» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 88
Postuar më: 03/06/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 88

Raporti Javor Nr. 88

“27 Maj – 2 Qershor 2019”

Raporti i progresit KE, Lleshaj: Shqiptarët sot më shumë besim tek e ardhmja europiane

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj komentoi gjatë seancës plenare Raportin e Komisionit Europian mbi progresin e arritur nga Shqipëria për integrimin e vendit në BE. Ministri Lleshaj është ndaluar në vlerësimet e Raporti për çështjet e sigurisë, si një nga pesë prioritetet kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai shprehu kënaqësinë për vlerësimin pozitiv që i është bërë punës së Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri theksoi tendencën pozitive të treguesve të sigurisë në  vend, duke e konsideruar si periudhën më të mirë sa i përket statistikave. “Këto hapa përfaqësojnë një progres të prekshëm në zbatimin e rekomandimeve të viteve të shkuara  për përmirësimin e regjistrit të arritjeve. Pak a shumë ky ishte citimi nga raporti i BE dhe doja të thosha se të gjitha këto vlerësime ose të gjitha këto gjetje të Raportit, shënojnë një vlerësim tjetër dhe një hap përpara në këtë fushë të rëndësishme, pra fushën e sigurisë, e cila konsiderohet si një ndër pesë prioritet kyçe në fushën e integrimit në BE të Shqipërisë”, u shpreh ministri. Më tej ai është ndalur në arritjet e Policisë së Shtetit, pavarësisht situatës jonormale të krijuar nga protestat e opozitës. “Treguesit kryesor, që karakterizojnë sigurisë publike në vend, ka vijuar tendencën pozitive të viteve të fundit duke konfirmuar në mënyrë të pakontestueshme se realisht vendi është në ditët e tij më të mira për sa i përket kësaj fushe jetike, pra sigurisë. Mjafton t’ju përmend vetëm disa tregues kyç: numri i vrasjeve  në 2018 ishte 51 , ndërkohë që ishte 126 jo shumë larg, por në vitin 2012, pra është më poshtë se gjysma. Për periudhën janar-maj 2019 kjo shifër është në nivele të krahasueshme me tendencën pozitive”, tha ai. Më tej ai ka garantuar se Policia e Shtetit do të përmbushë plotësisht standardet për të garantuar një proces dhe atmosferë të qetë e të sigurt zgjedhore.

Ministri takim me një grup studentësh të Universitetit “Aleksandër Moisiu”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me një grup studentësh të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Fakulteti i Drejtësisë, të cilët ishin të interesuar të mësonin mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Ministrisë së Brendshme. Ministri Lleshaj i ka njohur të rinjtë me strukturën e Ministrisë dhe është shprehur i gatshëm të zhvillojë një bashkëbisedim me ta, rreth shtyllave të punës së Ministrisë që janë: Siguria publike, Pushteti vendor dhe prokurimi i përqendruar publik. Më tej ai sqaroi të rinjtë rreth temave të sigurisë publike, nivelit të kriminalitetit në vend, nevojës së forcimit të bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Shtetit, që duhet konceptuar si partneritet me interes të përbashkët. I pyetur nga studentët rreth eksperiencës së tij personale dhe sfidave të postit të Ministrit të Brendshëm, Lleshaj u shpreh se: “kam qenë gjithë jetën ushtarak nuk kam aspiruar kurrë të jem në politikë, se kam  dashur këtë post, por kjo më jep favorin të jem më objektiv. Ky post të merr më shumë sesa të jep, kritika publike e madhe. Vijnë momente në jetë që merr një post pa u menduar, por punë e vështirë suksesi  nuk shihet, dështimi më tepër”, tha ai. Në përfundim Ministri u ka kërkuar të rinjve të shohin si një mundësi punësimi Policinë e Shtetit dhe ka shpjeguar nismën më të fundit për hapjen e Akademisë së Policisë ndaj studentëve ekselentë. “Qëllimi primar mbetet dhënia e drejtësisë, por kjo arrihet përmes bashkëpunimit të të gjithëve edhe publikut, ju si pjesë e publikut duhet të bëheni pjesë e strukturave të policisë me mendimet që jepni, raportimi i elementëve kriminal, pse jo edhe punësimi juaj në Policinë e Shtetit. Ministria ka aplikuar sivjet për herë të parë një kurs në Akademinë e Sigurisë, kurs 6 muroj që siguria të jetë në dorë të profesionistëve”, ka thënë ai.

Intervista në “ABC NEWS”: Në 2019 janë goditur 11 grupe kriminale me 106 anëtarë të dyshuar

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjatë një interviste televizive në “ABC NEWS” deklaroi se puna e Policisë së Shtetit aktualisht merr notat maksimale dhe kjo është vlerësuar dhe në progres-raportin e Komisionit Evropian. “Krimi i organizuar është goditur dhe është luftuar intensivisht. Raport progresi thotë se lufta ndaj krimit të organizuar ka një progres shumë të mirë. Janë 1887 të arrestuar për krime të rënda në 5 muaj. Bilanci është pozitiv”, u shpreh ministri Lleshaj. Më tej ai u ndal në shifrat konkrete duke theksuar se: “Lufta kundër krimit të organizuar është në një fazë tepër intensive. Në 2019 janë goditur 11 grupe kriminale me 106 anëtarë të dyshuar, të arrestuar nga Policia e Shtetit”. I pyetur për Vettingun në Policinë e Shtetit, Lleshaj u shpreh se ky është një proces i nevojshëm, ashtu si dhe Reforma në Drejtësi. “Kam besim se policia do të dëshmojë një gjendje tjetër nga ajo që është dëshmuar nga gjyqësori. Por gjithsesi ne jemi të hapur për çfarëdo rezultati, i rëndësishëm është procesi”, tha ai.  Ndërkohë për akuzat e fundit të ish-deputetëve të PD, të cilët u përplasën me drejtues të Policisë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë  mbrëmjen e 16 Shkurtit, ministri u shpreh se: “Akti i 6 ish-deputetëve në Policinë e Tiranës, akt i paprecedentë dhune që ushtrohet nga jo vetëm deputetë, por edhe ish-ministra që kanë paturpësinë të prekin punonjësit e Policisë, të cilët i kanë patur vartës. Policia ka detyrë të mbrojë institucionin”.

Starton procesi i Vettingut, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit nis punën me 45 dosjet e para 

Nis nga zbatimi Vettingu i punonjësve të Policisë së Shtetit, ShÇBA dhe Gradës së Republikës. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, ka përzgjedhur 45 emrat e parë që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut. Subjektet e vlerësimit janë 31 punonjës, mes të cilëve drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, 12 punonjës të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe 2 punonjës të Gardën e Republikës. Dosjet e vetë-deklarimit janë tërhequr nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe ka nisur puna në fazën e parë, ajo e shqyrtimit të deklaratave, kërkimit të informacioneve dhe verifikimeve përkatëse. Sipas parashikimeve ligjore, pas procesit të hetimit administrativ, do të mbahet për çdo subjekt seancë e hapur dëgjimore.

Hapen zyrat e reja të aplikimit për karta e pasaportat biometrike në Njësinë 11, Tiranë

Banorët e Laprakës, Doganës dhe Kodër-Kamzës në Njësinë 11 në kryeqytet tashmë mund të aplikojnë për karta identiteti dhe pasaporta në zyra më të mira, pa radhë. Zyra e re e sapo hapur do t’u shërben rreth 65 mijë banorëve të zonës. Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj dhe Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Koncesionare, Jean Alain Jouan, inspektuan mjediset e zyrave të reja në Rr. “Gjergj Legisi” në Laprakë. Ata vlerësuan faktin se të gjithë qytetarët e Tiranës, në të gjitha njësitë, kanë mundësi që në pak minuta të aplikojnë për të marrë mjetet e reja të identifikimit dhe ftuan të gjithë banorët e njësisë të mos e neglizhojnë, por të përfitojnë nga mundësia që iu ofrohet për të aplikuar dhe marrë mjetin e tyre të identifikimit, në mënyrë që të aksesojnë të gjitha shërbimet që iu ofrohen nga institucionet shtetërore.

Mblidhet Task Forca për mbarëvajtjen e sezonit, rritje e sigurisë dhe cilësisë së shërbimit në Pikat e Kalimit Kufitar

U mblodh Task Forca Qendrore për përgatitjet e fundit për garantimin e një sezoni turistik sa më cilësor dhe të sigurt. Në takim morri pjesë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Ministri i Turizmit  dhe Mjedisit, Blendi Klosi, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato, operatorë nga Kosova dhe Shqipëria, etj. Në fokus të takimit ishte rritja dhe zgjerimi i bashkëpunimit për zgjidhjen e problematikave që mund të pengojnë mbarëvajtjen e fluksit të turistëve. Ministri Lleshaj ka siguruar në takim se ka kërkuar rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe vendosjen e korsive të posaçme në kufi për kalimin e autobusëve me turistë, për eliminimin radhëve të gjata.

Zv.ministrja Voda takime me Task-Forcat Vendore në Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda ka zhvilluar mbledhjes e Task Forcave Vendore Antikanabis të Qarqeve Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër, ku morën pjesë Prefektët e qarqeve,  drejtues të organeve ligjzbatuese dhe Policive vendore, si dhe krerët e Njësive Administrative të këtyre qarqeve. Zëvendësministrja Voda ka vlerësuar punën e bërë deri më tani në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Si drejtuese e Task Forcës Qendrore ajo ka kërkuar forcim të bashkëpunimit mes të gjitha strukturave shtetërore në rang vendor dhe rang qarku, deri në zerimin e këtij fenomeni në të gjithë Shqipërinë. Ajo ka theksuar se pavarësisht rezultateve pozitive të deritanishme, lufta ndaj këtij fenomeni nuk mbaron kurrë.

Shqipëri-Kosovë, memorandum bashkëpunimi për shërbime të përbashkëta të policisë rrugore

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe homologu i tij kosovar, Rashit Qalaj, kanë firmosur një Memorandum bashkëpunimi për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, në territorin e Republikës së Shqipërisë për sezonin turistik veror 2019. “Tashmë kjo është kthyer në traditë ku patrullat e Policisë së Kosovës, për çdo vit në periudhën e verës patrullojnë gjithë akset rrugore të Shqipërisë duke krijuar siguri dhe lehtësitë e nevojshme për të gjithë pushuesit kosovar të cilët këtë vit që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri. Këtë vit ndryshe nga vitet e tjera së bashku me Drejtorin ramë dakord që veç menaxhimit dhe cilësisë së shërbimit që duhet të ofrojmë për të gjithë shtetasit dhe pushuesit kosovar në vendkalimin e Morinës do të shtojmë dhe patrullat e policisë të cilat do të vijojnë të patrullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë” u shpreh Veliu pas nënshkrimit të memorandumit.

Tiranë, arrestohet autori i dyshuar të vrasjes së ish-policit

Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së ish-efektivit të policisë Arben Bilali. Uniformat blu pas një pune të mirë organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, kanë bërë zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur në datën 30.01.2019, ku në rrugën “Isuf Banka”, në Tiranë, mbeti i vrarë 50-vjeçari Bilali. Bazuar mbi provat e grumbulluara Policia e Tiranës organizoi operacionin duke e finalizuar me vënien në pranga të autorit të dyshuar, cili njihet si person me precedentë të mëparshëm penalë.