» Paketë masash për përkujdesjen e familjeve të policëve të rënë në detyrë
Postuar më: 13/03/2019

Paketë masash për përkujdesjen e familjeve të policëve të rënë në detyrë

VIDEO – Paketë masash për përkujdesjen e familjeve të policëve të rënë në detyrë

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përgjatë më shumë se dy muajt e fundit ka zhvilluar takime, çdo javë, me familjarët e 224 policëve të rënë në detyrë, në tre dekadat e fundit. Në fund të këtyre takimeve, ministri u shpreh se është rënë dakord për një paketë masash, që do t’u vijë në ndihmë këtyre familjeve.

Ministri Lleshaj: Do të finalizojmë një paketë propozimesh. Kam diskutuar edhe me Kryeministrin dhe ai është në pritje të një Pakete, për të bërë disa ndërhyrje që janë të mundshme.

E para, për trajtimin e barabartë të të gjithëve, jo për trajtim para ’99 dhe pas ’99;

E dyta, për të parë në mënyrë serioze çështjen e strehimit, jo të kredive, si mund të bëjmë, që këta njerëz të mos jenë në rrugë të madhe ose mos të banojnë në shtëpi që janë të pabanueshme;

Çështjet e statusit, trajtimi me drejtësi të problemit të Statusit;

Çështjet e respektit dhe dinjitetit ndaj varreve e të tjera me radhë, ata të jenë aty ku duhet të jenë. Sigurisht në bashkëpunim me familjarët, por do propozohet që të jenë tek Varrezat e Dëshmorëve dhe do të merren masa që ata të jenë atje.

Për rastet e tjera individuale si punësimi, bursa, etj. do të merremi rast pas rasti.

Inkurajoj rastet e fëmijëve që kanë kaluar në atë nivelin që mund të bëhen të dobishëm dhe mund të ngjiten në strukturat e larta të shtetit, duhet të afrohen tek ne, për t’i punësuar për praktika, për të ndërhyrë apo hapur rrugë, në mënyrë që të gjejnë mundësi.

Sigurisht që këto punë unë nuk mund t’i bëj vetëm, por do të angazhohen të gjitha strukturat e Policisë dhe do ta kenë detyrë të rëndësishme, jo thjesht luftën kundër krimit dhe përballimin e protestave, por do të kenë edhe detyrën e rëndësishme për përkujdesjen ndaj familjeve të kolegëve të tyre që ranë në detyrë.