» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 87
Postuar më: 27/05/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 87

Raporti Javor Nr. 87

“20 – 26 Maj 2019”

Nis operacioni i parë i përbashkët me FRONTEX, i pari në Ballkanin Perëndimor

Në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, u lançua nisja e operacionit të parë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, ku 50 forca të FRONTEX (Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Europian) do të patrullojnë në kufirin shqiptar, së bashku me Policinë e Shtetit shqiptar.  “Nisja e zbatimit të këtij projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë vendin e parë të Ballkanit, që do të patrullojë kufijtë e jashtëm përbën një arsye për të qenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishmen është që të kemi sukses edhe në funksion të zgjerimit të mëtejshëm”, tha Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi se operacioni ka si objektiv primar rritjen e sigurisë së kufijve tanë, por ai kontribuon në të njëjtën mënyrë edhe në zgjerimin e lirisë së lëvizjes së ligjshme përmes tyre. “Çdo investim për më shumë siguri duhet të prodhojë edhe më shumë liri dhe liria e lëvizjes mbetet një ndër arritjet më të mëdha, e cila duhet mirëmbajtur me përkushtim të përditshëm, si ky që po fillojmë sot. Angazhimi në fazën e parë të operacionit, i një numri të konsiderueshëm të personelit dhe të teknikës speciale, nga 11 vende anëtare të BE, shpreh rëndësinë e madhe që i kushtohet atij”, u shpreh Lleshaj.  Komisioneri për Migracionin Dimitris Avramopoulos u shpreh se misioni i FRONTEX në Shqipëri, është një etapë e re e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së. “E dimë që sot jemi këtu për të celebruar një ngjarje të rëndësishme një etapë të re për Shqipërinë e BE. 6 muaj më parë në Tiranë nënshkrova marrëveshjen këtë marrëveshje statusore me këtë komb të madh për menaxhimin e kufirit. Kjo marrëveshja është e para dhe e vetmja e këtij lloji, desha ta theksoj është operacioni i parë në botë, me një vend jo shtet anëtar të BE. Kjo jo vetëm shënon një fazë të re mes BE e Ballkanit, por është edhe një hap më tej drejt operacionalizimit të Agjencisë. Mënyra e vetme është të punojmë ngushtësisht së bashku si fqinj e partner. Shqipëria është pjesë e familjes europiane, sfidat i kemi të përbashkëta, ato nuk njohin kufij“, nënvizoi Avramopoulos.  Drejtori i FRONTEX, Fabrice Leggeri pohoi se ky bashkëpunim, thekson partneritetin e shkëlqyer me Shqipërinë dhe hap rrugën për një bashkëpunim më të ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë. (E PLOTË)

50 forca të frontex në kufirin shqiptar, nisin patrullimet e përbashkëta në kufirin me Greqinë

Nis zbatimi në terren i marrëveshjes së FRONTEX, për patrullimin e përbashkët të kufirit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.  50 oficerë janë vendosur në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, konkretisht në Kapshticë dhe në Kakavijë. Prej disa ditësh patrullat e përbashkëta kanë nisur punën për inspektimin e brezit të gjelbër me Greqinë. Detyra e tyre do të jetë e përqendruar kryesisht tek emigrantët që kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin jeshil pra që vijnë nga vendi fqinj njëkohësisht do të kryen edhe kontrolle në automjete në pasagjerë për të shmangur çdo aktivitet të paligjshëm. Kjo do të jetë hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së. Fal këtij projekti do të mund të forcohen kapacitetet e kontrollit të kufirit, të frenohen flukset migratore dhe trafiqet e mundshme, si dhe do të përftohet mbështetje teknike dhe materiale.

Ministri Lleshaj i ftuar në emisionin “Java” në RTSH

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte i ftuar në emisionin “Java në RTSH”, përballë analistëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli. Ai dha detaje nga puna e policisë si dhe bëri publik qëndrimin politik në lidhje me protestat e vazhdueshme. “Çështja e vetme që jam marrë si ministër gjatë këtyre protestave është strategjia 1,1,0 që do të thotë reago një çast më mbrapa atij që ke përballë, reago një nivel më poshtë në nivel të dhunës nga ai që ke përballë dhe zero viktima. E kam formuluar kështu për t’u mbajtur mend më thjesht. Është e vetmja shkresë ose ndër të vetmet shkresa që i kam dërguar policisë. Është një udhëzim i ministrit të Brendshëm”, theksoi ministri. Ai u shpreh se aktet e dhunës në protestat e opozitës janë të organizuara dhe se nën hetim ndodhen qindra persona. Në këto protesta, janë shënuar së paku 37 efektivë të policisë të lënduar.  “Sikur unë të kisha patur kompetenca operacionale mbi policinë, unë nuk do të kisha lënë njerëz në godinat kushtetuese të Shqipërisë. Godinat duhet t’i mbrojë kushtetuta dhe ligji. Kjo që po ndodh është e paprecedentë pasi në asnjë vend të botës nuk tenton njeri të hyjë në institucionet e shtetit”, tha ministri Lleshaj. Ministri u kërkoi falje qytetarëve që nuk kanë qenë pjesë e protestës dhe që janë të prekur nga gazi lotsjellës. Por sipas tij, kjo ka ndodhur pasi opozita e ka zhvendosur protestën e dhunshme në vende ku nuk ka njoftuar më parë. Kështu, ai mori se shembull zhvendosjen e protestave nga Kryeministria në drejtim të Kuvendit, Drejtorisë së Policisë etj. “U kërkoj ndjesë në emër të Policisë së Shtetit, por edhe drejtuesve të protestës që e kanë spostuar protestën atje ku ligji nuk e lejon”, tha ministri. (VIDEO)

Konferencë për sigurinë rrugore, Hodaj: Të influencojmë në përmirësimin e kulturës së përdorimit të rrugës

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Akademia e Sigurisë – Qendra për Kërkime Shkencore, organizuan Konferencën e IV ndërkombëtare “Siguria Rrugore dhe përdoruesit e rrugës”. Në konferencë morën pjesë Zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, Zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, Drejtuesit e Sektorëve të Policisë Rrugore në Shqipëri, drejtues të kompanive të sigurimit, drejtues të TAP-it, të kompanisë SHELL, etj. Zëvendësministri Hodaj ka theksuar se përmirësimi i sigurisë rrugore, si pjesë e sigurisë publike është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme gjatë këtij mandati qeverisës. “Ndër objektivat kryesor të këtij prioriteti është edhe të influencojmë në përmirësimin e kulturës në mënyrën e drejtimit të automjeteve në rrugë duke rritur ndërgjegjësimin e përdoruesve. Investimet në sigurinë rrugore përkthehen direkt në përfitime konkrete për bilancet e tyre”, u shpreh Hodaj. Më tej ai ka theksuar se një punonjës i Policisë Rrugore duhet të jetë një figurë model dhe me integritet të lartë moral dhe profesional, pasi është fytyra e Policisë së Shtetit. Gjatë sesioneve të konferencës u diskutua mbi Sigurinë Rrugore, hetimi, legjislacioni shqiptar dhe veprimtaria policore për sigurinë dhe aksidentet rrugore, analiza teknike e infrastukturës rrugore dhe mjeteve rrugore në Shqipëri, kultura e sjelljes së përdorueseve të rrugës dhe roli i edukimit qytetar. Në konferencë ishin të pranishëm edhe Drejtori i Akademisë së Kosovës, Drejtori i Policisë Rrugore të Kosovës, drejtuesi i OBSH-së me qendër në Danimarkë dhe studiues të shumtë të pavarur. (VIDEO)

Publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve, për procesin zgjedhor të 30 Qershorit

Ministria e Brendshme ka publikuar Listën Përfundimtare të Zgjedhësve për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019. Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra. Lista Përfundimtare e Zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2017. Në listën e përditësuar janë hequr dublikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘dekriminalizimit’. Ministria e Brendshme thekson se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi. Në vijim të komunikimeve për listën e zgjedhësve, nënvizojmë se ky proces ka nisur në zbatim të dekretit të Presidentit nr.10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Më pas u hartua dhe miratua Udhëzimi nr.295/1, i datës 06.11.2018 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për Zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”. Lista përfundimtare e zgjedhësve u publikua, më datë 21 maj 2019, duke përmbyllur procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së zgjedhësve. DPGJC, ashtu sikurse deri më tani, do të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor që rrjedh në bazë të Kodit Zgjedhor, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.

Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko prezanton Prefektët e rinj të Qarkut Berat dhe Lezhë

Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko ka prezantuar sot Prefektët e rinj të Qarkut Berat dhe Qarkut Lezhë. Në takimin e organizuar në Prefekturën e Beratit, ku morën pjesë deputeti Fadil Nasufi, kryetarë bashkie dhe drejtues të njësive administrative të qarkut, zëvendësministrja Kuko i ka uruar suksese në detyrën që i është besuar Prefektes Valbona Zylyftari, e bindur se do të jetë  në lartësinë e detyrës së besuar. Ish-Prefekti i Qarkut, Harrilla Dafa ka falënderuar të pranishmit për bashkëpunimin gjatë ushtrimit të detyrës dhe i ka uruar suksese pasardhëses në detyrë. Ndërkohë në Lezhë, Zëvendësministrja Kuko ka prezantuar Prefektin e ri, Gjok Jaku, në një takim ku ishin të pranishëm edhe deputetja Ardiana Jaku, ish-Prefekti Gjergj Prendi, si dhe drejtues vendor lokalë. Kuko ka shprehur vlerësime për kontributin e ish-Prefektit Gjergj Prendi dhe i ka uruar suksese Prefektit të ri në detyrën e caktuar.

15 kandidatë për magjistratë, vizitë studimore në Policinë e Shtetit

Një grup prej 15 kandidatësh për magjistratë, kanë zhvilluar një vizitë studimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim njohjen me mënyrën e funksionimit dhe objektivave të punës së kësaj organizate. Kandidatët për magjistratë janë pritur nga Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Idajet Faskaj, Drejtori i Rendit Publik Albert Dervishaj dhe Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, Lutfi Minxhozi, të cilët kanë prezantuar punën dhe mënyrën e funksionimit të drejtimeve që mbulojnë. Në përgjigje të interesimit të studentëve të Magjistraturës, drejtuesit e lartë në Policinë e Shtetit i kanë njohur këta të fundit me prioritetet e Organizatës, ku është theksuar bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me të cilat janë kryer edhe hetime paralele dhe operacione të përbashkëta si brenda dhe jashtë vendit.  Kjo vizitë studimore synon në rritjen e aftësive praktike të kandidatëve për Magjistratë, si gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm.

Aksionet e Rrugoreve të Tiranës: 18 drejtues mjetesh të arrestuar në kushtet e flagrancës

Efektivët e Policisë Rrugore Tiranë, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe pasojave fatale që vijnë si pasojë e tyre, duke vlerësuar në tërësi shkaqet e ngjarjeve rrugore të ndodhura më herët, përgjatë gjithë javës, kanë organizuar patrullime policore me përzgjedhje, kryesisht për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, me shpejtësi mbi normat e lejuara, mosrregullimi i shpejtësisë veçanërisht në qendrat e banuara, etj. Nga verifikimet dhe kontrollet policore, në funksion të parandalimit, janë evidentuar dhe proceduar: 18 drejtues mjetesh të arrestuar në kushtet e flagrancës, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nga të cilet 14 në gjendje të dehur dhe 4 të papajisur me leje drejtimi. Ndërkaq janë pezulluar 70 leje drejtimi, nga të cilat 32 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 20 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 18 për shkelje të tjera të ndryshme; janë  proceduar administrativisht 13 drejtues mjetesh për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara dhe gara me shpejtësi. Në zbatim të Planit Operacional për Kontrollin e mjeteve me targa të huaja (Angleze) janë shoqëruar për verifikime të mëtejshme nga strukturat e tjera të policisë 14 automjete, nga të cilat 12 prej tyre janë proceduar administrativisht për mangësi në dokumentacion dhe tejkalim të afatit të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë; janë ndaluar administrativisht 82 mjete për detyrime administrative të pashlyera, si dhe janë vendosur 2900 masa të tjera administrative, per shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Fier – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Shënjestra”

Në vijim të goditjeve të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u finalizua me sukses operacioni policor antidrogë i koduar “Shënjestra”. Gjatë operacionit u godit një grup i cili ushtronte aktivitetin kriminal të përpunimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike Heroinë dhe Kokainë në qytetin e Fierit dhe në qytete të tjera. Si rezultat i operacionit, në disa banesa u gjet dhe u sekuestrua rreth 1,4 kg lëndë narkotike e dyshuar Heroinë dhe rreth 1 kg lëndë narkotike e dyshuar Kokainë dhe u arrestuan 3 persona. (VIDEO)