» Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 83
Postuar më: 22/04/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 83

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 83

Ditari Javor 15-22 Prill KLIKO

QEVERIA GJERMANE NDIHMË POLICISË SË SHTETIT

Qeveria gjermane i dhuroi Policisë së Shtetit automjete e pajisje të sofistikuara me vlerë rreth 200 mijë euro. Drejtori i Përgjithshëm Veliu dhe Ambasadorja Schutz nënshkruan protokollin e dhurimit, në prani të ministrit të Brendshëm Lleshaj. Në takimin e zhvilluar në ambientet e Task Forcës Speciale Qendrore, u theksua bashkëpunimi mjaft i mirë që ekziston mes dy vendeve në fushën e shkëmbimeve policore, operacioneve të përbashkëta, të cilat kanë sjellë rritje të besimit dypalësh. Pajisjet e dhuruara do të përdoren kryesisht nga Policia Kriminale dhe Task Forca Speciale, e cila është ngritur për të luftuar grupet kriminale në Shqipëri ose jashtë vendit.

“NJË KONTROLL – NJË NDALESË” NË KUFIRIN ME KOSOVËN

Parlamenti miratoi me 86 vota pro, marrëveshjen që parashikon pikat aktuale, jo të përbashkëta të kalimit kufitar, të ndryshojnë statusin në pika të përbashkëta. Marrëveshja lehtëson qarkullimin e shtetasve dhe mjeteve gjatë kalimit të kufirit. Verifikimi kufitar kryhet i përbashkët dhe për pasojë minimizohet koha e përpunimit të të dhënave të shtetasve dhe mjeteve. Ministri Lleshaj shpjegoi gjatë fjalës së tij, nevojën e miratimit të kësaj marrëveshjeje, duke njoftuar se po bisedohet me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për pika kalimi të ngjashme. Në 2018, nga PKK Morinës kanë qarkulluar rreth 6 milionë shtetas në dy anët e kufirit, dhe kjo mënyrë kalimi parashikon një lehtësim dhe përshpejtim të procedurave për qytetarët.

INTERPELANCA NË KUVEND PËR GRABITJEN NË RINAS

Gjatë interpelancës me deputetët e opozitës, Ministri Lleshaj ka shpjeguar edhe njëherë me detaje, ecurinë e ngjarjeve dhe përgjegjësitë përkatëse të strukturave të ngarkuara me sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Ai u shpreh se kjo ngjarje është mjaft e rëndë, pasi është një episod i përsëritur, që ngarkon me përgjegjësi mjaft persona. Ministri shpjegoi se me një ligj të miratuar në Kuvend para 15 vitesh, përgjegjësia e sigurisë së Aeroportit të Rinasit i është transferuar një kontraktori privat, i cili nuk ka marrë as licensën për siguri private pranë Policisë së Shtetit. Policia ka tentuar të komunikojë me kontraktorin me dhjetëra herë duke i kërkuar rritjen e masave të sigurisë, por përgjigjet kanë qenë shpërfillëse. Pas ngjarjes, janë marrë masa të menjëhershme për forcimin e sigurisë në aeroport dhe tashmë është e garantuar që ngjarje të tilla të mos mund të përsëriten.

PROJEKTI STAR II – NË 15 BASHKI, “ONE STOP SHOP”

Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko e ftuar në emisionin ‘Wake Up’ ka bërë të ditur se në 15 bashki të vendit ka nisur zbatimi i parimit te lëvrimit të shërbimeve publike vendore në konceptin “One Stop Shop”, dhe se deri në fund të vitit 2019 kjo do jetë e zbatueshme në të gjitha bashkitë e vendit. Kuko ka theksuar se zyrat “One Stop Shop” janë në dobi të qytetarëve, të cilët do të mund të marrin rreth 57 shërbime të ndryshme vendore dhe në disa bashki edhe disa shërbime qendrore, në një ndalesë të vetme. Në bashkëpunim me ADISA, tashmë qytetarët nuk të duhet më të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin apo të sorollaten nga një zyrë në tjetrën, por brenda qytetit të tyre në një zyrë të vetme ata mund të marrin shërbimin e kërkuar për pak ditë. Ky është një projekt në kuadër të reformës territoriale dhe asaj të shërbimeve publike. “Pas reformës territorial, ne patëm bashki më të mëdha dhe me bashki më të mëdha vijnë dhe përgjegjësi më të mëdha dhe territore më të mëdha”, tha Kuko.

LUFTA KUNDËR NARKOTIKËVE

Policia e Tiranës finalizoi operacionin policor të koduar “Çokollata”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Për pasojë janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe janë sekuestruar 111 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, në formën e “çokollatës”. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.

POLICIA NË NDIHMË TË KOMUNITETIT

Patrulla policore gjen turistët e humbur në mal, pas 20 orë kërkimesh
Një çift turistësh belgë kanë humbur rrugën në një zonë të thellë malore të Himarës, ku po eksploronin natyrën në kushtet e një terreni të vështirë shkëmbor. Turistët kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila angazhoi në terren 15 efektivë. Pas 20 orë kërkimesh, këta të fundit arritën të gjejnë dy shtetasit e huaj. Në përfundim të operacionit, turistët falënderuan policinë për ndihmën e dhënë.