» Hapen zyrat e reja për aplikimet për karta identiteti në Njësitë 5, trefishohen kapacitetet
Postuar më: 18/03/2019

Hapen zyrat e reja për aplikimet për karta identiteti në Njësitë 5, trefishohen kapacitetet

Qytetarët e Njësisë 5 në kryeqytet nuk do të duhet të presin në radhë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Koncesionarin e prodhimit të dokumenteve biometrike, hapën zyrat e reja për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit edhe në këtë njësi, një nga më të mëdhatë e kryeqytetit.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrin Pandeli Majko, deputet i zonës, përfaqësues nga Koncesionari, panë nga afër mjediset e reja, të cilat trefishojnë kapacitetet e shërbimit ndaj qytetarëve. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për të afruar shërbimet cilësore më pranë qytetarëve. Lleshaj nënvizoi se puna e bërë në kryeqytet është një model i shkëlqyer për t’u aplikuar edhe në bashkitë e tjera të vendit.

“Ne japim karta europiane, por kartat europiane duhet të jepen në kushte europiane. Kam ardhur këtu për të falënderuar edhe kryetarin e Bashkisë për punën model që po zhvillohet nga Bashkia e Tiranës, si dhe për të ftuar të gjithë kryetarët e bashkive të tjera që të arrijnë te ky model. Motoja do të jetë: “Afrojmë zyrat te qytetarët dhe jo qytetarët te zyrat”. Pra, duam të arrijmë në të gjitha skajet e Shqipërisë me zyra të këtyre standardeve, me qëllim që qytetarët të marrin shërbim evropian”, tha ai, teksa u bëri thirrje qytetarëve që të drejtohen për në zyrat e sapo hapura për të tërhequr letërnjoftimet e reja elektronike.

“Zgjatja e afatit është bërë për të ulur fluksin, për t’u krijuar kushtet qytetarëve që të aplikojnë jashtë stresit, por kjo nuk do të thotë që ta shtyjnë për në fund të dhjetorit. Duhet që intensiteti i aplikimeve të vijojë, në mënyrë që në fund të dhjetorit të evitojmë presionin e madh që do të krijohet nga kartat, por edhe nga pasaportat e shumta që skadojnë në vjeshtë”, nënvizoi ministri i Brendshëm.

“Jam shumë i lumtur sot që bashkë me dy ministrat hapim sot një njësi të dedikuar të Aleat-it për kartat e identitetit dhe pasaportat, për atë që ndoshta është qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, Njësia 5. Njësia 5 ka kaluar nga 3 sportele në 8 sportele, pra thuajse kemi trefishuar aksesin për të gjithë qytetarët që marrin shërbim në 4-5 minuta”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se falë hapjes së zyrave të reja të dedikuara për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit në të gjithë kryeqytetin, janë zhdukur radhët e gjata. Zyrat e reja për aplikimin për letërnjoftimet elektronike do ju vijnë në ndihmë edhe zonave rurale, që dikur kanë qenë ish-komuna. Për të lehtësuar shërbimin ndaj banorëve të këtyre zonave, shërbimet e zonave të ndryshme janë grupuar nëpër qendrat administrative më të afërta.

“Me Tiranën rurale po i grupojmë te qendra administrative më e afërt. Kjo është arsyeja pse te rreth rrotullimi i Shkollës Teknologjike kemi zyrën që ka bashkuar Njësinë 6 me 7, për ta liruar zyrën e Kombinatit kryesisht për Ndroqin, Pezën dhe Vaqarrin. Besoj me këtë frymë do të vazhdojmë edhe në njësitë e tjera rurale, për t’u siguruar që hyrja e tyre e parë në qytetin e Tiranës të jetë edhe baza më e madhe e shërbimeve. Ndërkohë, shërbimet ofrohen edhe në njësitë e tyre administrative, sidomos sipas raportit të banorëve. Shëngjergji ka më pak banorë, ndërkohë që Kashari është një zyrë më vete”, theksoi Veliaj.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u shpreh se falë këtij investimi është hedhur një hap i rëndësishëm për të tejkaluar emergjencën fillestare për aplikimet për letërnjoftime.

“Me këtë zyrë kemi përmbyllur situatën emergjente që kemi patur në Njësinë 5 dhe me hapjen e dy qendrave, njërën këtu pas kompleksit “Kika” dhe tjetrën në Kodrën e Diellit, besoj se qytetarët e kanë kuptuar shumë qartë që kompania “Aleat” është kthyer në një aleat të vërtetë të interesave të tyre. Falë bashkëpunimit me kompaninë, me ministrin e Brendshëm dhe sidomos me Bashkinë, mendoj se kemi bërë një hap të rëndësishëm”, nënvizoi Majko.

Jean Alain Jouan, në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të Aleat, apeloi që qytetarët të mos e lënë për në momentin e fundit pajisjen me letërnjoftime.

Krahas zyrave të reja, funksionojnë paralelisht edhe zyrat pranë njësive administrative, ku gjithashtu qytetarët mund të aplikojnë për karta dhe pasaporta identiteti.