Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 85 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 06/05/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 85

Raporti Javor nr. 85

“29 prill- 5 maj 2019”

DITA E DËSHMORËVE – 5 MAJI!

“Ndryshimet në kod do t’i ashpërsojnë dënimet ndaj atyre që tentojnë të cenojnë në detyrë punonjësit e policisë”

Në përkujtim të Ditës së Dëshmorëve, ministri i Brendshëm, drejtues të Policisë së Shtetit dhe familjarëve të policëve të rënë në detyrë, organizuan një ceremoni përkujtimore dhe vendosën kurora më lule në memorialin tek Akademia e Sigurisë. Shoqëria ka nevojë të thellë për të përmirësuar në thelb qasjen e saj, si ndaj sigurisë ashtu edhe ndaj Policisë vetë, tha ministri Lleshaj. Sipas tij, Qeveria shqiptare do të vijojë thellimin e masave për mbrojtjen ligjore të punonjësve të Policisë së Shtetit. “Ndryshimet e pritshme të Kodit Penal do t’i ashpërsojnë më tej dënimet ndaj atyre që tentojnë të cenojnë punonjësit e Policisë së Shtetit në krye të detyrës”, nënvizoi ministri.

POLICIMI NË KOMUNITET

Lleshaj-gjimnazistëve: Për një shoqëri të sigurt, duhet që Policia të jetë pjesë e komunitetit, duke u përfshirë

Në takim me një grup maturantësh, në kuadër të Ditës në Qark, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Policisë dhe Komunitetit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë publike. “Nëse ne duam të ndërtojmë një shoqëri të sigurt, një shoqëri ku njeriu të ndihet mirë, duhet që policia të jetë pjesë e komunitetit. Dhe që të ndodhë kjo, policia duhet të përfshihet”, u shpreh ministri.  Ai e konsideroi sfidë çështjen e sigurisë publike dhe detyrë kryesore të Policisë së Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë që ka parandalimi i krimit përmes bashkëpunimit me qytetarët. Në këtë kontekst, Lleshaj përmendi mundësinë që të rinjtë e gjithë qytetarët, të denoncojnë në Polici edhe nëpërmjet aplikacionit “Komisariati Dixhital”. Ministri i ftoi gjimnazistët ta shohin si mundësi konkrete bashkimin me Policinë e Shtetit. “Policisë i duhen të rinj e të reja. Kështu që është shumë e rëndësishme që ju të mendoni për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit në role të ndryshme. Për arsye se s’mund ta kërkojmë sigurinë që të na vijë nga të tjerët. Nuk mund të themi që – jo unë për vete nuk përfshihem, por sigurinë e dua. Sigurinë duhet ta ndërtojmë së bashku. Por në të njëjtën kohë duhet të jeni të bindur që përfshirja në Policinë e Shtetit është e lidhur me sfida të jashtëzakonshme”, u shpreh Lleshaj.

ANTIKANABISI

Task Forca Qendrore: Së shpejti nis edhe monitorimi nga ajri i territorit

U zhvillua në Ministrinë e Brendshme, takimi i radhës së Task Forcës Qendrore në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017-2020, ku u diskutua mbi masat e ndërmarra, rezultatet dhe arritjet konkrete të institucioneve anëtare të TFQ-së. Fokus i këtij takimi krahas masave dhe aktiviteteve të kryera si pjesë e detyrimeve, ishin edhe paraqitja e problematikave të hasura, si dhe nevojat për kapacitete logjistike në përmbushje të detyrave të tyre. Në takim Voda kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë dhe më intensiv gjatë kësaj periudhe ndërmjet institucioneve qendrore pjesë e Task Forcës për të shkëmbyer informacion për raste kultivimi ose trafikimi, si dhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale. Gjithashtu u theksua domosdoshmëria e një koordinimi akoma më të mirë më qëllim parandalimin në kohë dhe goditjen me efikasitet të çdo rasti të kultivimit të kanabisit. Gjithashtu, u dakordësuan  zhvillimi i një takimi në muajin qershor, duke monitoruar kështu më mirë situatën edhe për shkak të riskut më të lartë që paraqitet në këtë periudhë. Së shpejti kontrollit të territorit nga Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe Inspektoratet e ndryshme, do ti shtohen edhe fluturimet ajrore të mundësuara nga projekti “Sancas” i financuar nga BE.

PAJISJA ME DOKUMENTA BIOMETRIKE

“Mos prisni dhjetorin, shmangni fluksin e aplikimeve për kartat ID”

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile kanë inspektuar nga afër zyrat e aplikimit për kartat e identitetit të Njësive Administrative Nr.8 dhe Nr. 9 në kryeqytet. Ajo ka apeluar që qytetarët, të cilëve u përfundon afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit ID, t’iu drejtohen zyrave të aplikimit sa më shpejt, në mënyrë që të pajisen në kohë me kartat e reja. “Kemi vënë re një ulje të fluksit të kartave të identiteti kohët e fundit, kjo ndoshta edhe për shkak të vendimit të Qeverisë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë, por ne i bëjmë thirrje qytetarëve të vijnë, të aplikojnë, të mos e lënë për momentin e fundit, pra në dhjetor, pasi do të ketë një fluks tjetër të madh, i cili ai është i lëshimit të pasaportave biometrike, çka do të vështirësojë në një farë mënyrë edhe pajisjen me karta identiteti. Sigurisht që pajisja me kartat e reja shërben që edhe qytetarët  të marrin shërbime në institucione të tjera publike apo private, si p.sh në banka apo për lëvizjet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në ato vende ku lëvizet me karta identiteti” apeloi zëvendësministrja Voda.

NISMA NË SHKODËR

“Sheh Diçka, Thuaj Diçka”/“Përballja me krimin – indiferentizmi mënyra e gabuar, aq më pak heshtja”

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prefekturën e Qarkut Shkodër, kanë ndërmarrë nismën “Sheh diçka, thuaj diçka”, e cila synon forcimin e policimit në komunitet. Në ceremoninë e lançimit të kësaj nisme, morën pjesë zëvendësministrat e Brendshëm, Romina Kuko dhe Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i PSH, Ardi Veliu, Prefekti i Qarkut Shkodër Valdrin Pjetri, drejtues të lartë të policisë, etj.  “Me moton “Sheh diçka, Thuaj diçka”, Policia amerikane ju drejtua popullit për të implementuar policimin në komunitet. Forma të ngjashme kanë përdorur homologët tanë në të gjithë botën për të fituar besimin e qytetarëve. Po pse një hap i tillë është më i sigurt për ju dhe për ne? Sepse indiferentizmi nuk është mënyra e duhur dhe aq më pak heshtja kur përballemi me krimin. Siguria është një kontribut i secilit prej nesh. Jemi qytetarë të këtij vendi, dhe kemi përgjegjësinë e sigurisë të personit krah nesh e përballë nesh.  Ndihmo dhe përcilli informacionet Policisë, sepse në këtë mënyrë ne vijmë pranë jush më shpejt dhe parandalojmë pasojat, të cilat mund të kenë pasur një drejtim fatal. Tërheqja dhe mospërfshirja është mënyra me e thjeshtë, por pa dyshim, është mënyra më e pasigurt”, u shpreh Veliu në fjalën përshëndetëse.

BESIMI TEK POLICIA

Lezhë – Alo 112? Policia kap 2 persona

Informacioni i ardhur nga qytetarët dhe reagimi i menjëhershëm i Policisë së Lezhës ka vënë në pranga dy shtetas. Arrestimi i njërit prej tyre erdhi kishte thyer vendimin e Gjykatës “Arrest shtëpie” dhe arrestimi i shtetasit tjetër pasi qarkullonte me armë zjarri në brez. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë marrë informacion nga qytetarët se një shtetas i cili ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie” po qarkullonte me makinë në Rrëshen së bashku me një shtetas tjetër i cili dyshohej se kishte armë zjarri me vete. Mbi bazën e këtij informacioni, Njësia operacionale “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me forcat policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, kanë ndërhyrë duke bërë bllokimin e automjetit dhe të dy shtetasve që ndodheshin në të.

GODITJA E PALIGJSHMËRISË

“Gracka”, dhe “Triporti” kapen në flagrancë 5 hajdutë

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gracka”, gjatë së cilit u kap në flagrancë një shtetas në tentativë për të vjedhur në garazhet e një pallati në rrugën “Mujo Ulqinaku”. Ky shtetas rezulton të jetë autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në kryeqytet.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të bërë për tentativë vjedhjeje në garazhet e një pallati, kanë organizuar punën duke ngritur shërbime grackë. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, bazuar në mekanizmin, mënyrat, vendin dhe territorin ku kishin ndodhur vjedhjet, dyshohet se ky shtetas është autori për vjedhjen e sendeve dhe materialeve në disa garazhe. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja”. Në Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Triporti”. Janë vënë në pranga 4 shtetas për kryerjen e një sërë vjedhjesh.