Ndryshimet në ligjin për Vettingun/Fjala e ministrit Lleshaj në Kuvend - Ministria e Brendshme
Postuar më: 28/03/2019

Ndryshimet në ligjin për Vettingun/Fjala e ministrit Lleshaj në Kuvend

VIDEO – Fjala e mbajtur nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në seancë plenare, ku prezantoi ndryshimet e propozuara për ligjin e Vettingut në Polici, Gardë e SHÇBA, miratuar me 76 pro, 6 kundër dhe 6 abstenim:

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Së pari kërkoj ndjesë për mungesën gjatë diskutimeve të mëparshme, për arsye të një takimi që zhvillova me Ministrin e Holandës për Drejtësi dhe Sigurinë. Takim që vjen pas një vizite po ashtu të rëndësishme në Francë, të cilat na dëshmojnë edhe njëherë që partnerët tanë ndërkombëtarë vijojnë të kenë një mbështetje të jashtëzakonshme për reformat në tërësi, për reformën në drejtësi në veçanti, për reformën në Policinë e Shtetit, dhe organet ligj zbatuese të këtij vendi, të cilat po përballojnë një volum jashtëzakonisht të rëndësishëm pune, barre, përgjegjësie, edhe në kushte të një klime jo normale politike të shkaktuar nga dalja e opozitës nga parlamenti, zgjedhja e rrugës në vend të parlamentit.

Megjithatë nuk do ndalem në aspektet politike të situatës, dua të merrem thjeshtësisht dhe shkurtimisht me thelbin e ndryshimeve në ligjin  që propozohen sot për kalimin dhe vlerësimin periodik, të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Dihet që vlerësimi i punonjësve të organeve ligj zbatuese në varësi të Ministrisë së brendshme është një prioritet i rëndësishëm, i cili përbën një kusht të rëndësishëm për suksesin përfundimtar  të reformave të mëdha që janë ndërmarrë në vend dhe kryesisht për reformën në drejtësi.

Pa një reformim të thellë edhe në fushën e Policisë, reforma në drejtësi nuk do të ishte e plotë. Kështu që ligji i miratuar në vitin 2018 për vlerësimin kalimtar të punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës, SHÇBA është i një rëndësie të jashtëzakonshme, dhe qëllimi i ndryshimeve të ndërmarra së fundi, të cilat janë propozuar sot, dhe për të cilin kërkojmë dhe miratimin tuaj, lidhet me përmirësimin e procesit, bërjen  e tij më dinamik  dhe përfundimin e tij në kohën e duhur.

Mekanizmi i parashikuar në ligjin ekzistues parashikon ngritjen e një serie të tërë organesh vlerësimi kalimtarë të punonjësve të institucioneve në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Sipas këtij modeli kaskadë, vlerësimi kryhet në tre faza, ku në çdo fazë vlerësohen afërsisht 300 në të parën, 3 mijë në të dytën dhe 9 mijë punonjës në të tretën. Për kryerjen  e këtij procesi është parashikuar edhe ngritja e  një serie komisionesh dhe sekretariatesh teknike mbështetës të cilat janë përkatësisht 30, 90 dhe 270, që shkojnë pra rreth 390 persona të cilët do të merren me kryerjen e Vettingut në Policinë e Shtetit, njerëz të dedikuar me kohë të plotë këtij procesi.

Problemet kryesore që lidhen  me këtë model, që është ende në fuqi janë: Koha, kosto dhe krijimi  i një gjendje disi provizore në motivimin  e një personeli të madh të Policisë së Shtetit, i cili bashkë me Gardën e Republikës  dhe me SHÇBA-në shkon rreth 13 mijë punonjës.

Vëllimi i  punës që kërkohet për të bërë Vettingun e punonjësve në strukturat e Ministrisë së Brendshme është i ngjashëm  me atë që kryhet për të bërë Vettingun e punonjësve në sistemin e drejtësisë, pra një volum shumë i madh dhe të gjithë jemi të qartë se sa kohë, sa volum ka marrë Vettingu i punonjësve në sistemin e drejtësisë, i cili për hir të vërtetës duhet thënë që ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme si nga institucionet kombëtare por dhe nga institucionet ndërkombëtare.

Deri më sot, pra ju e dini se kur ka filluar Vettingu në sistemin e Drejtësisë, rreth 111 persona  kanë kaluar procesin  dhe në qoftë se në sistemin  e Drejtësisë  janë rreth 800 persona që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut, në sistemin e Ministrisë së Brendshme ky numër është rreth 13 mijë veta.

Problemi themelor  që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën, e cila është në dispozicion për të mbyllur procesi e Vettingut. Sipas ligjit aktual, procesi i Vettingut për 13 mijë punonjës të Ministrisë së Brendshme duhet të mbyllet në marsin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar dhe praktikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ky proces të mbyllet ashtu sikundër ligji e parashikon, pra në marsin e vitit të ardhshëm.

Kjo ka qenë një ndër arsyet bazë, e cila ka motivuar dhe kërkesën drejtuar qeverisë, e cila sot është shndërruar në projektligj dhe ka mbërritur në parlament, për të bërë disa ndërhyrje në ligjin ekzistues për Vettingun.

Dua të them që në fillim që ndryshimet e propozuara nuk prekin aspak thelbin e procesi të Vettingut, përkundrazi, i gjithë ndryshimi bëhet në shërbim të një procesi më të shpejtë dhe më të vendosur.

Një arsye tjetër që ka të bëjë me kërkesën për të ndryshuar ligjin lidhet me volumin e madh administrative që kërkohet për të realizuar atë, kërkohet që rreth 240 punonjës me kohë të plotë, nga strukturat e Policisë dhe të SHÇBA, të shkëputen nga funksioni i tyre bazë dhe ti dedikohen Vettingut me kohë të plotë, pra kjo është një volum shumë i madh administrativ dhe këtij volumi administrativ  i bashkëshoqërohet dhe një faturë jo e parëndësishme financiare,, e cila shkon rreth 3 milionë dollarë, kosto e parashikuar e këtij procesi.

Çfarë parashikohet për ndryshim?

Së pari, propozohet që punonjësit e SHÇBA-s, e cila është strukturë e dedikuar për t’u kujdesur për integritetin e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës,  të kalojnë Vettingun në fazën e pare të tij. Ligji aktual parashikonte që SHÇBA-JA të kalonte në një fazë të dytë, jo në fazën e parë. Ne propozojmë që SHÇBA të kalojë në fazën e parë me qëllim që SHÇBA-ja të shndërrohet në aktorin kryesor të procesit për më tej, ashtu sikundër  e parashikon dhe ligji organik i saj, si strukturë, siç e përmenda më parë, ekziston për tu kujdesuar që Policia e Shtetit dhe Grada e Republikës të jenë struktura të pastra, me integritet dhe të angazhuara vetëm në shërbim të ligjit dhe në asnjë lloj shërbimi tjetër.

Vlerësimi i fazës së parë do të mbetet i pandryshuar, siç është, do të kryhet nga një Komision i Jashtëm prej 15 anëtarësh dhe një staf teknik prej 15 personash. Komisioni i Jashtëm ndërkohë është ngritur dhe ka filluar punën e tij dhe kjo ka shënuar praktikisht fillimin e procesit zyrtar të Vettingut dhe pritet që në një kohë të shkurtër të fillojë dhe të hapen dhe dosjet e para të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit  dhe Gradës së Republikës, me qëllim që rezultatet e para të procesit të jenë të prekshme në një kohë shumë të shkurtër.

Ndryshimi i dytë që propozohet qëndron në faktin SHÇBA-ja do të shndërrohet në një strukturë, e cila do të kryejë më tej Vettingun për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, pra fazën e dytë dhe të tretë, për punonjësit e nivelit të mesëm dhe atyre të nivelit bazë.

Pra, ndryshe nga sa e parashikon ligji aktual ku ky vlerësim në fazën e dytë dhe të tretë do të kryhej nga struktura ad-hoc, me propozimet e bëra ky vlerësim duhet të bëhet nga vetë SHÇBA-ja.

Ne besojmë fort që këto ndryshime kanë disa avantazhe, përveç faktit që e sjellin në kohë të gjithë procesin dhe nuk bëjnë që të na skadojë afati pa bërë pothuajse asgjë, këto kanë një impakt të rëndësishëm.

Së pari, lidhet me standardin e njëjtë që përdorim duke përdorur SHÇBA-në si strukturë e cila do të bëjë Vettingun për fazën e dytë dhe të tretë, pra për trupën e nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, do të thotë që të ruhet i njëjti standard vlerësimi por mbi të gjitha të shkurtohet shumë koha për arsye se SHÇBA-ja, duke qenë se është vetë aktori i këtij procesi, do të ketë në dispozicion, në kohën më të shkurtër, të gjithë bazat e të dhënave dhe informacionet e nevojshme mbi bazën e të cilave kryhet në fakt Vettingut. Dhe shkurtojmë një hallkë të ndërmjetme, sepse SHÇBA-ja, në rastin aktual, do ta pasonte informacionin te komisioni i vlerësimit dhe ky do të bënte vlerësimin.

Nga ana tjetër, procesi garanton pavarësi, paanshmëri dhe nuk ndryshon as kriteret, as procedurat. Dhe ky është pohimi themelor që duhet të kemi të gjithë parasysh, që me gjithë ndryshimet e karakterit teknik dhe administrativ, thelbi i procesit mbetet i paprekur. Pra kriteret dhe procedurat e vlerësimit mbeten ekzaktësisht të njëjtat. Por, siç thashë, koha e nevojshme për të kryer vlerësimin shkurtohet në mënyrë të konsiderueshme për arsye se do të përdoren arkivat e vetë SHÇBA-së për ta mbyllur këtë proces në kohën dhe mënyrën më të mirë të mundshme.

Pak a shumë këto janë ndryshimet themelore që propozohen, të nderuar deputetë, dhe ju propozoj që ta votoni “pro” këtë ndryshim, me sigurinë që ndryshimi i propozuar sjell shpejtësi, sjell vënie në kohë të procesit dhe ruan të njëjtat parametra të parashikuar nga ligjvënësi në ligjin e mëparshëm.

Faleminderit!