Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 84 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 29/04/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 84

Raporti Javor nr. 84

22 – 28 Prill 2019

KUKËS – DITA NË QARK E MINISTRIT

Në fokus çështjet vendore, zgjedhjet, siguria dhe kontrolli i territorit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi disa takime në Qarkun e Kukësit me në fokus çështjet vendore, zgjedhjet, siguria dhe kontrolli i territorit. Në takimin që zhvilloi në Prefekturën e Kukësit, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, drejtues të agjencive ligj zbatuese që operojnë në këtë qark, përfaqësues të shoqërisë civile, banorë të zonës, etj.  ministri është ndalur në projektet që ka ndërmarrë qeveria për rivatilizimin e këtij Qarku, reformën e deregulimit që synon rritjen e shërbimit të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, etj.

Lleshaj: LIGJI PËR POLICINË GJYQËSORE

Një tjetër hap në zbatimin përfundimtar të reformës në drejtësi

Ministri Sandër Lleshaj gjatë diskutimit në seancën plenare të datës 25 prill,  gjatë se cilës u miratua ligji për Policinë Gjyqësore, e ka theksuar se ky ligj është një tjetër mesazh i madh në drejtim të implementimit përfundimtar të reformës në drejtësi. Më tej ai theksoi se ky ligj krijon mundësi të mëdha për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimit midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, bashkëpunim, që sipas tij është është parakusht themelor për një proces hetimi të integruar dhe të konsoliduar. Ministri është ndalur dhe në sulmet e fundit të opozitës ndaj Policisë së Shtetit.  “Përkundër këtyre sulmeve që i bën Policisë së Shtetit edhe në ditët kur ajo performon në mënyrë dinjitoze, gjej rastin të falënderoj për mbështetjen e madhe që jep publiku shqiptar, parlamenti, por edhe mbështetjen e madhe që japin partnerët tanë ndërkombëtarë. Ishte vetëm sot një shenjë interesante vlerësimi që “E Ngarkuara me Punë” e SHBA-së i adresonte Policisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si një ndër policitë më të mira në kontinent, përkundër baltës së pamerituar që hidhet nga një pjesë e parapolitikës shqiptare”, u shpreh ministri.

INTEGRIMI – RAPORTIM MBI 5 PRIORITETET KYÇE

KE vlerësim pozitiv për rezultatet e arritura nga Shqipëria

Një delegacion i Ministrisë së Brendshme, në përbërje të së cilit ishin zëvendësministrat e Brendshëm Julian Hodaj, Romina Kuko, Rovena Voda dhe Besfort Lamallari, raportuan pranë Komisionit Europian në Nënkomitetin e 11-të për “Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë”, si n/komiteti që mbulon bazat e 5 prioriteteve, që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë në procesin e integrimit. Çështjet e trajtuara ishin të fokusuara në fushën kundër krimit të organizuar, masat për migracionin e paligjshëm, ecuria e procesit të Vetting-ut në Polici, si dhe plani i masave kundër terrorizmit.  Përfaqësuesit e Komisionit Europian shprehën vlerësim pozitiv dhe përgëzuan rezultatet e arritura nga Shqipëria për vitin 2018 në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, operacionet e zhvilluar kundër krimit të organizuar, si dhe theksuan fort rëndësinë e vazhdimësisë së zbatimit të Reformës në Drejtësi, si dhe thellimin e luftës kundër krimit të organizuar.  Ky takim raportues mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve, ka rëndësi themelore në vendimin e Qershorit, në pritje të hapjes së negociatave.

“SIGURIA RRUGORE DETYRË E TË GJITHËVE”

Orë sensibilizuese në shkollat 9-vjeçare

Në kuadër të Javës së Sigurisë, me qëllim sensibilizimin për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, Drejtoria e Policisë Rrugore Tiranë zhvilloi një orë sensibilizuese me nxënësit e klasave të IV-ta të shkollës “Fan Noli”. Gjatë aktivitetit, nxënësve iu shpërndanë broshura me rregulla për sigurinë rrugore, shenja dalluese fosforeshente, si dhe u transmetuan disa pjesë filmike, për të konkretizuar rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit, të mospërdorimit të celularit dhe alkoolit gjatë drejtimit të mjetit, qarkullimin brenda normave të lejuara, si dhe të respektimit të sinjalistikës rrugore, qoftë nga drejtuesit e mjeteve ashtu edhe nga këmbësorët. Aktivitetet të tilla sensibilizuese janë zhvilluar në të gjitha shkollat 9 – vjeçare në të gjithë vendin.

PARANDALIMI I AZIL KËRKIMIT NË BE;

Riatdhesohen 36 shtetas shqiptarë

Riatdhesohen në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, 36 shtetas shqiptarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Francë, Holandë dhe Belgjikë. Shtetasit e riatdhesuar shkelën kushtet e lëvizjes së lirë në zonën ‘Shengen’. Që nga 1 janari deri sot janë ri-atdhesuar mbi 2800 shtetas shqiptarë nga vendet e BE-së.  Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit sqaron çdo shtetas që tenton të shkelë kushtet e lëvizjes në zonën Shengen apo të kërkojë azil, pasi shanset janë zero. Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe qytetarët e saj nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së.

PËRDORIMI I TEKNOLOGJISË NGA TERRORISTËT

“Nevojitet marrëdhënie më e ngushtë mes Policisë, komunitetit e prindërve”

Drejtues të nivelit të lartë të Policisë së Shtetit kanë nisur një trajnim mbi përdorimin terrorist të teknologjisë, organizuar nga Programi i Asistencës Antiterror i Departamentit Amerikan të Shtetit në koordinim me Zyrën e Sigurisë Rajonale të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Ky seminar është pjesë e një programi prej 1.3 milionë dollarësh që mbështet Policinë e Shtetit dhe Njësinë Antiterror për të rritur aftësitë në drejtimin e investigimeve kundër terrorizmit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, u shpreh se: “Bashkëpunimi i ngushtë i Policisë së Shtetit dhe i agjencive të tjera ligj zbatuese në Shqipëri me partnerët strategjikë ndërkombëtarë në luftë kundër terrorizmit është një tjetër faktor në disfavor të zhvillimit të terrorizmit në vendin tonë. Por pavarësisht këtyre faktorëve, apo punës parandaluese, lind nevoja për një marrëdhënie më të ngushtë mes Policisë dhe komunitetit të prindërve, me qëllim kontrollin e pandëprerë të fëmijëve për komunikimet online në rrjetet sociale”.

GRABITJA NË RINAS

Policia dhe Prokuroria arrestojnë 6 të dyshuar, zbardhet roli i tyre

Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, kanë ndaluar 6 autorë të dyshuar të ngjarjes së datës 09.04.2019, ku janë vjedhur me armë një sasi e konsiderueshme vlerash monetare në aeroportin e Rinasit dhe mbeti i vrarë një nga autoret e kësaj ngjarje. Në bazë të veprimeve hetimore të kryera dhe informacioneve të marra në rrugë operative si dhe provave të siguruara gjatë hetimit është bërë i mundur, në dy operacione të ndryshme, ndalimi i pesë autorëve të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, prova të shumta, të cilat do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.