen periodikisht, në mënyrë që të eliminohen pengesat administrative për shtetas që kërkojnë të pajisen me dokumentacion sipas përbërësve të ndryshuar.

Në nenin 9, të projektligjit, është parashikuar shtimi i një paragrafi në nenin 32, të ligjit, në lidhje me formën e dokumentacionit që pranohet nga shërbimi i gjendjes civile, i cili pranon vetëm akte ose dokumente origjinale, duke konfirmuar rëndësinë e këtij shërbimi, si shërbimi bazë shtetëror, i cili është i organizuar dhe funksionon edhe si zyrë e arkivës së gjendjes civile pranë Prefektit të Qarkut. Përmbushja e këtij funksioni nga shërbimi i gjendjes civile konsiston në faktin që nga kjo arkivë lëshohet kopje e njehsuar me origjinalin e dokumenteve të administruara nga këto zyra. Këto zyra administrojnë kopjet e vetme autentike të akteve të gjendjes civile, të lindjes, martesës, vdekjes të mbajtura nga shërbimi i gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë dhe ato të mbajtura jashtë vendit, për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 10, të projektligjit, është ndryshuar pika 1, e nenit 33 të ligjit, duke saktësuar kategoritë që regjistrohen në Regjistrin Kombëtar sipas përcaktimeve të ligjit nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, përkatësisht personat që kanë fituar statusin e refugjatit dhe statusin e mbrojtjes plotësuese. Gjithashtu, në këtë nen është shtuar paragrafi i dytë, i cili parashikon transkriptimin e të dhënave të akteve të gjendjes civile të shtetasve shqiptarë për fakte juridike të ndodhura jashtë vendit, pas verifikimit të përputhshmërisë dhe saktësisë së të dhënave, me ato të Regjistrit Kombëtar. Në çdo rast, sipas formulimit të pikës 1/1, që shtohet në nenin 33, është specifikuar kryerja e verifikimeve të nevojshme, për sa i përket përputhshmërisë së të dhënave në dokumentacionin e administruar në shërbimin e gjendjes civile. Punonjësi i gjendjes civile, të cilit i paraqitet për t’u zbatuar një akt i gjendjes civile i mbajtur jashtë vendit, duhet të kryejë verifikime të përputhshmërisë së të dhënave si dhe lidhur me mënyrën e zbatueshmërisë së tyre, në përputhje me legjislacionin tonë. Aktet janë të zbatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë përsa i përket formës së tyre, në bazë të parimit lex loci, ligji i vendit të krijimit të aktit.

Në nenin 11, të projektligjit, shfuqizohet pika 3, e nenit 41, të ligjit, lidhur me regjistrimin e lindjes së fëmijës të lindur nga prindër shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, regjistrim, i cili nuk deklarohet në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, por në zyrën e gjendjes civile të shërbimit të vendit të huaj ku ka ndodhur lindja, sipas parimeve të njohura ndërkombëtarisht (shih 6 shpjegimin e bërë për nenin 8, të këtij projektligji). Gjithashtu, është ndryshuar pika 5, e nenit 41, duke parashikuar që: “Fondi për shpërblimin për regjistrimin e lindjes brenda afatit, sipas përcaktimit të bërë në pikën 4, të këtij neni, përballohet nga buxheti i shtetit. Procedurat për përfitimin e shpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile.”

Në nenin 12, të projektligjit, është parashikuar ndryshimi i nenit 50 të ligjit, për sa i përket veprimeve që kryhen me aktin e martesës në Regjistrin Kombëtar. Këto veprime kanë të bëjnë me transkriptimin e të dhënave të akteve të martesës, të mbajtura për shtetasit shqiptarë në shërbimin e gjendjes civile të vendeve të huaja. Gjithashtu, në këtë nen është rregulluar mënyra e korrigjimit të të dhënave që përmban akti i martesës, në rastet kur shtetasi pretendon se i është cenuar një e drejtë. Në këtë rast, ai duhet t’i drejtohet gjykatës kompetente për të rivendosur të drejtën e cenuar.

Në njëjtën mënyrë, në nenet 13 e 14, të projektligjit, vijohet me saktësime të mëtejshme për sa i përket aktit të vdekjes, duke specifikuar një afat të ri për deklarimin e këtij fakti për raste të vdekjes aksidentale. Afati që përcakton dispozita është 10 ditë, nga lëshimi i lejes së vdekjes nga Prokuroria. Për vdekjet brenda vendit, afati për deklarimin e vdekjes në zyrën e gjendjes civile është 10 ditë, nga data e vdekjes, dhe 90 ditë, nga data e vdekjes për vdekjet jashtë vendit.

Neni 15, i projektligjit, parashikon mënyrën e mbajtjes së aktit të lindjes, i cili specifikon se pjesë e dokumentacionit të nevojshëm duhet të jetë dhe deklarata e personave që kanë të drejtë të vërtetojnë këtë fakt, për sa i përket emrit dhe mbiemrit që do t’i vendosin fëmijës, përbërës të gjendjes civile, të cilët vendosen në bazë të kriterit të përshtatshmërisë dhe dipozitave të Kodit të Familjes. Nisur nga nevoja të ndeshura në praktikë, për të shmangur gabime gjatë mbajtjes së aktit të lindjes, që mund të lindin si rezultat i moskuptimit të asaj ç’ka në të vërtetë deklaron shtetasi, për sa i përket emrit që do t’i vendosë fëmijës së tij, është menduar që pjesë e dokumentacionit që administron nëpunësi i gjendjes civile gjatë mbajtjes së aktit të lindjes të jetë dhe në formë të shkruar prej tij për emrin që do t’i vendosë fëmijës.

Në nenin 16, të projektligjit, është parashikuar që krahas dokumenteve bazë që lëshon shërbimi i gjendjes civile, ky shërbim të japë edhe informacion për të dhëna të dokumentuara, të administruara prej tij, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, kundrejt pagesës së përcaktuar me udhëzim të përbashkët të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe ministrit të Financave. Informacioni që mendohet të jepet kundrejt pagesës do të 7 jetë vetëm për subjekte private, që ushtrojnë veprimtari fitimprurëse. Këto subjekte janë të përcaktuar në nenin 3, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009 dhe në udhëzimin e përbashkët nr.95, datë 7.4.2014, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, “Për përcaktimin e institucioneve dhe të organeve që marrin të dhëna personale nga shërbimi i gjendjes civile, si dhe mënyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që duhet të marrin”.

Në nenin 17, të projektligjit, që ndryshon nenin 61, të ligjit, është përcaktuar organizimi i shërbimit të gjendjes civile, për të cilin është propozuar që të emërtohet Shërbimi Shtetëror i Gjendjes Civile, duke pasur si organ më të lartë Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, si dhe ndryshimi i emërtimit të shërbimit të arkivës në zyrat e gjendjes civile pranë Prefektit të Qarkut e shërbimi i gjendjes civile në njësi administrative, i cili zëvendëson emërtimin e mëparshëm “komuna dhe njësi bashkiake”, në përputhje me ligjin për ndarjen administrativo- territoriale. Gjithashtu, në pikat 2 e 3, të nenit 61, (të propozuara për t’u shtuar në këtë nen të projektligjit), është parashikuar që ky shërbim të ofrohet edhe në institucione të tjera, në mënyrë të kufizuar, dhe në forma të tjera, në përputhje me zhvillimet e teknologjisë inovative, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Kjo nevojë diktohet nga legjislacioni për ofrimin e shërbimeve publike. Gjithësesi, ofrimi i shërbimit të gjendjes civile, dhe në këtë rast, do të jetë përgjegjësi e Shërbimit Shtetëror të Gjendjes Civile, sipas organizimit të përcaktuar në nenin 61, të ligjit, dhe institucionet do ta ofrojnë atë në mënyrë të kufizuar, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në përputhje me zhvillimet e inovacionit është parashikuar që ky shërbim të mund të ofrohet për një pjesë të shërbimeve dhe nga organe të tjera shtetërore, në përputhje me iniciativat e programeve qeverisëse, siç mund të jenë qendra gjithëpërfshirëse të ofrimit të shërbimeve publike. Në këtë nen janë parashikuar dhe aktet nënligjore përkatëse, që do të nxirren me qëllim përcaktimin e rregullave të ofrimit të këtyre shërbimeve dhe të institucioneve që do t’i ofrojnë ato. Në nenin 18, të projektligjit, është parashikuar emërimi dhe lirimi i nëpunësit të gjendjes civile në zyrat e arkivës pranë Prefektit të Qarkut.

Në nenin 19, të projektligjit është parashikuar ndryshimi në shkronjën “b” të nenit 67, të ligjit, në lidhje me përshtatjen e terminologjisë së përdorur në përputhje me ligjin nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të 8 njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, duke zëvendësuar fjalët “shkallë rrethi”, me fjalët “nivel qendër qarku”.

Neni 20, i projektligjit, nëpërmjet të cilit propozohet shtimi i nenit 69/1, parashikon një risi në lidhje me lëshimin e dokumentacionit nga Regjistri Kombëtar, jo vetëm nga zyrat e gjendjes civile, në njësi administrative ku realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhja e shtetasit me vendbanimin e tij, por edhe nga ato të bashkisë, në juridiksionin e së cilës janë këto njësi administrative. Gjithashtu, në pikën 2, të këtij neni, është përcaktuar se, në rastin e ofrimit të shërbimit, sipas parashikimit të bërë në pikat 2 dhe 3, të nenit 61, të këtij ligji (neni 17 i projektligjit), dokumenti “certifikatë” lëshohet sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar, me nënshkrimin dhe/ose vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Në nenin 21, të projektligjit, i cili ndryshon nenin 73, të ligjit, është shtuar edhe dhënia e informacionit shkresor nga shërbimi i gjendjes civile, për të dhëna mbi bazën e dokumentacionit që ato administrojnë, për të cilat është parashikuar që të kryhen kundrejt tarifave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile dhe të ministrit të Financave. Subjektet, të cilët e përfitojnë këtë shërbim kundrejt pagesës, janë subjektet private, duke përfshirë edhe profesionet e lira, si avokat, noter, etj. Kjo, për arsyen se kjo veprimtari kërkon një angazhim të konsiderueshëm të nëpunësit të shërbimit të gjendjes civile në ballafaqimin dhe konsultimin e të dhënave në dokumentacionin që administron. Taksa e pullës, që aplikohet për lëshimin e dokumentit “certifikatë” dhe të akteve të gjendjes civile, parashikohet nga legjislacioni në fuqi për taksat kombëtare. Ndërsa tarifa e parashikuar në nenin 73, të ligjit për gjendjen civile, së bashku me ndryshimin e propozuar në këtë nen, aplikohet për lëshimin e dokumentacioneve të ndryshme shkresore. Të ardhurat e siguruara nga tarifat, sipas këtij neni, derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me parimet buxhetore dhe legjislacionin aktual në fuqi.

Në nenin 22, të projektligjit, është ndryshuar masa e gjobës për shkeljen ose mosrespektimin e dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, të ligjit që lidhet me deklarimin e regjistrimit fillestar të vendbanimit dhe të ndryshimit të tij, nga 3 000 lekë në 10 000 lekë, pasi në dispozitën kalimtare të këtij projektligji është parashikuar pezullimi i kësaj gjobe për një periudhë 6-mujore, nga hyrja në fuqi e këtij projektligji.

Në nenin 23, të projektligjit, janë përcaktuar emërtimet që do të zëvendësohen në ligj, në përputhje me ligjin për ndarjen administrativo-territoriale, të 9 organizimit të ri të shërbimit të gjendjes civile dhe të emërtimit si zyrë arkive të zyrës së gjendjes civile pranë Prefektit të Qarkut.

Në nenin 24, të projektligjit, është parashikuar si dispozitë kalimtare pezullimi i masës së gjobës së parashikuar për shkeljen ose mosrespektimin e dispozitës së përcaktuar në nenin 22, të projektligjit (shkronjën “ç”, e pikës 1, të nenit 74, të këtij ligji), për një afat 6-mujor, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, si masë lehtësuese ndaj shtetasve, subjekte të këtij ligji, të cilëve u lihet një afat 6-mujor për të përmbushur detyrimin ligjor të deklarimit të vendbanimit dhe ndryshimit të tij, në kushtet kur masa e gjobës është rritur nga 3 000 në 10 000 lekë.

Në nenin 25, të projektligjit janë përcaktuar aktet nënligjore që do të nxirren në zbatim të këtij projektligji dhe afati i nxjerrjes së tyre.

Dokumentat e bashkëngjitura
Recent documents