» Berlin, Gjermani – Lleshaj dhe Gjonaj të ftuar në Konferencën Ndërkombëtare “On Forencics”, Forencic and Integrity Services
Postuar më: 07/06/2019

Berlin, Gjermani – Lleshaj dhe Gjonaj të ftuar në Konferencën Ndërkombëtare “On Forencics”, Forencic and Integrity Services

Berlin, Gjermani – Lleshaj dhe Gjonaj të ftuarit kryesorë në Konferencën Ndërkombëtare “On Forencics”, Forencic and Integrity Services

Në ditën e fundit të vizitës së punës në Berlin, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj morën pjesë si të ftuar në konferencën “On Forensics”, Forensic and Integrity Services.

Ministri Lleshaj ofroi tek të pranishmit ndërkombëtarë një retrospektive të historisë së Shqipërisë, duke u shpjeguar se e ardhmja europiane e vendit ka qenë gjithmonë pjesë e kulturës, sjelljes dhe aspiratës së shqiptarëve, dhe se Shqipëria tashmë është shumë pranë portës europiane.

“Është mirë të kesh ura, por jo aq mirë të jesh në vetvete urë. E shpesh Shqipëria ka luajtur këtë funksion pa përfituar asgjë”, tha z. Lleshaj.

Ministri i Brendshëm prezantoi sfidat e vendit në luftën kundër krimit, duke nënvizuar faktin se krimi ekonomik-financiar dhe pastrimi i parave mbeten objektivi kryesor i zhvillimit të hetimeve në Policinë e Shtetit. Ekspertë financiarë që dinë të lexojnë shifrat e transaksionet dhe të analizojnë zgjuarsisht lëvizjet financiare, të kamufluara ose jo, janë sot çfarë Policia e Shtetit po trajnon dhe rekruton, me qëllim luftën ndaj rezultateteve fundore të aktivitetit kriminal dhe aseteve të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.

Ministrja e Drejtësisë njohu pjesëmarrësit me rezultatet dhe ecurinë e reformave që Shqipëria ka ndërmarrë. Ajo informoi se modeli i implementuar i Reformës në Drejtësi është unik, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në BE, sepse sistemi do të garantojë paanshmërinë dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë duke ngritur nga fillimi një sistem të ri, me mbështetjen e pakursyer në këtë rrugëtim të BE dhe SHBA, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe punën që ekspertët e tyre dhe ekspertët vendas realizuan.

Ministrja Gjonaj tha se organet e reja të drejtësisë kanë filluar funksionimin, e së shpejti pritet të plotësohen vakancat në sistemin gjyqësor, e të ngrihen institucionet e reja duke veçuar rëndësinë që do të ketë Prokuroria Speciale, SPAK, që do të hetojë dhe nxjerrë para drejtësisë këdo, përfshirë edhe zyrtarët e lartë të përfshirë në afera korruptive.

Znj. Gjonaj njohu audiencën edhe me rezultatet e arritura nga Qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Në rolin e saj, si Ministër i Drejtësisë dhe Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, bëri me dije se janë ngritur mekanizma efektivë për luftimin e korrupsionit në vend nëpërmjet hetimeve administrative në të gjitha institucionet publike që ofrojnë shërbime për qytetarët.

Rezultatet e arritura nga Task Forca Antikorrupsion, vlerësuar edhe në Progres Raport për herë të parë këtë vit, tregojnë punën e bërë nga Qeveria shqiptare.

‘’Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se Qeveria shqiptare nuk ka realizuar vetëm disa detyra shtëpie të caktuara nga Komisioni Europian, por ka detyrimin e madh kundrejt qytetarëve shqiptarë t’i shërbejë interesit më të lartë të tyre për reforminin e sistemit dhe ofrimin e shërbimeve duke u dhënë atyre mundësinë gjithashtu për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane. Theksohet fakti se sipas sondazheve populli shqiptar është rankuar ndër vendet më pro futjes në Bashkimin Europian”, nënvizoi ministrja.

Znj. Gjonaj deklaroi se rezultatet e punës së arritur deri tani janë shpresa e shqiptarëve për t’iu bashkuar familjes europiane, shpresa se një ditë fëmijët e tyre do të kenë mundësinë të studiojnë në Europë dhe në fund të kthehen për të kontribuar në zhvillimin e vendit.