» Antikanabisi/Ministri-Policisë: Deri në 15 Qershor, meritë e juaja çfarëdo që kapet, pas datës 15 është përgjegjësi e juaja
Postuar më: 09/05/2019

Antikanabisi/Ministri-Policisë: Deri në 15 Qershor, meritë e juaja çfarëdo që kapet, pas datës 15 është përgjegjësi e juaja

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në takimin me anëtarët e Task Forcës Qendrore, Prefektët, Drejtues të Policisë së Shtetit:

Të nderuar Prefektë,
Të nderuar drejtues të drejtorive vendore të policisë,
po ashtu të aparatit qendror të Policisë së Shtetit,
Të nderuar anëtarë të Task Forcës Antikanabis,
Zonja e zotërinj,

E organizojmë këtë takim në fakt për një seri çështjesh, por e para me të cilën do të merremi, ka të bëjë me vijimin, intensifikimin e fushatës kundër kultivimit të bimëve narkotike në vend. Pastaj do kemi dhe disa çështje të tjera. Sigurisht që vendi ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme, në fazën e pritjes që lidhet me vendimmarrjen, në lidhje për integrimin europian të vendit me hapjen e negociatave. Dihet që në kuadër të kësaj përpjekjeje të madhe kombëtare, strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe strukturat e tjera ligjzbatuese kanë një rol të madh për të luajtur.

Përmirësimi i parametrave të sigurisë, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër migracionit të pa ligjshëm, lufta kundër kanabisit, mbeten disa nga sektorët kryesorë, nga prioritetet e mëdha, të cilat kontribuojnë fuqishëm edhe në procesin e integrimit euroatlantik të vendit.

Do të thosha që në fushën e kanabisit, e cila është dhe një nga çështjet kryesore të takimit të sotëm, vendi ka bërë progres të jashtëzakonshëm. Pas një historie të gjatë të lindjes, të rritjes, zhvillimit të këtij fenomeni në vendin tonë, po bëhen të paktën dy vite të një suksesi të madh, të jashtëzakonshëm, i cili ka bërë që vendi pothuajse të largohet tashmë nga harta e vendeve që e kultivojnë këtë bimë narkotike.

Megjithatë është shumë e rëndësishme për të gjitha institucionet shtetërore, të kuptohet qartë që lufta nuk është e përfunduar. Kemi pasur beteja të rëndësishme të fituara, me sukses, falë përkushtimit të të gjitha strukturave gjatë viteve të fundit, sidomos në dy vitet e fundit, por kjo nuk është arsye për relaks. Kërkohet nga të gjitha strukturat angazhim i madh, thellimi i mëtejshëm i kësaj pune me qëllim që të shuhet çfarëdo lloj përpjekjeje në embrion, e cila synon të riaktivizojë në çfarëdo forme kultivimin e kësaj bime narkotike.

Agjencitë tona janë të angazhuara në proces të madh të grumbullimit të informacionit, i cili ka për qëllim të identifikojë çfarëdo përpjekjeje.

Duhet të them që megjithë sukseset e mëdha të arritura, prapë, potenciali për zhvillim, për aktivizim të këtij fenomeni ekziston, ndonëse në trajta embrionale.

Sinjalet e agjencive tona flasin për përpjekje të shkëputura në disa qarqe të vendit, sipas të cilave, elementë të caktuar kriminalë mundohen të shfrytëzojnë mjegullën që krijohet nga segmente te caktuara për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal.

Janë marrë masa të forta për të zhvilluar një proces të madh informimi, për të zhvilluar hetime proaktive. Dhe pikërisht falë këtyre hetimeve proaktive, të cilat zhvillohen në mënyrë masive në të gjitha qarqet e vendit, rezulton që nevoja për vigjilencë të shtuar dhe përpjekjet e rritura është shumë prezentë.

Po ashtu edhe informacioni që vjen nga qytetarët na fton të gjithëve për vëmendje të shtuar në këtë segment, në këtë fushë. E thashë, kemi pasur suksese të jashtëzakonshme dhe duhet që këto suksese të thellohen deri në sukses spektakolar dhe përfundimtar këtë vit.

Çfarë kërkohet? Kërkohet kontroll rigoroz i territorit nga të gjitha strukturat e këtij shteti, të cilat kanë përgjegjësi për monitorimin, kontrollin e territorit të vendit tonë.

Policia e Shtetit, strukturat vendore, agjencitë e ndryshme, inspektoratet e të gjitha ministrive, të cilët kanë përgjegjësi për aspekte të veçanta, por të gjithë flasim për të njëjtin territor. Dikush ka përgjegjësi në aspektin mjedisor, dikush në aspektin bujqësor, dikush në aspektin policor, dikush në aspektin tatimor e të tjera me radhë.

Pra është e gjitha, janë një seri institucionesh të cilat kanë për detyrë të monitorojnë gjithçka ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë në shumë aspekte, por të gjithë duhet të kenë vëmendje të shtuar edhe për sa i përket luftës së shtuar kundër kanabisit, të gjithë. Kjo nuk është një detyrë e vetëm një institucioni, kjo është detyrë e të gjitha institucioneve.

Sigurisht që ne do të zhvillojmë edhe një proces shumë intensiv të monitorimit të specializuar, pra monitorimin që bën policia, monitorim që bëhet nga ajri përmes bashkëpunimit me partnerët tanë. Pra flas për monitorimin e specializuar, por roli dhe përgjegjësia e autoriteteve, qofshin ato vendore, qofshin ato qendrore në ndërhyrjet territoriale, mbetet i dorës së parë dhe theksoj përgjegjësi e drejtpërdrejtë e drejtuesve territorialë që veprojnë në çdo qark të vendit.

Mbetet me rëndësi të madhe të kuptohet nga të gjithë të pranishmit këtu që çdo bimë, çdo fidan që kapet, çdo farë që kapet në territorin e Shqipërisë deri në datën 15 qershor është meritë e juaja, e drejtuesve të Policisë, e drejtuesve të degëve territoriale e me radhë. Çfarë kapet pas datës 15 qershor në Republikën e Shqipërisë është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e secilit prej jush dhe kuptohet e njerëzve tuaj. Pra është një datë, 15 qershori e cila mban përgjegjësinë. Deri më 15 është meritë e juaja çfarëdo që do të kapet në territorin e Shqipërisë, pas datës 15 qershor çfarëdo që kapet në territorin e Shqipërisë është përgjegjësi e juaja e drejtpërdrejtë, dhe në funksion të kësaj detyre të qartë dhe pa ekuivoke duhet të organizohet puna e të gjithë strukturave, qendrore dhe vendore, e task forcave në të gjitha nivelet, si e Task Forcës Qendrore që drejtohet nga zonja Voda, apo e task forcave në nivelin vendor, për të koordinuar përpjekjet dhe për të bërë gjithçka të mundshme njerëzore që ky fenomen të mos ketë shans riaktivizimi apo vijimi. Kjo është një detyrë dhe përgjegjësi e niveli të parë, qoftë zyrtar, qoftë qytetar, qoftë kombëtar.

Për secilin prej jush dhe përmes jush, për secilën prej strukturave për të cilat ju jeni dhe mbani përgjegjësinë shtetërore. Duhet që Task Forca nga sot e në vijim të ketë një ritëm të lartë pune, të ketë një intensitet më të lartë takimesh dhe kontrollesh. Task Forca Qendrore nuk është vetëm për të menaxhuar dhe drejtuar nga Tirana, por është edhe për të kontrolluar në terren dhe për të aktivizuar të gjithë sistemet e informacionit të cilat do të na bëjnë të mundur që ne të kemi kontroll të plotë për të gjitha çështjet.

Kjo është e para çështje që doja të diskutoja me ju të gjithë, e dyta ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar. Siç ju thashë krimi i organizuar mbetet sfida e madhe e cila kërkon angazhimin e të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit dhe të tjerëve për të thelluar punën e bërë, me qëllim që vendi të plotësojë të gjitha ato parametra sigurie të cilat në radhë të parë janë nevojë e qytetarëve tanë dhe detyrim i joni për t’u përmbushur përballë tyre. Në anën tjetër janë detyrim i rëndësishëm që vendi ka për të përmbushur edhe në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Në fushën e krimit të organizuar janë prioritete të rëndësishme ato që tashmë janë shpërndarë dhe njihen nga secili prej jush; kapja e personave në kërkim është një nga prioritetet e mëdha. Vendi trashëgon një listë, fatkeqësisht, shumë të gjatë personash të cilët i janë shmangur drejtësisë prej vitesh, dhe flasim për qindra persona të cilët në harkun e gati tre dekadave tashmë, i janë shmangur drejtësisë, ndonëse për ta ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Besoj lista nuk është sekret, lista kalon pra në rendin treshifror, po flasim për numrin e persona që i janë shmangur drejtësisë. Dhe për këtë qëllim, prioriteti i madh, tregues i madh i strukturës së secilit prej drejtuesve të Policisë së Shtetit, është ulja e kësaj liste. Ju keni të gjithë lista në dorë, lista me emra konkretë, të cilat kërkohen të ulen me ritëm të lartë. Për këtë kërkohet bashkëpunim me qytetarët, shkëmbim informacioni, koordinim me agjencitë ligjzbatuese në vend, por dhe mbi të gjitha, koordinim me agjencitë partnere në të gjitha vendet e BE apo përtej, për arsye se një pjesë e madhe e këtyre personave, të cilët i janë shmangur drejtësisë janë të larguar drejt vendeve të tjera, përmes rrugëve të ndryshme, përmes identiteteve të ndryshme. Por detyra jonë është që në mënyrë konsekuente të merremi emër për emër me secilin, që i është shmangur drejtësisë dhe të merren masa që ata të vendosen përpara drejtësisë shqiptare. Puna e secilit prej jush matet me numra konkretë, sa zbret kjo listë, sa reduktohet kjo listë.

Një tjetër çështje po kaq e rëndësishme, është ajo që ka të bëjë me menaxhimin e kufirit. Shqipëria është e prekur prej dy fenomenesh të emigracionit, pra të emigracionit në dalje, qoftë në hyrje, imigracionit dhe emigracionit, në të dy kahet. E shohim për fat të keq, që nga fillimi i valës së refugjatëve që mësynë drejt Evropës në vitin 2015 e këtej, Shqipëria është bërë adresë për një fluks të caktuar emigrantësh që vijnë nga vendet e tjera, të cilët kalojnë përmes territorit të Shqipërisë dhe kryesisht lëvizin drejt vendeve të tjera të BE.

Një pjesë prej e tyre edhe kërkojnë azil në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht që ky është një fenomen i gjerë, ka arsye, ka motive të ndryshme, të cilat tashmë janë të njohura për secilin dhe nuk dua t’i futem në thellësi diskutimit rreth fenomenit, por dua të them që mbrapa flukseve migratore funksionojnë rrjete kriminale, të cilat mundohen të shfrytëzojnë fatkeqësinë e qytetarëve të caktuar, të vendeve të caktuara, të cilët në largim nga zonat e konfliktit apo në kërkim të një jete më të mirë mundohen të gjejnë rrugë më të përshtatshme për të depërtuar drejt BE dhe këtu rrjete kriminale edhe në Shqipëri aktivizohen, shfrytëzojnë fatkeqësitë e të tjerëve për të bërë para. Por bashkë me paratë që bëjnë për vete, këto i bëjnë dëm të madh Shqipërisë për arsye se dëmtojnë shumë aspekte të sigurisë së vendit, rritin riskun për sigurinë në vend, por mbi të gjitha dëmtojnë shumë reputacionin e vendit në raport me partnerët tanë evropianë dhe rrezikojnë të ulin kreditet, të ulin shanset e mundësitë për një përparim të shpejtë të vendit në procesin e integrimit evropian.

Është detyrë e të gjitha strukturave, qofshin ato të policisë apo strukturave të tjera ligjzbatuese, që të angazhohen në këtë proces për të identifikuar rrjetet e trafikut, të cilat janë prapa këtyre përgjegjësve, pra prapa këtyre flukseve migratore. Edhe në këtë fushë suksesi i të gjitha strukturave do të matet me luftën që bëhet kundër rrjeteve. Nuk na vlejnë emigrantët e kapur, na vlejnë kriminelët që janë pas tyre të kapur. Ashtu sikundër në fushën e kanabisit kemi thënë: nuk na vlejnë bimët e prera, por na vlejnë kultivuesit, trafikuesit, kriminelët e lidhur me to.
Edhe në këtë fushë, nuk na vlejnë emigrantët e kapur, nuk jua matim suksesin me sa emigrantë u kapën në Babrru, apo në daljen në Muriqan, apo në Kukës. Kjo nuk vlen, ajo që vlen është numri i personave të përfshirë në trafikun kriminal që qëndrojnë pas këtyre fenomeneve.

Po kështu kemi edhe një tendencë tjetër, e cila ka të bëjë me fluksin e qytetarëve në dalje, fatkeqësisht që nga vitin 2015 kur u hap ky korridori i emigracionit apo edhe refugjatëve drejt Europës, shumë shqiptarë patën iluzionin që u hap një portë e madhe, një mundësi e madhe dhe iu bashkuan këtyre flukseve. Sigurisht sasia e shqiptarëve që dalin dhe kërkojnë azil në vendet e BE, ka rënë në mënyrë të dukshme, për arsye se një pjesë e madhe e kanë kuptuar se është një mundësi e pamundur.

Dalja ilegale, udhëtimi ilegal drejt BE për të kërkuar azil është një mundësi iluzore, që nuk ka shanse të realizohet për arsye se Shqipëria është një vend që konsiderohet i sigurt dhe vendet e BE sigurisht që nuk janë të gatshme të pranojnë qytetarë në mënyrë ilegale. Në të njëjtën kohë janë të gatshme dhe po hapin mundësi që të pranojnë qytetarë në mënyrë legale dhe kjo po ndodh, dhe të gjitha këto masa kanë bërë që numri i qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë azil këto vende të BE, të ulet ndjeshëm.

Në fund të vitit 2018 ishte 300% më i ulët se në vitin 2015, por prapë mbetet një sfidë e rëndësishme, një tregues i rëndësishëm i cili matet në mënyrë shumë skrupuloze nga të gjitha vendet e BE. Është një tregues i cili mat performancën tonë, mat standardet tona dhe si të thuash shndërrohet në një notë në drejtim të procesit të integrimit në BE të vendit. Detyra jonë është që këtë numër ta reduktojmë për hir të shqiptarëve, sepse në radhë të parë asnjë shqiptari nuk i bëhet nder nëqoftëse i mundësohet një rrugë ilegale për në Europë. Sepse i mundësojmë vetëm thjesht një ëndërr pa shpresë, i mundësojmë një rrugëtim drejt Europës, një sorollatje në zyrat dhe nëpër dyert e administratës evropiane në kërkim të një azili të pamundur dhe në fund i mundësojmë kthimin në një ditë caktuar në një avion pa para drejt Shqipërisë, i mundësojmë një ndalim të udhëtimeve të tij për 5 vite në BE, edhe shumë e shumë pasoja të tjera.

Prandaj është shumë e rëndësishme që në radhë të parë me njerëzit tanë të punojmë dhe të shpjegojmë që opsioni është i pamundur, përfitimet nga kjo aventurë janë të barabarta me zero dhe së treti, humbja e përbashkët është shumë e madhe, për arsye se pas çdo ekspulsi të një qytetari që kthehet në Shqipëri, rrezikohen qindra qytetarë të tjerë në lirinë e tyre të lëvizjes, nëqoftëse ky fenomen nuk do të menaxhohet në mënyrë të kujdesshme, me rigorozitetin maksimal, me vendosmërinë maksimale.

Sa i përket këtij fenomeni, është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë që edhe në këtë fushë ne nuk duhet të merremi dhe nuk do ta matim suksesin as me numrin e shqiptarëve që ndalojmë në kufi, për arsye se nuk plotësojnë kriteret për të kaluar drejt vendeve evropiane, as me numrin e atyre që do të kthehen në Shqipëri, si pasojë e marrëveshjeve të ri-pranimit për në Shqipëri, por do të matet me numrin e personave, anëtarëve të rrjeteve kriminale që mbështesin këtë trafik të padenjë. Dhe të dimë fort mirë që në inkurajimin e flukseve migratore ose të azilkërkuesve shqiptarë drejt vendeve të BE, qëndrojnë rrjete të krimit të organizuar, të cilët të kamufluar në trajtën e agjencive të udhëtimit, në trajtën e shoqatave që lëshojnë certifikata gjakmarrjeje, në trajtën e agjencive të tjera, OJF të tjera apo dhe në trajtën e rrjeteve të mirëfillta kriminale, inkurajojnë një fenomen të dëmshme, të shëmtuar, me pasoja për çdo qytetar shqiptar individualisht, por dhe me pasoja për fatin e mëtejshme e integrimit të vendit nëse kjo çështje nuk merren në kontroll të plotë dhe nuk njeh përsëri reduktim.

Theksoj dhe njëherë, ulja është 300% krahasuar me 2015-ën, por ajo që vlen dhe ajo që është objektivi ynë është që ky fenomen të jetë i barabartë me zero. Të mos matim asgjë me përqindje, por të matet me shifra absolute, dhe shifra absolute e qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë azil në vendet e BE, duhet të jetë e barabartë me zero apo kështu dhe me vendet e tjera. Vetëm kur të arrijmë të kemi bërë këtë, të jeni të qartë se kemi bërë një shërbim të madh ndaj çdo qytetari të këtij vendi dhe ndaj të ardhmes së vendit në tërësi.

Çështja e fundit që dua të diskutoj në praninë e mediave, për të vazhduar më pas me detaje, ka të bëjë me zgjedhjet vendore.

Vendi është tashmë pothuajse i futur në fushatën e zgjedhjeve vendore, ku të gjitha agjencitë ligj zbatuese, Prefektët, Prefekturat, Policia e Shtetit dhe struktura të tjera, kanë detyrë dhe përgjegjësi shtetërore për të kryer në funksion të realizimit të një procesi zgjedhor ashtu siç e kërkon legjislacioni në fuqi.

Kuptohet që zhvillimi i zgjedhjeve, edhe në prag të vendimmarrjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen europiane të vendit, u jep atyre një rëndësi shumë të veçantë. Po ashtu rëndësi të veçantë marrin zgjedhjet edhe për shkak të kontekstit të përgjithshëm politik, i cili karakterizohet nga një lloj polariteti, përpjekjeje për të krijuar vështirësi në zhvillimin e procesit dhe gjëra të tjera të kësaj natyre.

Mbetet me rëndësi që të gjitha strukturat por sidomos prefektët, të vihen në krye të procesit të koordinimit të institucioneve vendore dhe atyre qendrore por që janë të përfaqësuara në nivelin lokal me qëllim që të ofrohen të gjitha mundësitë që qytetarët të kenë të drejtën për të shprehur vendimmarrjen e tyre nga kushtetuta u jepet një herë në katër vjet për nivelin vendor të qeverisjes, e po ashtu në 4 vjet të tjera për nivelin qendror të qeverisjes.

Është një listë e plotë përgjegjësish që ligji u jep prefektëve për të kryer, në bashkëpunim me të gjithë strukturat e tjera, me autoritetet vendore, me kryetarët e bashkive, me zyrat e Gjendjes Civile, që kanë të bëjnë me hartimin, publikimin e listave zgjedhore, me krijimin e infrastrukturës së nevojshme, të mjediseve, të lokaleve zgjedhore, me njoftimin e qytetarëve në mënyrë që procesi të zhvillohet ashtu siç e kërkon ligji dhe siç e kërkon interesi i vendit. Pra të zhvillohet i drejtë, i barabartë, i ligjshëm, i ndershëm dhe pa asnjë problem dhe incident.

Po kështu përgjegjësi të caktuar, të rëndësishme ka edhe Policia e Shtetit e cila është aty për të krijuar mjedisin e përshtatshëm, të sigurt që këto zgjedhje të zhvillohen në një mjedis të sigurt. Dhe që të realizohet kjo, çdo drejtues i Policisë së Shtetit, çdo punonjës i Policisë së Shtetit duhet të jetë i angazhuar, i motivuar për të mundësuar që ky proces të zhvillohet ashtu siç duhet.

Roli i policisë është jashtë palëve, përtej palëve, nuk ka asnjë peshë, asnjë përgjegjësi për t’u angazhuar politikisht, përkundrazi është e ndaluar çfarëdo përfshirjeje politike e çdo punonjësi të policisë, ne çfarëdo situate zgjedhore. Detyra e vetme e policisë është të sigurojë mjedis të sigurt dhe të kryejë ato detyra specifike që kanë të bëjnë me zhvillimin normal të fushatës.

Pra janë një seri detyrash të caktuara të cilave nuk po u futemi në detaje këtu, por vlen të them edhe njëherë mesazhin: policia është aty për të kryer detyrën e saj si një strukturë e shtetit, jo e partive, e papërfshirë me partitë, e papërfshirë në përmbajtjen e diskutimit politik, por shumë e qartë, shumë e vendosur për të siguruar që ligji të mbizotërojë në të gjithë territorin e Shqipërisë, në çdo skaj të saj dhe askush të mos ketë mundësi të interferojë apo të cenojë një proces i cili në fund të fundit është një proces që u takon qytetarëve shqiptarë.

E dimë të gjithë që zgjedhjet janë krye-institucioni i një vendi demokratik, që qëndrojnë mbi parlamentin, mbi qeverinë, mbi presidentin, mbi kryeministrin, mbi ministrin, mbi drejtorin, mbi prefektin.

Dita e zgjedhjeve dhe zgjedhja si institucion është mbi të gjithë këta dhe askush nuk mund të ketë të drejtë, as mundësi, as shans që të mendojë apo të veprojë për të prekur sadopak qoftë integritetin e një procesi, i cili siç thashë, është thelbi i demokracisë dhe i kushtetutës së këtij vendi.

Duke e mbyllur me këtë, do u kërkoja mediave mirëkuptim që të vazhdoja pjesën tjetër e cila është krejtësisht teknike, dhe i falënderoj edhe njëherë për praninë e tyre. Faleminderit!