» Zv.ministrja e Brendshme pret ministrin e Migracionit të Holandës: Bashkëpunim i shkëlqyer, asnjë shans për azil
Postuar më: 08/04/2019

Zv.ministrja e Brendshme pret ministrin e Migracionit të Holandës: Bashkëpunim i shkëlqyer, asnjë shans për azil

Konferenca e përbashkët për media e zv.ministres së Brendshme Rovena Voda dhe Mark Harbers, ministër për Migracionin i Holandës:

Zv.ministrja Voda: Pata kënaqësinë të pres dhe bisedoj sot me z. Mark Harbers, Sekretar i Shtetit për Migracionin i Mbretërisë së Holandës. Ndamë qëndrime të përbashkëta çështje të tilla të tilla si migracioni, përkatësisht azilantët e parregullt, krimi ndërkufitar, shkëmbimi i informacionit policor, organizimi i operacioneve të përbashkëta ndaj krimit të organizuar etj..

Gjithashtu ramë dakord për nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, përkatësisht të agjencive ligj zbatuesve që merren me çështjet e kufirit dhe migracionit. Por, natyrisht në fokus të bisedës sonë ishin kryesisht çështjet që kanë të bëjnë me fenomenet e migracionit të paligjshëm dhe të azil kërkimit. Vërejmë me kënaqësi që në dy-tre vitet e fundit, kurba e azilkërkuesve shqiptarë në fakt drejt vendeve të BE është ulur ndjeshëm por mbetet ende sigurisht shumë për të bërë.

E falënderova z. Harbers, për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria holandeze ka dhënë për Shqipërinë në vite, veçanërisht në përballimin e fenomenit të azil kërkuesve të paligjshëm. Me këtë rast dua të theksoj se niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve tona është shumë i mirë dhe i mbështetur me rezultate konkrete. Nga ana tjetër falënderova z. Mark Harbers për mbështetjen që Holanda i ka dhënë procesit të integrimit të vendit tonë në BE.

I bëra të njohur z. Harbers paketën e masave që ka hartuar dhe po zbaton vendi ynë me qëllim parandalimin e fenomenit të migracionit të parregullt jo vetëm drejt Holandës, por edhe vendeve të tjera të BE-së, që mund të preken nga ky fenomen. Nënvizoj se Shqipëria bën pjesë në listën e vendeve të origjinës së sigurt, prandaj është e pamundur që një shtetas shqiptar të përfitojë azil në Holandë apo në vendet e tjera të BE-së.

Që prej muajit korrik 2017, Policia e Shtetit ka përforcuar masat në çdo pikë të kalimit kufitar, e shoqëruar kjo edhe me penalitete për kundërvajtësit, sidomos për prindërit që tentojnë të shpien të pashoqëruar fëmijë të mitur në hapësirën ‘Shengen’.

Qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të posaçme frenimit të fenomenit të azilantëve të parregullt:

  • Ne kemi ndërmarrë fushata sensibilizuese intensive në 12 qarqet e vendit, (një nismë kjo me mbështetjen edhe të qeverisë holandeze);
  • kemi proceduar penalisht apo përmes masash administrative favorizuesit apo nxitësit e fenomenit të azilit të paligjshëm;
  • kemi arrestuar punonjës policie që kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar kalimin e personave me probleme në dokumentacion për të udhëtuar në hapësirën ’Shengen’;
  • kemi goditur grupet kriminale që janë të përfshira në një veprimtari të tillë të paligjshme. Në këtë kuadër janë zhvilluar 2 operacione shumë të suksesshme, kundër grupeve kriminale që merreshin me kontrabandimin e personave në vende të ndryshme drejt BE-së ose SHBA-së, të tilla si  “One If – By Land” dhe “Rruga e gabuar”, të cilët rezultuan me dhjetëra të arrestuar.

Vërejmë me kënaqësi që masat e marra kanë dhënë deri tani një efekt të dukshëm pozitiv, në përgjithësi. Për vitin 2018, sipas të dhënave të Eurostat kemi një ulje në krahasim me vitin paraardhës, rreth 20 % të kërkesave për azil. Edhe për këtë vit, autoritetet tona të kufirit kanë vijuar zbatimin me rigorozitet të planit të masave dhe mjafton të kujtojmë faktin që në 3 muajt e parë të këtij viti, iu është refuzuar dalja rreth 5,400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni.

Bëjmë me dije gjithashtu se Ministria e Brendshme ka hartuar dhe po implementon një Plan Veprimi të gjerë për parandalimin e fenomenit të azilit në vendet e BE-së dhe zonën ‘Shengen’. Sigurisht ne jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me partnerët tanë për të analizuar në detaje fenomenin e azil kërkimit, si dhe të shkaqeve dhe faktorëve që e nxisin atë. Theksojmë me këtë rast se shtetasit që duan të emigrojnë nga Shqipëria, kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë, por vetëm përmes rrugës së ligjshme.

Edhe njëherë falënderoj kolegun tim, zotin Harbers për bisedën shumë frytdhënëse që ne patëm dhe që besoj do të ndihmojë në intensifikimin e bashkëpunimit që qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme shqiptare ka me Ministrinë e Brendshme dhe të Drejtësisë holandeze. Faleminderit!

(VIDEO_Deklarata në Anglisht KLIKO)

Ministri Harbers: Në emër të delegacionit tim, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Zv.ministren Rovena Voda për mikpritjen e mrekullueshme, njëkohësisht edhe për bashkëbisedimin që sapo patëm.

Kjo është vizita ime e parë në këtë vend të bukur, të cilin shumë nga bashkatdhetarët e mi e njohin nëpërmjet Misionit paqeruajtës të të famshmit Majorit Tomson, pak pas shpalljes së Pavarësisë suaj, në 1914. Sigurisht që për disa prej anëtarëve të delegacionit dhe për mua, misioni i Tomsonit është një apel i veçantë. Njësoj si dhe Brigadier Gjeneral Marty Messerschmidt, Tomsoni ishte një oficer i lartë i Xhandarmërisë sonë, Policisë Mbretërore të Holandës. Por edhe si unë, Tomsoni ishte një ish-anëtar i Parlamentit, për më tepër një liberal.

Përpara konsultimeve me zv.ministren Rovena Voda, unë pata mundësinë të vizitoj vijën kufitare në Aeroportin e Rinasit. Pas kësaj konference për shtyp unë do të takohem me zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe Policisë Kufitare dhe Migracionit.

Tema kryesore e vizitës sime është migracioni i paligjshëm nga Shqipëria dhe kalimi i paligjshëm nëpërmjet Holandës. Qëllimi im është të ndalojmë këtë migracion të paligjshëm, duke punuar ngushtësisht me autoritetet shqiptare.

Për fat të mirë, bashkëpunimi ynë deri tani ka qenë i shkëlqyer në çdo nivel. Kjo edhe falë punës tepër aktive të Ambasadores suaj në Holandë, por njëkohësisht edhe bashkëpunimit me autoritetet përkatëse shqiptare. Unë jam mirënjohës për këtë dhe dua të shpreh vlerësimin tim të sinqertë për të gjitha përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për të parandaluar emigracionin e paligjshëm drejt Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe Holandën. Për shembull, nëpërmjet kontrolleve më të forta kufitare, si brenda dhe jashtë vendit, duke rritur ndërgjegjësimin përmes kryerjes së fushatave të ndërgjegjësimit që targetojnë emigrantët potencialë.

Të rritësh ndërgjegjësimin e qytetarëve është jashtëzakonisht e rëndësishme, për shkak se emigracioni i paligjshëm ka pasoja të shumëfishta. Emigrantët e paligjshëm kanë rrezikun që të shfrytëzohen gjatë udhëtimit të tyre dhe të hasin në detyrime financiare për shkak të praktikave të trafikimit të qenieve njerëzore.

Për më tepër, rrethanat në të cilat emigrantët synojnë të kapërcejnë në mënyrë të paligjshme Kanalin nga porti i Rotterdamit drejt Mbretërisë së Bashkuar janë shpesh herë tejet denigruese dhe shumë të rrezikshme.

Shtatorin e kaluar, 18 emigrantë u nxorën për fat në kohë nga një kontejner frigoriferik i mbyllur në portin e Rotterdamit. Këta emigrantë kanë parë vetëm muret e brendshme të kontejnerit, dhe nuk e kishin idenë se ku ishin saktësisht. Fatmirësisht, shërbimi i Urgjencës pati mundësinë ta gjurmonin vendndodhjen duke përdorur të dhëna GPS nga celulari. Sikundër në çdo port, me mijëra kontejnerë ngarkohen njëri mbi tjetrin në atë vendndodhje. Vetëm falë pajisjeve speciale dhe një doze të mirë fati, këta njerëz u nxorën në limitet e mundshme të kohës. Por është e thjeshtë për të imagjinuar se si kjo situatë mund të kishte qenë fatale.

Ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur qytetarët shqiptarë për të mos bërë zgjedhje që shpesh të çojnë në këto rrethana çnjerëzore. Ose duke u kacavjerrë në aksin e një kamioni për kilometra të tëra, ose të shtypur në një pjesë të ngushtë pa ajrosje në fund të kamionit. Të dyja janë rrugë të pashpresa. Jetët e këtyre njerëzve janë në rrezik. Dhe ajo që e bën këtë observim edhe më të dhimbshme është fakti që gratë shtatzëna apo edhe fëmijët nuk bëjnë përjashtim nga kjo. Kjo duhet të marrë fund.

Falë bisedimit dhe mirëkuptimit që sapo patëm me zv.ministren, unë besoj që është detyra jonë, por posaçërisht e Shqipërisë që të ndalojë këtë, pasi kaq detyrim e kanë ndaj qytetarëve të vet. Prandaj, mesazhi im për qytetarët shqiptarë që planifikojnë të vijnë në Holandë është shumë i qartë:

Së pari, nuk ka asnjë shans për këta emigrantë për të fituar azil në Holandë. Edhe nëse dikush nuk kthehet në mënyrë vullnetare në Shqipëri, atëherë do të bëhet objekt i një rikthimi të detyruar, që përfshin edhe ndalimin administrativ.

Së dyti, për ata të cilët iu shkon në mendje që të kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin nga Holanda për në Mbretërinë e Bashkuar, çdo përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme Kanalin ka vetëm një rezultat: në një biletë vetëm kthimi për në Shqipëri dhe një ndalim udhëtimi për dy vjet në gjithë zonën Shengen.

Një rikthim i shpejtë është pa dyshim i garantuar. Holanda dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim të shkëlqyer për riatdhesimin/rikthimin. Megjithatë, numri i shqiptarëve të paligjshëm në portet detare holandeze, të cilët përpiqen të kalojnë ilegalisht për në Mbretërinë e Bashkuar, mbetet i lartë. Shqiptarët përbëjnë më shumë se gjysmën e emigrantëve, të cilët bëjnë përpjekje të tilla. Përpjekje të tilla janë të pashpresa. Natyrisht, të gjithë emigrantët janë kapur dhe arrestuar nga pjesa holandeze e Kanalit;

Dhe për ata pak që arrijnë të kalojnë në anën tjetër janë  kolegët tanë britanikë janë në pritje nga ajo anë. Numri në rritje i arrestimeve është pjesërisht për shkak të masave ekstra  që ka ndërmarrë Holanda. Prezenca dhe kontrollet e Xhandarmërisë Mbretërore Holandeze dhe Policisë portuale janë intensifikuar. E njëjta gjë vlen për mbikëqyrjen nga ana e policisë që merret me të huajt brenda dhe përqark ambienteve të portit.

Kontrolli i kufirit është i mbështetur nga  përdorimi i qenve të emigracionit të cilët janë të trajnuar në mënyrë specifike, vënia në dispozicion e një helikopteri dhe sistemeve të kamerave. Gjithashtu policia ndërmerr kontrolle të veçanta mbi emigracionin e paligjshëm edhe në pjesën tokësore, duke përfshirë vend-parkime të njohura për përdorimin nga ana e klandestinëve që fshihen për të kapërcyer brenda apo fshehur poshtë kamionëve. Për ta bërë këtë, ne bashkëpunojmë ngushtësisht me kolegët tanë belgë dhe britanikë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Përveç numrit të lartë të emigrantëve të paligjshëm në portet tona, të cilët përpiqen që në mënyrë të paligjshme të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar si klandestinë të fshehur nëpër kamionë, numri i shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar për azil në Holandë është rritur sërish vitin e kaluar.

Këto përkufizojnë zero shans për aplikimet për azil. Në vitin 2018 të gjitha aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë janë refuzuar. Sepse Shqipëria cilësohet si një vend i sigurtë. Varfëria apo mungesa e shpresës nuk përbëjnë arsye për azil.

Aplikimet për azil nga vendet e sigurta procedohen me prioritet, pas të cilit azil-kërkuesi kthehet shumë shpejt mbrapsht në vendin e tij të origjinës.  Edhe në rastet e apelimit, e gjithë procedura mund të përfundojë brenda 8 javësh.

Dhe në mbyllje dua të theksoj faktin që do të bëjmë të gjithë përpjekjet tona për të evituar faktin që këta emigrantë të paligjshëm të përfundojnë në një situatë tejet çnjerëzore. Dhe së fundit dëshiroj të falënderoj zv.ministren Rovena Voda dhe pres me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit tonë të shkëlqyer dypalësh.

Pyetje: Ju përmendët tani se migracioni i paligjshëm është një shqetësim për Holandën. Tre partitë kryesore në Holandë kanë bërë një propozim për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Ju personalisht a e mbështesni këtë propozim dhe a mendoni se rikthimi i vizave me Shqipërinë do të ulte fluksin e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në Holandë?

Mark Harbers: Besoj pyetja juaj kishte 2 nën pyetje; pra një shqetësim është fakti që ne flasim për emigrantët, që janë si të thuash të abandonuar, të detyruar të udhëtojnë në mënyrë të fshehur. Një problem është situata e tyre çnjerëzore, por ky transport i paligjshëm ose fshehja në kamionë përbën shqetësim edhe për vetë kompanitë e transportit. Kjo është arsyeja që shpesh rastet e emigrantëve të tillë të fshehur ose që transportohen me kamionë, direkt të nesërmen dalin në faqet e para të shumë gazetave; kjo për faktin se hyrja e emigrantëve detyrimisht duhet të hedhin jashtë një sasi malli dhe njëkohësisht të qëndruarit e tyre për kohë të gjatë aty, mund të dëmtojë fare mirë mallrat, pra është dëmi që u shkaktohet kompanive të transportit, që detyrimisht përfundojnë në faqet e para të gazetave. Dhe shpeshtësia e këtyre lajmeve bëjnë që herë pas here edhe në qarqet politike të diskutohet çështja e heqjes të sistemit pa viza.

Por qëndrimi zyrtar i qeverisë holandeze është që ne të mbajmë sistemin pa viza për shqiptarët që të mund të udhëtojnë në Shengen apo BE. Nga ana tjetër ne jemi duke monitoruar, duke lexuar me imtësi çdo raport monitorimi, por falë edhe përpjekjeve të BE-së dhe të qeverisë shqiptare, jemi të mendimit që po ecim në drejtimin e  duhur dhe duhet të ruhet sistemi pa viza.

Ne jemi të mendimit që bashkëpunimi ynë me autoritetet shqiptare, kjo është dhe arsyeja e vizitës sime këtu, është të rrisë më tej bashkëpunimin tonë,  pra nuk jemi në favor të heqjes së sistemit të vizave, por nga ana tjetër ky bashkëpunim duhet të dëshmohet me rezultate të prekshme dhe kur i kemi këto, jemi gjithmonë të idesë se duhet të vazhdojmë akoma më tej në këtë linjë. Faleminderit!