» Ministri Lleshaj, bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Durrësit
Postuar më: 19/03/2019

Ministri Lleshaj, bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Durrësit

Ministri fton studentët të orientohen për punësim sezonal në Portin e Durrësit, të aplikojnë në Policinë e Shtetit, dhe për praktika profesionale në institucionet e varësisë. Ministri Lleshaj ka bashkëbiseduar me një grup të madh studentësh të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku bëri apel përsëri që studentët e disa specialiteteve si ekonomi, informatikë etj., të konsiderojnë si mundësi punësimin në radhët e Policisë së Shtetit. Ai nënvizoi gjithashtu se Porti i Durrësit është një mundësi konkrete për studentët që të sigurojnë punësim sezonal. Nga ana tjetër ai vuri në dukje se hapësira ujore ekskluzive e Shqipërisë është një pasuri e paçmuar e vendit por ende e pashfrytëzuar siç duhet.

VIDEO  – Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Ministri ndër të tjera theksoi:

Një ndër problemet dhe vështirësitë që kanë të bëjnë me këtë detyrë është edhe fakti që nuk lejohem të merrem më me studentët. Si një ish-pedagog, unë e kam pasur këtë dialog me studentët, i cili sot më mungon, për shkak të detyrës. Dita e sotme është një ditë e rrallë pikërisht për arsyen se kam mundësinë të bisedoj me juve dhe kam ardhur me shumë kënaqësi.

Jemi në kuadër të një vizite në qarkun e Durrësit, pra vizituam Portin e Durrësit dhe stacioni i dytë është Universiteti. Të gjitha institucionet kanë një detyrë të dorës së parë që të mbajnë të gjallë dialogun në universitetet. Muaji dhjetor i nisjes së detyrës time përkoi me protestat që zhvilluat ju. Kanë qenë disa ditë shumë intensive edhe dinamike, të cilat kanë një diferencë të madhe nga protestat e tjera për arsye se protestat e studentëve ishin në fakt një tregues që na detyron për një vëmendje të re ndaj universiteteve.

Ju e dini që në kuadër të Paktit që ka shpallur Qeveria për universitetet ne po bëjmë disa hapa të rëndësishëm, një ndër to është afrimi i studentëve në administratë, në rastin konkret tek Ministria e Brendshme. Para disa ditësh unë pata rastin të takoj grupin e parë të studentëve që u punësua në administratën tonë, i cili plotësoi të gjitha vendet bosh që ishin, praktikisht. Studentët e ekselencës, të nëntës dhe të dhjetës aplikuan dhe zgjodhën vetë se ku do shkojnë.

E mira e kësaj pune ka të bëjë me faktin që duke u dhënë mundësinë ekselentëve të ngjiten në krye, ne në fakt ndihmojmë që e gjithë shoqëria të jetë në rendin e duhur, sepse ndonjëherë na ndodh, për fat të keq, që ata jo ekselentët, por më të dobëtit, t’i kemi në krye. Nuk kam asnjë paragjykim për ata më të dobëtit – se të gjithë njerëzit kanë kualitete të caktuara në fusha të caktuara, – por vënia e të dobtëve në krye, bën që shoqëria të stopojë, të ecë me ritmin e tyre.

Një mundësi tjetër që ne kemi ofruar për studentët e mirë ka të bëje edhe me afrimin e tyre në Policinë e Shtetit. Modernizimi i shoqërisë, modernizimi njerëzor në përgjithësi sjell edhe modernizimin e krimit dhe pastaj përgjigja jonë ndaj tij duhet të jetë po aq moderne, kështu që në këtë fushë ne na duhen shumë specialistë. Policisë së Shtetit i duhen shumë njerëz që janë ekselentë të vërtetë në ato shkenca që janë pararojë e zhvillimit të përgjithshëm botëror sot. Ne kemi filluar me një program të rëndësishëm në Akademinë e Sigurisë, kemi hapur portat për të marrë studentë, që kanë mbaruar me rezultatet të larta, jo mbi 9 por mbi 8, në disa prej degëve në të cilat në kemi më shumë nevojë për momentin. Sapo kemi pranuar një grup prej 53 aplikantësh nga rreth 500 të tillë, ku u morëm më të mirët, të cilët parashikohet që pas përfundimit të një trajnimi 6-mujor, të fillojnë punë në strukturat e hetimit të krimit.

Me të drejtë shumë ankohen që Shqipëria ka nevojë për progres të madh, për më shumë siguri, për më shumë zhvillim dhe për të luftuar krimin dhe që të luftohet krimi duhet që: e para, e gjithë shoqëria të bëhet palë me policinë për ta luftuar krimin, e dyta na duhet që në polici të marrim ekspertë dhe mjeshtra të vërtetë që janë një hap ose dy hapa përpara kriminelëve. Programi ynë ka të bëjë pikërisht me këtë: që të jemi më të mirët në fushë, përballë krimit, të kemi më të mirët. Ka dy rrugë: ose të marrim të dobëtit edhe pastaj të jemi një hap mbrapa ose të marrim ekselentët, t’i fusim në fushë që të fitojmë ne.

Ky program do të vijojë me konsekuencë në të ardhmen me idenë që studentët e mirë nga degë të ndryshme dhe kemi filluar me një grup degësh, me Informatikën, Elektronikën, Ekonominë, Financën dhe Jurisprudencën do të zgjerohet me degë të tjera në mënyrë që të arrijmë që të bëjmë, Policia e Shtetit të jetë trupë elitë pararojë në mënyrë që krimi në Shqipëri të mos ketë as edhe një shans.

Krimi sofistikohet dhe e vetmja mënyrë për t’u përballur me të është sofistikimi ynë. Po ju them vetëm një shifër krimi kibernetik: Sot një pjesë e madhe e krimit është zhvendosur nga rruga në rrjet. Nëse dikur për të vjedhur një bankë duhen të krijohej një bandë e madhe, me kriminelë me armë etj, për të, sot një bankë mund të vidhet pa forcë, thjesht me mjeshtra të kibernetikës. Ka shembuj sot e gjithë ditën, në botë që institucione financiare të rëndësishme bien pre e vjedhjeve fizike nga grupe të strukturuara, të rafinuara kriminale.

E vetmja mënyrë që ta bëjmë këtë punë, të mbijetojmë në këtë shekull, është të futemi dhe ne në rrjet, pra që Policia e Shtetit të futet në rrjet. Pra përveç policisë fizike që shihni në rrugë, na duhet një polici në rrjet, e cila sheh atje se çfarë ndodh me krimin kibernetik, me vjedhjen, me figura të tjera të rënda kriminale që ndodhin në rrjet, të cilat mund të përballohen vetëm me mjeshtra të kibernetikës.

Pra na duhen studentë të informatikës që janë të mirë, si dhe shumë fusha të tjera që përmenda: gjenetikën p.sh. Sot kështu zbulohet krimi, dikur zbulohej në mënyrë fizike, bënin investigime, etj., ndërsa sot është e rëndësishme që të jemi në rrjet dhe një pjesë e investigimeve sot bëhet në rrjet.

Ju inkurajoj që ta shikoni shërbimin në Policinë e Shtetit si një opsion dhe mos kujtoni se në Policinë e Shtetit shërbehet vetëm duke qenë në rrugë. Polici në kryqëzim pak nga pak do të zëvendësohet me teknologji, do të vendosim sisteme me kamera, sisteme sensorësh të tjerë dhe kemi filluar, por për t’i mirëmbajtur, për t’i konceptuar dhe zhvilluar më tej, na duhen ekspertë. Ndaj sa herë të mendoni për të kërkuar një vend pune të arsyeshëm, që ka shumë sfidë, por ka dhe shumë kënaqësi, duhet ta shikoni Policinë e Shtetit si një adresë të mundshme me kusht që të keni integritet të lartë dhe një ambicie të madhe për tu zhvilluar.

Mundësitë tona për praktika profesionale janë të mëdha, kemi shumë mundësi. Policia e Shtetit është e shpërndarë në të gjithë territorin e vendit, por Ministria e Brendshme ka dhe shumë institucione në varësi të saj, Prefekturat, Gjendja Civile, IKMT, etj., pra ka hapësirë dhe ne kemi shumë nevojë për të pasur bashkëpunimin tuaj dhe në kuadër të praktikave të ndryshme. Pak ditë më parë kur isha në Universitetin e Shkodrës, pjesa më e madhe e studentëve në takim ishin për biologji dhe informatikë dhe i ftova të bënin praktikat në laboratorin shkencor të policisë, i cili ka teknologji, besoj, ndër më të sofistikuara që ka vendi ynë.

Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar. bashkëpunimi mund të bëhet nëpërmjet edhe në kuadër të një marrëveshjeje, mund të jetë partneritet, por dhe pa marrëveshje të mëdha, por dhe ad-hoc, mund të realizohen kontakte të tilla me synim që ne të hapim dyert, për arsye se për fat të keq ende universitet tona, kanë pak mundësi për zhvillimin e praktikave konkrete.

Pak më parë isha në Portin e Durrësit dhe ky port është punëdhënësi më i madh për qytetin e Durrësit dhe një nga ndërmarrjet më të mëdha dhe të rëndësishme në Shqipëri. Është porta e Shqipërisë dhe e Ballkanit. Projektet dhe planet e Qeverisë janë shumë ambicioze në këtë drejtim, ne duam që Shqipëria të shndërrohet realisht në portë të Ballkanit. E kemi përdorur këtë term shumë herë, tani duam që kjo mos të jetë më metaforë, por realitet përmes projekteve për zgjerimin dhe modernizimin e portit, ndërkohë që plane të rëndësishme ka dhe për ndërtimin e një porti tjetër në rajonin e Durrësit, gjë që do ta bëjë Shqipërinë realisht portë.

Ju inkurajoj shumë si studentë dhe Universitet që të shikoni mundësinë e njohjes me portin e Durrësit. Pak më parë diskutuam me gjithë autoritetet që veprojnë në port dhe ka mundësi të mëdha për tu afruar studentë dhe për të kryer praktika profesionale, për të krijuar mundësi për punësime sezonale.

Kam një respekt të veçantë për njerëzit e sidomos për studentët që punojnë. Dhe kolegët tuaj nëpër botë, të jeni të sigurt, pavarësisht sa të pasur janë, punojnë të gjithë si rregull. Njoh njerëz shumë të pasur, jashtë vendit, të cilët nuk ua financojnë fëmijëve të tyre 100% studimet. Një mik i imi, i huaj, i pasur, i financonte studimet 60% djalit dhe vajzës. 40% duhet ta fitonin vetë dhe 40% janë vërtet një shumë e madhe (jashtë vendit). Di që i biri, që ishte student mjekësie, punonte si kujdestar për të moshuarit. Dhe djali i atij milionerit i bënte të gjitha këto punë dhe i tregonte pa i ardhur “turp”. Dua të them që është e rëndësishme që ju të punoni, se pa kuptuar punët e thjeshta, s’do të mund të bëni kurrë punë të ndërlikuara.

Porti i Durrësit është një mundësi ideale, aty vijnë shumë operatorë turistikë, tragete, krocera, jahte, që kanë nevojë për punëtorë sezonale. Pra mund të punosh një verë në një jaht, apo në një krocerë, nëse di gjuhën, nëse ke njohje për turizmin etj.. Po kështu edhe në shumë aspekte të tjera që porti ofron, porti është një industri më vete aty. Gjithçka që ju mendoni, është aty, nga mineralet, nafta, guri, kontejnerët etj.. Pra ju inkurajoj për të kontaktuar me drejtuesit e portit për të lidhur marrëveshje bashkëpunimi, për t’i afruar studentët aty, sepse prej aty, studentët mund të vijnë në kontakt me shumë gjëra të rëndësishme që ofron porti.

Deti është kapitali më i madh që ne kemi, kemi një sipërfaqe të madhe të Shqipërisë që është ujë, që është sipërfaqe ekskluzive e jona. Për fat të keq, është krijuar ideja që vija e kufirit është vija ku fillon uji. Në fakt vijën e kufirit e kemi shumë thellë dhe të gjithë këtë sipërfaqe në fakt e kemi pothuajse jashtë eficencës ekonomike. Sepse ne mundohemi ta zhvillojmë të gjithë aktivitetin ekonomik në tokë. Përgjithësisht jemi komb jo-maritim, por jemi komb pastoral, pra blegtor, jo detar; por në fakt kemi një mundësi të madhe që përmes detit të zhvillojnë një pafundësi gjërash.

Mundohuni të trokisni te porti, te prefektura e di që keni një marrëveshje, dhe te autoritetet tjera, por jo thjesht “Navigacioni”, por duhet “Ekonomia” sidomos. 40% e të ardhurave tona zhvillohet në portin e Durrësit; 40% e parasë, e mallit, lëviz përmes këtij porti. Aty zhvillohet një pjesë e madhe e ekonomisë sonë dhe është shumë e rëndësishme që të bëheni pjesë e tyre.

Mund të merrni studentë në doganë dhe në këtë mënyrë na ndihmoni edhe ne, sepse në qoftë se i çoni ata studentë atje, do t’i vini ata nëpunësit tanë përballë një presioni tjetër pozitiv, kur kanë në zyrë edhe një student i cili nuk është pjesë e grupit, absolutisht i palidhur me ta, i pakorruptuar. Pra do të bëjmë kështu virtualisht njëfarë kontrolli të tretë apo të katërt, por gjithsesi një kontroll të mirë i cili na shërben për të luftuar fenomene të caktuara të korrupsionit, që për fat të keq i kemi.