Ministri i Brendshëm Lleshaj në emisionin “Përballë”, në RTSH - VIDEO - Ministria e Brendshme
Postuar më: 09/04/2019

Ministri i Brendshëm Lleshaj në emisionin “Përballë”, në RTSH – VIDEO

VIDEO – Ministri Lleshaj në emisionin “Përballë” me gazetarin Lutfi Dervishi

Çështjet kryesore që trajtoi Ministri në këtë bisedë në studio, ishin:

Problemi kyç sot është raporti i policisë me publikun, ose raporti i publikut me policinë. Ne nuk mundet që gjënë tonë më të shtrenjtë, që është siguria t’ia besojmë vetëm policisë. Sepse siguria është një e mirë e madhe publike dhe arrihet vetëm kur kemi një bashkëpunim midis publikut ose shoqërisë civile dhe policisë. Megjithëse bashkëpunimi me policinë është rritur sot, për fat të keq edhe si pasojë e reminishencave të së kaluarës nga diktatura, ende në disa media sot bashkëpunëtorët perceptohen si spiunë. Këtu i referohem dhe disa mediave ku vendosin tituj si: spiuni mori në qafë filan person etj..

Unë them që policia është sot në ditë më të mirë në krahasim me periudhat e mëparshme. Çdo vit e më shumë tendenca pozitive e Policisë së Shtetit ka ardhur në rritje, duke filluar që nga viti 1997 që ishte zero, megjithëse nuk është analizuar kurrë. Në lidhje me përgjimet për drejtues të policisë, janë aq të stisura sa nuk ia vlen t’u kushtosh vëmendje.

Kemi një polici të vogël në numër e cila përballon një volum të madh pune.

Sigurisht që vendi ka grupe kriminale. Do të gënjenim veten nëse themi që nuk ka grupe kriminale në Shqipëri. Shumë grupe janë luftuar dhe shumë do të luftohen.

Fenomeni i kultivimit të kanabisit është tashmë i rrëzuar. Sasia e kanabisit të kultivuar në Shqipëri për vitin 2018 është pothuajse e papërfillshme dhe sasi të tilla mund të gjesh në çdo vend europian ku kultivohet.

Shqipëria është një vend me parametra të sigurisë publike shumë të krahasueshëm edhe me vendet europiane. Në kontekstin historik, Shqipëria ndodhet në nivelet më të ulëta të krimit që ka patur në historinë e saj. Shifrat tregojnë se Shqipëria është një vend me parametra sigurie të pranueshëm. Ka tregues ku ne jemi poshtë mesatareve europiane në kuptimin pozitiv.

Sot kemi ndjeshmëri më të lartë, kemi kërkesa edhe më të larta ndaj policisë, kemi pretendime më të mëdha për siguri, kemi një nivel të shtuar të kërkesës si publik dhe ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm që na motivon ne për të ecur më mirë më përpara.

Policia ka detyrë përballjen me krimin, por rritja, forcimi, konsolidimi i krimit është një problem që nuk është vetëm i policisë. Krimi i organizuar nuk njeh kufij, ai funksion dhe penetron atje ku gjen hapësira, atje ku ka interes

Policia është në gjendje të përballet me krimin dhe po e tregon përditë këtë, por ne nuk duhet të kemi iluzione se policia jonë është një strukturë alienë, që nuk ka asnjë nga veset që dominojnë shoqërinë tonë. Kemi probleme me respektimin e ligjit, me respektin ndaj disa vlerave morale, parimeve, të cilat i kemi harruar. Shoqëria nuk mbahet nën kontroll dhe në udhën e normalitetit vetëm përmes policisë.

Për të fituar besimin e publikut, policia duhet të ndryshojë veten. Eshtë një proces i vështirë, sepse të ndryshosh një strukturë prej mijëra vetash, të cilët kanë qëllime, programe e ambicie të ndryshme dhe që kanë pak mbështetje financiare krahasuar me grupe të tjera profesionale, ta zëmë me gjyqtarët, të cilët marrin një trajtim financiar të rëndësishëm, është një proces që kërkon më së paku kohën e nevojshme.

Vetingu i policisë është një proces i saponisur. Unë pres që ky proces t’i japë mundësinë çdo punonjësi policie të dëshmojë, të provojë se kush është! Të provojë nivelin e integritetit, të profesionalizmit dhe të përkushtimit të tij në kryerje të detyrës. Vetingu do t’u japë mundësinë atyre që janë në anën e ligjit, që janë me integritet, të dëshmojnë dhe vazhdojnë karrierën e tyre, ashtu sikundër do të krijojë një instrument për të mbaruar punë shpejt me ata që nuk e meritojnë vendin në Polici të Shtetit. Ne kemi bërë një ndërhyrje të rëndësishme në ligj dhe duam që vetingun ta adresojmë, në radhë të parë drejt drejtuesve të mëdhenj, për të mos zbritur të punonjësit e thjeshtë në rrëgë. Edhe ata do t’i nënshtrohen procesit, por në një fazë të dyrë, në mënyrë që të pastrojmë lidershipin.

Protesta (e 13 prillit) është një shqetësim për shkak të numrit të tyre të lartë. Eshtë krijuar një traditë, një ligjësi për mënyrën se si ato organizohen dhe çfarë prodhojnë. Përgjithësisht kanë qenë protesta të shoqëruara me dhunë ndaj policisë e institucioneve, të cilave unë si Ministër i Brendshëm nuk u kam kuptuar qëllimin. Eshtë i vështirë menaxhimi i një proteste ku opozita politike e vendit është organizatorja, pasi protestat bëhen kryesisht për t’u dhënë zë atyre që nuk e kanë. Ky është qëllimi i protestës; nuk është dhuna. Revolucionet besoj i kemi hequr nga katalogu i sjelljes politike, për sa kohë kemi kuptuar që “Revolucioni i Tetorit” (Rusi), ishte një tragjedi e madhe në historinë e botës. Sot nuk ka asnjë kuptim politik dhuna në vetvete. Jemi në një situatë paradoksale. Kemi një opozitë politike e cila ishte e përfaqësuar gjerësisht në parlament. Heq dorë nga zëri dhe del në rrugë për të bërë diçka që nuk dimë se çfarë! Kam pyetur shpesh e madje kam diskutuar edhe me drejtuesit e policisë, “sikur t’i lëmë këta të hyjnë në parlament, çfarë do të bëjnë?” Do të vrasin deputetët? Apo do të hyjnë ta djegin parlamentin apo kryeministrinë? Përgjigjja e tyre ka qenë që s’mund t’i lëmë, sepse edhe këto mund të ndodhin, por unë nuk dua ta besoj këtë. Paradoksi që arrin në përmasat e komikes është te parlamenti, ku ata ishin brenda, – dolën, – dhe tani vijnë, të përforcuar edhe më punonjës të bashkisë dhe tentojnë të futën tashmë me forcë në parlament.

Shqipëria ka pasur një kurbë zhvillimi të kanabisit, që fillon me zero në vitet ’90, se atëherë e kemi njohur si bimë dhe si fenomen, është rritur dhe ka arritur një kulm, atëherë kur Lazarati u institucionalizua si një ekstra-territorialitet i Shqipërisë. Ka qenë një term politikisht i pranuar, ju besoj e dini që është pranuar hapur nga Kryeministri i kohës që: Po ka qenë vendim politik për ta lejuar. Por Lazarati prodhonte një sasi të jashtëzakonshme kanabisi, e cila mungon në të gjitha statistikat zyrtare. Nëse të gjitha statistikave të vitit 2014, u shtojmë Lazaratin automatikisht vijmë në përfundimin që para Lazaratit dhe 2016-a, pak a shumë, niveli i përgjithshëm I kultivimit të kanabisit në Shqipëri ka qenë në të njëjtat shifra. Prandaj nuk mund të them që 2016 ishte një aksident historik. Viti 2016 ishte një pasojë e faktit që pas rrëzimit të Lazaratit, menaxhimi i pjesës tjetër nuk u bë ashtu siç duhet, patëm një transferim të Lazaratit drejt qosheve më të largëta të vendit dhe menaxhimi nuk u bë aq sa duhej.

Protesta e opozitës së datës 13 prill është një problem, e konsiderojmë një problem për sa kohë të gjitha protestat para saj kanë pasur dhunë. E reja e kësaj është që është zgjedhur të bëhet natën.
Këtu ndodh që përballë policia ka ish-ministrin, ish-kryeministrin, ke atë që do të bëhet kryeministër nesër dhe policia ka një vështirësi objektive për t’u sjellë. Si mund t’i biesh ti ish-ministrit që dikur të ka dhënë urdhra apo ministrit të ardhshëm? Keni parë skena që ish-ministrit futet në komisariat dhe bënë skena , prandaj duhet të them që kjo e vështirëson, pasi dhuna këtu është politike. Nuk është dhunë e grupeve të caktuara interesi.

Debati duhet të bëhet në rrafshin e politikës; nëse politika e braktis dhe në rastin më të mirë, kthehet në para-politikë, atëherë vështirësohet puna se kemi zbritur në nivelin e dhunës fizike. I keni parë skenat e turpshme, që dy palë përballë Parlamentit shtyhen dhe kush dominon në fuqinë muskulore për të depërtuar, protestuesit për hir të së vërtetës nuk janë të motivuar nga bindjet e tyre, por kryesisht janë punonjës bashkish të paguar për të ardhur në protestë…. Ditët e javës bashkitë mbyllen, shërbimet pushojnë.

Sjellja e Policisë së Shtetit shqiptar ka qenë pa asnjë vërejtje, të paktën nga kushdo që na sheh në mënyrë kritike, pasi procesi i menaxhimit të një proteste monitorohet nga shumë sy të huaj partnerë. Në qendrën e drejtimit nuk jemi asnjëherë vetëm, atje ka përfaqësues të shumë institucioneve partnere monitoruese ndërkombëtare të cilat janë aty për të monitoruar dhe e ndjekin të gjithën. Prej tyre më është thënë që sjellja e policisë ka qenë sipas “një teksti shkollor” .

Objektivi politik i ministrit në raport me menaxhimin e tyre, se ministri ka një rol patjetër por për të përcaktuar objektivat çfarë duhet të arrihet dhe kjo ka qenë:
Strategjinë e kam pagëzuar për t’u mbajtur mend lehtë “1-1-0” që do të thotë: -e para, -Policia duhet të veprojë gjithmonë një hap më mbrapa në kohë; pra të mos jetë kurrë ajo që e bën hapin e parë, por gjithmonë e dyta në reagim. E dyta është një shkallë më poshtë në nivelin e dhunës së përdorur, pra n.q.s ata që ka përballë policia, përdorin një masë të caktuar dhune, policia duhet të jetë një shkallë më mbrapa. Shifra e tretë “zero”, do të thotë: asnjë viktimë.

Jam shumë krenar që e kam thënë këtë kufizim kaq të madh, por e ndjej që kjo është shndërruar në një barrë më të madhe për policinë, sepse është e lehtë ta thuash këtë dhe shumë e bukur ta kërkosh, por është e vështirë ta realizosh.

Nëse ne shohim historinë e protestave tona, të kësaj natyre në Shqipëri nuk gjen asnjë të kësaj natyre që nuk është shoqëruar me viktima. Se nuk kemi pasur shumë të kësaj natyre. E fundit, duke përjashtuar serinë e këtij viti, është 2011 , e cila e dini vetë se çfarë prodhoi, pra një protestë e dhunshme ku dhuna e protestuesve u shoqërua me një super-dhunë që përfundoi në masakër nga forcat e rendit. Të njëjtat forca rendi kanë qenë edhe atëherë, nuk ka ndryshuar policia, ka pasur ndryshime të vogla drejtuesish por në thelb është e njëjta organizatë, me të njëjtën njerëz. Ka ndryshuar strategjia. Strategjia ka qenë e qartë: 0 viktima. Policia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta ruajtur këtë dhe e ka ruajtur. Jam i bindur që policia do ta ruajë dhe nuk do ta cenojë këtë kërkesë madhore, prioritare. Ne nuk mund të krijojmë viktima shqiptarësh në rrugët e vendit tonë, sado që ata të kenë dal nga hullia e ligjit, edhe në ushtrofshin dhunë, edhe në qofshin të pasjellshëm e të paedukuar, etj., gjaku në rrugët e Shqipërisë nuk duhet të derdhet nga shqiptarët. Ajo histori që kemi në të kaluarën tonë duhet të na bëjë me turp. Kurrë s’e kemi realizuar, as nivelin shoqëror, as nivelin e shkollës, as nivelin e akademisë, nivelin gjyqësor jo e jo që të japë dikush përgjigje pse u vranë mijëra njerëz në ’97 p.sh.? S’e kemi dhënë kurrë këtë përgjigje si shoqëri. Janë vrarë jo qindra, por mijëra shqiptarë nga shqiptarët jo në kushte lufte. Nuk ka dhënë kurrë asnjë përgjigje, s’ka mbajtur kurrë askush përgjegjësi sado të vogël, as politike, as ligjore, as morale. Ne jemi të qartë, ne nuk prodhojmë viktima në rrugët e Shqipërisë, pavarësisht se dikush ndoshta mund të ketë nevojë për ta.

Nuk ka ndryshuar gjë në sjelljen e policisë, ka pasur ndryshim në sjelljen e protestuesve ndaj policisë që ka sjellë një nivel më të moderuar. Qasja ka qenë e njëjtë; gazi është përdorur kur të gjitha mjetet e tjera kanë shteruar të japin efektin e duhur që është: të mbrohet jeta e punonjësve të policisë, pastaj të mbrohet institucioni për të cilin ata janë aty. Ata janë aty për të mbrojtur një institucion kushtetues.

Në çdo vend të botës njerëzit lëvizin për arsye nga më të ndryshmet. Ka sinjale që rajoni në tërësi mund të preket nga valë të ndryshme refugjatësh dhe emigrantësh. Në Turqi sot ka rreth 3.5 milionë sirianë të zhvendosur, refugjatë që jetojnë në tenda. Po kështu ka disa dhjetëra mijëra emigrantë, në Greqi dhe të gjithë kanë aspiratë për të lëvizur drejt Europës.

Nuk besoj se Shqipëria mund të përballet me dyndje azilkërkuesish apo të jetë vend tranzit. Megjithatë janë marrë masa që kjo gjë të frenohet. Viti 2018 ka shënuar një rritje numerike të refugjatëve krahasuar me vitin 2017, por sigurisht jemi ende në kufij të pranueshëm, të menaxhueshëm. Disa largohen për arsye jetese, por ka edhe rrjete kriminale shqiptare apo edhe ndërkombëtare, që i shfrytëzojnë këto flukse dhe fatkeqësitë e këtyre njerëzve për të bërë para.

Ka patur një anomali në flukset e shqiptarëve drejt vendeve perëndimore në vitin 2015, kur filloi kriza e refugjatëve në Siri hapja e korridorit ballkanik, që u nisën drejt Europës. Dhe besimi që tashmë Europa ka hapur dyert, bëri që shumë shqiptarë të niseshin drejt Europës, por që nga ai vit, numri ka ardhur në ulje të jashtëzakonshme. Sigurisht ne po marrim masa për të sqaruar qytetarët që është një iluzion i rremë, i kotë, i padobishëm, që nuk ju sjell asgjë, për arsye se Shqipëria është një vend i sigurtë, dhe vendet e BE nuk japin azil për shqiptarët, sepse Shqipëria nuk është në listën e vendeve ku ka persekutim politik që të mund të justifikohet azili. Kjo nuk është zgjidhje dhe krijon rreziqe udhëtimi edhe për qytetarët e tjerë.

Operacioni “Forca e Ligjit” ka një progres të vazhdueshëm ndërsa fakti që ju nuk na shihni në media, ka qenë një qasje personale e imja. Mund të raportojmë çdo ditë arrestime, kapje, etj.. Vetëm dje mund të dilja dhe të raportoja kapjen e një bande, madje mund të bëja edhe konferencë për shtyp. Rëndësi ka vënia e drejtësisë, publikimet janë bërë nga komisariatet e policisë, por nuk është bërë një marketing i madh politik. Unë nuk preferoj ta bëj, sepse më duket i padobishëm, por kjo nuk do të thotë se nuk ka zhvillime. Nuk mjafton thjesht një “task forcë” për ta zgjidhur problemin, por përmes forcës së ligjit duhet shkuar në formë kapilare kudo që krimi është, për ta luftuar atë, këtë mund të them për Operacionin e “Forca e Ligjit”.