» Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzon dekretin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit për Vettingun
Postuar më: 06/05/2019

Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzon dekretin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit për Vettingun

Komisioni i Sigurisë rrëzoi me shumicë votash dekretin e Presidentit të Republikës nr.11175, datë19.04.2019 për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr.20/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa  në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar  dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për çështjet  e brendshme dhe ankesat, në Ministrinë e Brendshme”.

VIDEO – Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë diskutimit të dekretit të Presidentit për ndryshime në ligjin për Vettingun në Polici, Gardë e SHÇBA, në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare:

Faleminderit znj. Kryetare,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Ligji është i njohur për ju për arsye se ligji ka kaluar në këtë Komision të nderuar dhe ka marrë miratimin e tij, madje më vonë dhe të parlamentit.

Kështu që unë nuk dua të ndalem në përmbajtjen e ligjit, po dua të komentoj shkurtimisht komentet e presidentit lidhur me këtë ligj. Në thelb ashtu siç u përmend dhe nga parafolësi, shqetësimi i Presidentit të Republikës lidhet me pretendimin se ndryshimet e bëra në ligj prekin në thelb substancën e ligjit, dhe prekin standardet mbi të cilat është ndërtuar ligji.

Dua të them shkurtimisht diçka rreth saj. Së pari ligji tashmë i miratuar nga kuvendi në thelb nuk ka cenuar aspak përmbajtjen e ligjit të mëparshëm. Pra përpjekja për të ndryshuar ligjin lidhet vetëm me aspektet teknike, të cilat kanë të bëjnë me dy gjera. E para me afatin e vlefshmërisë së ligjit, për arsye se ligji e mbaron efektshmërinë e tij në mars të vitit të ardhshëm, dhe koha në dispozicion për të bërë vetingun e rreth 14 mijë punonjësve të Policisë është fizikisht e pa mundur. Pra ligji automatikisht del jashtë vlefshmërisë së tij, ndërkohë që deri në marsin e vitit të ardhshëm besoj që askush nuk mund të ketë iluzione që procesi mund të mbyllet.

Sa i përket pretendimit për prekjen e ligjit, në thelb ligji parashikon këtë: kam bërë thjesht një skicë të vogël, por në thelb të ligjit qëndrojnë tre komisione. Është një Komision i Jashtëm, për në fazën e parë është vetëm një Komision i Jashtëm, që përbëhet nga 15 komisionerë ose 15 vlerësues dhe 15 staf sekretarie, i cili qëndron nga fillimi deri në fund të procesit.

Pra në fazën e parë, të dytë dhe të tretë, thelbi i komisionit është që komisioni i jashtëm i vlerësimit, të cilët janë njerëz të jashtëm, të ardhur nga struktura të ndryshme, nga bota akademike ILDKPI e të tjera me radhë, të cilët qëndrojnë në të tre fazat; faza e parë, e dytë dhe e tretë.

Me përfundimin e fazës së parë, gjatë së cilës bëhet vettingu i kreut drejtues të Policisë së Shtetit, çfarë ndodh? Ata persona të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës apo të SHÇBA-së që kalojnë vettingun, një pjesë e tyre shndërrohen në komisionerë në fazën e dytë. Pastaj zhvillohet faza e dytë, e cila zakonisht, kryesisht merret me nivelin e drejtorive dhe të shefave të sektorëve nga drejtoritë e qendrës dhe në bazë.

Në fazën e tretë, këtij komisioni të këtij niveli të dytë i shtohen të tjerë që kanë kaluar vettingun nga Policia, nga Garda dhe nga SHÇBA-ja, dhe formohet kjo struktura e nivelit të tretë, vendore, e cila bën pastaj vettingun e pjesës së mbetur të policisë.

Pra çfarë është thelbi? Se u theksua që është prekur thelbi. Thelbi në fakt është ky komision i jashtëm, kjo pjesa e verdhë që qëndron gjatë gjithë kohës këtu dhe kësaj i shtohen nga anash, kjo pjesa blu që është pjesë e Policisë së Shtetit, e SHÇBA dhe e Gardës, të cilët kanë kaluar vetë vetingun.

Tani me ndryshimin që bëjmë si ngelet skema? Ky është ligji i vjetër, si ngelet ligji i ri? Po ky, ngelet e njëjta gjë. Ngelet po i njëjti komision i jashtëm dhe këtu nga anash shtohen tashmë jo punonjës nga të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme, por vetëm nga një strukturë që është SHÇBA.

Tani a është prekur thelbi dhe pavarësia e ligjit ose e vettingut nga kjo? Aspak!

Pse? Sepse këta persona që bashkohen komisionit të jashtëm, janë edhe në ligjin e vjetër edhe në ligjin e ri persona të strukturave të Ministrisë së Brendshme, pra janë të SHÇBA në të dy versionet, të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në versionin e parë.

Pra në qoftë se ne pretendojmë që është prekur pavarësia e procesit sepse këta personat e fazës së dytë dhe të tretë janë në varësi të ministrit, atëherë edhe me ligjin e mëparshëm kjo pavarësi është e prekur për arsye se dhe me ligjin e mëparshëm, personat që do të bëjnë këtë proces janë në varësi të Ministrit, sepse ose janë Policia e Shtetit, ose Garda e Republikës, ose SHÇBA, pra kjo dihet.

Por unë dua ta refuzoj këtë argument edhe për një arsye tjetër, sepse këtu merr ngjyrën e një paragjykimi fakti se paragjykohet ‘përse’ Ministria e Brendshme, si një institucion, i cili do na dëmtoka pavarësinë e një procesi.

Duhet ta kemi parasysh besoj, por vlen për ta përmendur këtu që Ministria e Brendshme është një institucion i rëndësishëm kushtetues i vendit, i cili ka përgjegjësi shumë herë më të mëdha dhe shumë herë më të rëndësishme sesa menaxhimi i një procesi vettingut. Dhe ky është argumenti i parë që do të them. Standardi nuk është prekur në mënyrë kategorike. Aspak. Për arsye se do të jenë po të njëjtat struktura që do të bëjnë procesin.

Po pse e kemi bërë këtë ndryshim atëherë është pyetja? E kemi bërë këtë ndryshim për arsye se ky sistemi i vjetër do na kërkojë që në fazën e tretë, ne të kemi 270 persona, kryesisht të niveleve të larta drejtuese, të cilët shkëputen nga detyra e tyre dhe do të bëjnë vettingun për pjesën e mbetur.

Por të heqësh 270 funksione të larta drejtuese nga Policia e Shtetit dhe ta dedikosh këtë kategori drejtuesish për vettingun, do të thotë të bësh një ndërhyrje të thellë në funksionalitetin e vetë Policisë, e cila duhet të merret me punë të tjera.

Ndërkohë që ne themi: meqenëse Ministria e Brendshme ka një strukturë të dedikuar për vettingun, që është SHÇBA, themi që fazën e dytë dhe të tretë SHÇBA-ja të angazhohet plotësisht dhe të bëjë detyrën që i takon me ligj, për arsye se SHÇBA është një strukturë vettingu, e cila është krijuar për vetting dhe do të ekzistojë për të bërë vetëm vetting. Sepse është krijuar një lloj iluzioni sikur çfarë po ndodh me vettingun dhe që ne tashmë e quajmë proces të vlerësimit kalimtar.

Pra është më rëndësi të mbajmë parasysh një fakt: vettingu është një proces që nuk mbaron kurrë. Sepse edhe nëse ne pretendojmë që e bëjmë këtë vettingun sot, i kaluam njerëzit, ditën e nesërme rreziku i komprometimit të personit është aty, dhe dikush që ka kaluar një herë vetingun nesër mund të komprometohet. Pastaj të mos harrojmë diçka tjetër që çdo hyrje në Policinë e Shtetit i nënshtrohet një procedure vetingu që e bën SHÇBA. Do të thotë që procesi është një proces i pandërprerë, pavarësisht se ky ligj është ligj kalimtar.

Dhe struktura që ka për mision ligjor ta bëjë vettingu e pandërprerë është SHÇBA, e cila do ta bëjë përherë.

Në këtë kuptim pretendimi se SHÇBA na komprometoka procesin është përtej absurdit, me gjithë respektin që kam për përfaqësuesit e Presidentit, por është përtej absurdit për arsye se paragjykohet struktura, e cila me ligj ka detyrën të bëjë vettingun e përhershëm të Policisë së Shtetit. Sot, nesër e përherë.

Në qoftë se kemi një pretendim ose një paragjykim që SHÇBA është një strukturë e cila nuk na bën dot vettingun, atëherë duhet të atakojmë ligjin e SHÇBA dhe të themi që: do ta zgjidhim në një mënyrë tjetër vettingun. Por vettingu është një proces i përhershëm.

Dua të them edhe dy fjalë lidhur me bindjen presidenciale, sepse kështu është shprehur, se ka krijuar bindje që procesi, – po qe se është nën varësinë e Ministrisë së Brendshme – do të komprometohet politikisht dhe do të keqpërdoret politikisht e të tjera me rrallë. Meriton shumë vëmendje ky argument ose kjo mënyrë argumentimi, për arsye se nuk mund të lejohet të paragjykohet nga askush qoftë edhe nga Presidenti një institucion kushtetues siç është Ministria e Brendshme.

Ministria e Brendshme ka përgjegjësinë kushtetuese që të mbajë, të drejtojë dhe të udhëheqë veprimtarinë e të gjithë organeve që ka në varësi të saj të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, SHÇBA-së, strukturave të tjera e me rrallë dhe këto struktura janë nën varësi të Ministrisë së Brendshme pikërisht për t’u drejtuar politikisht në kuptimin jo partiak, por në kuptimin politik, të politikës shtetërore.

Dhe është krejtësisht e papranueshme kjo mënyrë argumentimi që të pretendosh qe kemi një paragjykim, një paranojë nga një institucion kushtetues që është Ministria e Brendshme. Sigurisht që Ministria e Brendshme bën drejtimin, drejtimin politik udhëheqjen politike të të gjitha këtyre sturkurave kjo do të thotë që këtë e kërkon kushtetuta këtë e kërkon i gjithë sistemi politik të cilin e kemi sot në fuqi.

Dhe nuk mund të paramendohet që të krijojmë struktura jo-kushtetuese duke u nisur nga paragjykimi që Ministritë nuk na e bëjnë punën, atëherë do të shpikim instrumente të tjerë jashtë kushtetutës, me atë ndajshtimin të pavarur, që të na bëjnë një proces objektiv. Në thelb ne duhet t’i rrimë linjës kushtetuese, e cila parashikon institucionet si struktura përgjegjëse për të realizuar një proces të pavarur.

Sa i përket edhe pretendimeve për pavarësinë e procesit duhet të kemi parasysh se pavarësia e procesit jepet nga ligji, nuk varet nga struktura.

Ligji u ka dhënë status të pavarur të gjithë personave, të cilët përfshihen në procesin e vetting-ut, ashtu sikur u jep dhe garancinë përkatëse që ky proces të zhvillohet në kushtet të integritetit të plotë dhe të pavarësisë së plotë.

Pra nuk mund t’i pranojmë në mënyrë kategorike argumentet që drejtimi i procesit nga Ministria e Brendshme rrezikon vetë procesin.

Jo, e kundërta do të ishte problem, nëqoftëse kërkojmë procese që janë jashtë institucioneve. Proceset janë të besueshme atëherë kur zhvillohen nga institucionet të cilat kanë përgjegjësinë kushtetuese për t’i kryer ato.

Përmbledhtas them dhe njëherë: argumenti për pavarësinë është (tani s’po e përdor prapë atë që thashë në fillim) absurdin, por është përtej çdo lloj arsyetimi, për arsye se procesi është parashikuar në ligjin e vjetër dhe të ri të kryhet nga të njëjtët persona, nga të njëjtat struktura.

Pra strukturat brenda MB, pra SHÇBA, Polici, Gardë dhe Komisioni i Jashtëm.

Dhe argumenti i kohës që pretendimi i Presidentit është se në qoftë se i japim më shumë kohë procesit, ne i vëmë nën presion njerëzit që janë në proces vetingut. E thashë edhe njëherë, vettingu është një proces që do të vazhdojë, edhe kur të mbarojë ky ligj.

Kështu që nëse ne kemi njerëz që do të jenë apo ndihen nën presion prej vetingut, shumë mirë! Le të ndihet nën presion kushdo që ka arsye për t’u ndier nën presion. Ky presion do të vazhdojë përherë mbi Policinë e Shtetit, mbi Gardën e Republikës dhe mbi vetë SHÇBA-në, kushdo duhet të ndihet nën presion, nëse ka një problem që lidhet me vettingun.

Dhe nuk është argument kjo që të kemi një afat që nga ajo ditë e tutje, njerëzit të çlirohen.

Njerëzit nuk ka arsye pse të çlirohen, ata që nuk kanë ndonjë mizë nën kësulë. Të tjerët janë të çliruar dhe sot. Shumica absolute e Policisë së Shtetit nuk është as sot nën presion nga vettingu, sepse nuk presin asgjë të ndodhë nga vetingu, sepse ata janë njerëz që kryejnë me devocion, integritet e profesionalizëm shërbimin e tyre dhe vetingun e konsiderojnë si një proces teknik në të cilin do të hyjnë, do të dalin, do të certifikohen dhe do të vijojnë më tej punën pa asnjë problem.

Në përfundim, duke ju falënderuar për vëmendjen, duke ju kërkuar edhe ndjesë për pak zgjatje, ju ftoj që t’i qëndroni vendimit të mëparshëm për ta lënë në fuqi ligjin, për ta rrëzuar dekretin e Presidentit, për arsye se përmes kësaj ne jemi të sigurt që i japim një ritëm të ri procesit dhe do të sigurojmë që në një kohë sa më të shpejtë, ta kemi të mbyllur atë, në mënyrë që Policia ta kalojë këtë proces, i cili është i domosdoshëm, por duhet të kryhet në kohën më të shpejtë të mundshme dhe me ritmin e duhur.
Faleminderit!

 

VIDEO – Komentet e ministrit të Brendshëm në përgjigje të disa pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare