Adresimi i Anti-Trafikimit me anë të Teknologjisë Celulare

Në kuadër të përpjekjeve të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e shpallur si një nga prioritetet e qeverisë aktuale, si dhe për të nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka nisur aplikimin një projekt pilot për denoncimin e shpejtë dhe në kohë të rasteve të trafikimit.

Ministria e Punëve të Brendshme  mbështetur nga Programi World Vision Albania dhe Fondacioni Vodafone Albania, organizuan një trajnim për 80 përdoruesit e fazës pilot të projektit “Adresimi i Trafikimit të Qenieve Njerëzore me anë të Zgjidhjeve të Teknologjisë Celulare” për aplikimin për smart phone “Raporto! Shpëto!”.

Përmes telefonisë celulare, publiku i gjerë, përfshirë këtu edhe viktimat e trafikimit, do të mund të denoncojnë rastet përmes një lidhjeje direkte me autoritetet përkatëse. Në këtë mënyrë ndërhyrja në ndihmë të viktimave të trafikut pritet të jetë më e shpejtë.

Ky aplikim lejon mundësinë e telefonimit pranë linjës së gjelbër ekzistuese, si edhe dërgimit të rastit nëpërmjet sms. Gjithashtu, ky aplikim jep informacione të përgjithshme mbi fenomenin e trafikimit, legjislacionin në fuqi, si edhe një listë të gjerë shërbimesh për të gjitha kategoritë në nevojë.

“Ky aplikacion është një ide inovatore e vënies së teknologjisë në funksion të identifikimit, referimit dhe asistimit të shpejtë të viktimave të trafikimit. Është i thjeshtë për t’u përdorur dhe kemi pritshmëri të larta nga kjo fazë pilotimi”, u shpreh Zonja Elona Gjebrea, Zëvendësministre e Punëve të Brendshme, njëkohësisht Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave.