Takim konsultativ për ndryshimet në Kodin Penal, që i takojnë fushës së përgjegjësisë së MB - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/05/2019

Takim konsultativ për ndryshimet në Kodin Penal, që i takojnë fushës së përgjegjësisë së MB

VIDEO – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë takimit konsultativ për ndryshimet në Kodin Penal, që i takojnë fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Brendshme:

Përshëndetje,

Një aspekt ka të bëjë me rendin dhe qetësinë publike, kryesisht me mbrojtjen nga zhurmat. Një çështje e tjetër është ajo që ka të bëjë me lojërat e fatit. Pastaj renditur jo për rëndësinë e saj, është çështja që ka të bëjë me përdorimin e armëve dhe lëndëve plasëse pa lejen e organeve përkatëse shtetërore. Një çështje tjetër e parafundit është ajo që ka të bëjë me pengimin e mjeteve të qarkullimit rrugor, pra bllokimin dhe pengimin e qarkullimit rrugor në tërësi. Së fundmi, ndonëse nuk është e parashikuar në materialin që u shpërnda sot, është ajo që ka të bëjë me luftën kundër trafikimit të personave me fokus fëmijët.

Këto ndryshime që janë propozuar lindën nga nevojat konkrete të evidentuara gjatë funksionimit të punës së organeve ligj zbatuese, strukturave të Policisë së Shtetit, strukturave të tjera që merren me mbrojtjen e fëmijëve, me rendin publik dhe me fusha të tjera të rëndësishme.

Disa prej ndryshimeve që propozohen nuk parashikohen fare në Kodin e sotëm Penal, ose disa të tjera janë ndërhyrje për të përshtatur masën e shkeljeve penale me masën e dënimit, për arsye se konstatohet që masa e dënimit në disa raste është e papërshtatshme.

Por ajo që vihet re më shumë është marzhi i masës së dënimit që fillon nga zero dhe shkon deri në një nivel shumë të lartë, dhe kjo e bën që pastaj gjatë procesit të hetimit apo procesit penal, e bën të vështirë nganjëherë dhe ndonjëherë krijohen mundësi dhe hapësira për gjykime apo dhe masa penale të pa përshtatshme. Po shkoj konkretisht tek ndryshimet e propozuara.

Së pari, fillojmë me nenin 197: “Organizimi i lotarive të pa lejuara”. Në nenin ekzistues thuhet që organizimi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit në kundërshtim me dispozitat ligjore përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose dënim me burg deri në tre muaj. Çfarë propozohet? Propozohet një ndryshim i cili thotë: “Organizimi dhe ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit, lotarive apo bixhozit në kundërshtim me ligjin, dënohen me burgim nga 1 deri në 3 vjet”. Pra bëhet fjalë që në nivelin e organizimit, dënimi ashpërsohet në mënyrë të konsiderueshme. “Po kjo vepër, – po citoj përsëri nga propozimi, – dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet në se në lojë marrin pjesë persona nën 18 vjeç”. Jo personat që marrin pjesë, por personat që organizojnë pjesëmarrjen e minorenëve në këtë fushë dënohet më ashpër.

“Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim shtohet me 1/4 e asaj që ishte më sipër. Një tjetër kërkesë e po këtij neni: “Pjesëmarrja në lojërat e fatit që zhvillohen në kundërshtim me ligjin, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit”. Pra nuk dënohen vetëm organizuesit e lojërave të fatit, por parashikohet dënim edhe për pjesëmarrësit në to. Sigurisht për pjesëmarrësit ka një dënim më të lehtë.

Ky nen është riformuluar në këtë mënyrë si pasojë e legjislacionit të ri për ndalimin e lojërave të fatit dhe të bixhozit në Republikën e Shqipërisë, legjislacion i cili tashmë ka gjetur dhe zbatimin konkret në praktikë. “Organizimi dhe ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit, lotarive apo bixhozit në kundërshtim me ligjin dënohet me burgim 1 deri në 3 vjet. Dënimi rëndohet nëse në këto veprimtari marrin pjesë persona nën moshën 18 vjeç”.

Ndryshimi tjetër i rëndësishëm është ndryshimi i parashikuar për nenin 237 “Goditje për shkak të detyrës”.

Në nenin ekzistues, pra 237 ekzistues, parashikon që “goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Ky është neni ekzistues, pra gjobë ose burgim deri në tre vjet”.

Neni i ri është që: “Goditjet ose vepra të tjera dhune ndaj punonjësve që kryejnë kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit publik dënohen me burgim nga 1 deri në 3 vjet”. Pra ndryshimi i bërë është që gjoba është shndërruar në burgim deri në 1 vit, është rritur kufiri i poshtëm i dënimit, nga gjobë në 1 vit burgim, pjesa tjetër ka mbetur siç është.

“Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet.
Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit të shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Kur kjo vepër kryhet në mjediset e institucionit, ku personi ushtron detyrën shtetërore, funksionin publik apo shërbimin publik, dënohet me burgim nga 3 deri në 5 vjet”.

Të gjitha këto parashikime synojnë të reduktojnë dhunën, e cila ushtrohet kryesisht ndaj funksionarëve publik dhe personave të zgjedhur, parashikime të cilat kanë njohur një farë ashpërsimi, duke konsideruar edhe praktikën, jo të pakët, për punonjës që ushtrojnë funksione publike, por veçanërisht ata që ofrojnë shërbime publike si punonjësit e shëndetësisë, punonjësit e rendit publik, janë vënë shpeshherë përballë një dhune të paarsyeshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Meqenëse këtu, unë jam përgjegjës kryesisht për fushën e sigurisë dhe kam një përgjegjësi të veçantë që lidhet me Policinë e Shtetit, dua të them që dhuna ndaj Policisë së Shtetit në harkun e këtyre tre dekadave ka qenë krejtësisht jo proporcionale.

Ne jemi ndër vendet që kemi regjistruar një numër shumë të lartë policësh të vrarë në krye të detyrës është 224 punonjës policie, të cilët janë vrarë në Shqipëri në krye të detyrës në harkun e 29 viteve. Po ashtu ashpërsime parashikohen edhe për sa i përket dhunës ndaj funksionarëve të tjerë apo ndaj personave që kryejnë shërbime publike, kryesisht mjekëve. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që dhuna ndaj mjekëve në shpesh raste jo vetëm që është e papranueshme, e paarsyeshme, por nuk mund të lejohet, nuk mund të tolerohen raste, të cilat në mënyrë të përsëritur të adresojnë targetojnë mjekët ose personelin tjetër shëndetësor me pasoja të rëndësishme për mirëfunksionimin e shërbimit dhe jo në pak raste ka çuar edhe në situata të vështira dhe mjekët, personeli tjetër shëndetësor, ka refuzuar ose ka vajtur në prag të refuzimit për të ofruar shërbimin pikërisht për shkak të kësaj gjendje që ka agravuar herë pas here.

Neni tjetër që parashikohet të ndryshohet është neni 238 “Kanosja për shkak të detyrës”, i cili në trajtën ekzistuese është si vijon: “Kanosja serioze për vrasje apo plagosje të rëndë që i bëhet një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose shërbimit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 vjet”. Kështu thuhet në nenin aktual dhe propozimi është që: “Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit dënohet me burgim deri në dy vjet. Pra, është hequr opsioni i gjobës dhe është lënë vetëm opsioni i dënimit deri në 2 vjet me burgim.

 

Kur kjo vepër kryhet ndaj personit të zgjedhur apo funksionarit publik, për shkak të veprimtarisë së tij, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj punonjësit të policisë për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga dy deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet ndaj profesionistit shëndetësor për shkak të veprimtarisë së tij, kur cilësitë e personit janë të njohura ose të dukshme, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Pra siç mund të shihet, synimi i këtij ndryshimi është që të penalizojë edhe kanosjet e rënda për vrasje që i bëhen kësaj kategorie funksionarësh publikë, për të vijuar me të zgjedhurit, për të vijuar me punonjësit e Policisë apo me profesionistët, kryesisht ata të shëndetit publik, pra mjekët.

Një ndryshim tjetër i parashikuar është neni 274 “Prishja e qetësisë publike”, në të cilin shtohet një paragraf i dytë, si më poshtë: “Ushtrimi i veprimtarisë ekonomike që lëshon ose gjeneron zhurmë në mjedis, në kundërshtim me ligjin apo në tejkalim të normave të lejuara me ligj, kur është marrë më parë masa administrative, dënohet me gjobë nga njëqind mijë deri në një milion lekë ose me burgim deri në dy vjet”.

Një propozim i ri që shkon edhe sot kundër atyre që ndotin mjedisin me zhurmë, shkaktojnë probleme të mëdha për qetësinë, rendin publik dhe normalitetin e jetesës së shumë qytetarëve dhe kryesisht në këtë kuadër është ashpërsuar shumë masa e gjobës, por është parashikuar dhe një opsion tjetër për dënim me burg, sigurisht në kushtet e përsëritjes dhe mosrespektimit të sanksioneve të mëparshme ose mosfunksionit të sanksioneve të mëparshme.

Një ndryshim tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me penalizimin e armëmbajtjes pa leje, në nenin 278 “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, paragrafi ekzistues është i tillë: “Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”. Propozimi i ri si vijon: “ Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga 5 deri në 7 vjet. Po kjo vepër, kur kryhet më shumë se një herë, ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet”. Pra siç shihet, këtu futet si element përsëritja dhe rritet pragu i poshtëm, nga 3 që ishte, në 5 vjet.

Ndërkohë që futet pastaj në rastin e përsëritjes, ngrihet dukshëm masa e dënimit, për personat që e përsërisin këtë vepër.

Ndryshimi tjetër është ndryshimi i nenit 293, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Neni ekzistues është vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Ky është neni ekzistues. Propozimi: “Vënia e pengesave ose ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.” Pra, ajo që është ndryshuar në këtë rast është vetëm lidhëza, nga “dhe” në “ose”. Neni ekzistues ishte “vendosja e pengesave dhe ndalimi”, ndërsa këtu thotë: “vendosja e pengesave ose ndalimi”. Pra është më shumë e karakterit teknik kjo dispozitë e propozuar.

Ndërkohë që, megjithëse në këtë draftin e paraqitur sot përpara jush për diskutim nuk është parashikuar, ne po punojmë edhe për të bërë në ditët në vijim disa ndërhyrje sa i përket ri-rregullimit të masave penale që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore, kryesisht me trafikimin e fëmijëve, pra minorenëve, fenomen i cili me gjithë punën e masat e marra, ende vazhdon të persistojë dhe të prodhojë efekte të padëshiruara dhe shumë të rënda për shoqërinë në tërësi, për familjet dhe për individët e prekur.

Pak e shumë këto janë ato ndryshimet e propozuara. Siç thashë, për këtë të fundit mbase do të kemi një mundësi tjetër për ta elaboruar më qartë dhe më thellë termin e trafikimit të fëmijëve, edhe të qenieve njerëzore, por të fëmijëve kryesisht. Për çështjet që sapo prezantova shkurt, besoj që tashmë është mundësia për të hapur diskutimin.

Faleminderit!

PAKETA ME NDRYSHIMET NË KODIN PENAL – Kliko