Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 82 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/04/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 82

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 82

DITARI JAVOR 8-14 PRILL 2019 – KLIKO

 

AKTET E DHUNSHME NË PROTESTËN E OPOZITËS, 61 TË NDALUAR

Policia e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka arrestuar 37 shtetas, të cilët akuzohen për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës shtetërore e private gjatë protestës së opozitës të datës 13 prill, të zhvilluar para Parlamentit. Ndërkohë 23 shtetas të tjerë po procedohen në gjendje të lirë. Gjatë protestës kanë mbetur të lënduar nga veprimet e dhunshme 5 punonjës policie të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policët e lënduar u vizituan në spitalin e Traumës nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

MINISTRI LLESHAJ DEKLARATË PËR PROTESTËN E DHUNSHME TË OPOZITËS

Pas akteve të dhunshme gjatë protestës së opozitës të 13 prillit, ku 5 efektivë të policisë mbetën të plagosur, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një deklaratë publike ka dënuar ashpër veprimet e opozitës, duke theksuar se akte të tilla dëmtojnë të ardhmen euro-atlantike të vendit. “Policia e Shtetit dha dje një tjetër shembull kuptimplotë dinjiteti në krye të detyrës, ndërsa dhunuesit e saj një tjetër arsye për t’u braktisur nga çdo qytetar i denjë i kësaj republike. Çdokush ka të drejtën të mos e ketë votuar dhe as të mos e mbështesë këtë qeveri, por gjithkush ka detyrën ta dënojë moralisht grupimin parapolitik, që ka krijuar braktisja e parlamentit nga dy parti të rrënuara në arsye e në moral. Ky grupim nuk po godet qeverinë, madje po e forcon! Nuk po godet partinë e shumicës, madje po e forcon! Ky grupim po godet shtetin dhe po dëmton të ardhmen euro-atlantike të vendit”, deklaroi ministri.

BASHKËPUNIM PËR SIGURINË E MBËSHTETJE PËR INTEGRIMIN

Ministri Lleshaj priti në një vizitë zyrtare Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të Republikës Çeke, z.Jan Hamáček me të cilin bisedoi rreth çështjeve me rëndësi reciproke, të tilla si emigracioni i paligjshëm, refugjatët, lufta kundër krimit të organizuar, integrimi në BE etj.. Hamáček tha se Çekia është pro integrimit europian të Shqipërisë e të rajonit dhe konfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për ta mbështetur Shqipërinë në këtë proces. Në takim u bisedua edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin policor në fushën e policisë kriminale, në fushën e mbrojtjes nga zjarri, në fushën e Policisë Rrugore, hetimit të aksidenteve, etj. Lleshaj e falënderoi homologun çek për mbështetjen e madhe që Çekia i ka dhënë përherë Shqipërisë.

NDERIM ISH-OFICERIT TË POLICISË

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr. 770, datë 02.04.2019 shpall “Dëshmor i Atdheut”, Artan Cukun dhe familjes së tij i jep simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”. Ministri Lleshaj i dorëzoi bashkëshortes së Cukut dokumentet dhe simbolet zyrtare gjatë një ceremonie të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme. Në ceremoninë e dorëzimit të simboleve, përveç familjarëve, ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes, Policia e Shtetit, përfaqësues të huaj të misioneve partnere të policisë etj. Z.Cuku ka mbajtur poste të ndryshme në polici që nga roli bazë, deri në drejtor drejtorie në qark. Ai u vra me atentat në 8 prill 2017 pranë apartamentit ku banonte. Autori dhe porositësi janë arrestuar dhe pritet të gjykohen.

MINISTRI LLESHAJ NË EMISIONIN “REAL STORY”

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i ftuar në “Real Story”, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Sokol Balla, në lidhje me grabitjen e ndodhur në Rinas, zjarrvëniet e qëllimshme, ndikimin e situatës aktuale politike në inkurajimin e veprimtarisë kriminale etj. Për ngjarjen në Rinas ai tha: “Eshtë një incident shumë i rëndë që goditi infrastrukturën tonë më të rëndësishme. Ajo që mund të them me siguri është se kemi të bëjmë me një vrasje gjatë shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe autorëve.” Për ndikimin e situatës aktuale politike në inkurajimin e veprimtarisë kriminale, ministri Lleshaj u shpreh: “Kjo klimë jopozitive e politikës në vend ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë duke inkurajuar çdo energji kriminale”.

DEKLARATË E MINISTRIT PËR NGJARJEN E RINASIT

Pas ngjarjes në aeroportin e Rinasit ku një grup kriminal theu gardhin e sigurisë dhe hyri në pistë duke grabitur një sasi të madhe valute që po ngarkohej në avion, Ministri Lleshaj mbajti një deklaratë për mediat ku sqaroi pozitën e Policisë së Shtetit dhe masat e marra për sigurinë në këtë objekt të rëndësisë së veçantë. Ministri nënvizoi se kompania koncesionare ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike të aeroportit. Ai theksoi se madje koncesionari ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike. Lleshaj tha se për sigurimin e aeroportit tashmë janë marrë të gjitha masat që garantojnë një nivel sigurie në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

REPLIKË NË PARLAMENT

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë e kanë në mision kushtetues sigurinë kombëtare të Shqipërisë” deklaroi Ministri Lleshaj gjatë një replike në parlament. Ai përmendi masat e marra për sigurinë e perimetrit të jashtëm të aeroportit ku tashmë përveç policisë, janë shtuar edhe trupa ushtarake. Ai nënvizoi se FA-të janë aty në mbështetje të policisë dhe se tashmë me masat e marra, aeroporti është vendosur në parametrat maksimalë të sigurisë. Ai hodhi poshtë nocionin e shkeljes së kushtetutshmërisë pas vendosjes së FA-ve në ruajtje të aeroportit.

PARANDALIMI I AZIL KËRKIMIT NË HOLANDË

Shtetasit shqiptarë nuk kanë asnjë mundësi ligjore për të fituar azil në Holandë. Kjo u konfirmua edhe njëherë gjatë vizitës së Ministrit të Emigracionit të Holandës Marc Harbers në Tiranë, ku u prit nga zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda. Ministri holandez tha se qëllimi i vizitës është që në bashkëpunim me autoritetet shqiptare të ndalojnë këtë tendencë të migrimit të parregullt drejt Holandës, ose tentativat e shtetasve shqiptarë për të kaluar në Angli nëpërmjet porteve holandeze. I pyetur nga gazetarët rreth mundësisë së rikthimit të vizave për shqiptarët, Ministri holandez tha se qëndrimi zyrtar i qeverisë holandeze është që të mbajnë sistemin pa viza. Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve krimin ndërkufitar, shkëmbimi i informacionit policor, organizimi i operacioneve të përbashkëta etj.

BESIMI I QYTETARËVE TEK POLICIA E SHTETIT

Gjatë muajit mars rreth 4000 qytetarë kanë denoncuar shkelje të ndryshme në trafik nga drejtuesit e mjeteve. Falë këtyre denoncimeve, Policia Rrugore ka mundur të reagojë në kohë dhe të zgjidhë situatat sipas rastit, duke penalizuar kundërvajtësit. Për rastet më tipike, imazhet ose videot e dërguara nga qytetarët, janë publikuar nga policia me qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe disiplinimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.