Për një reagim të fuqishëm ndaj dhunës në sport #përFutbollin - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/03/2019

Për një reagim të fuqishëm ndaj dhunës në sport #përFutbollin

VIDEO Diskutimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në tryezën e organizuar nga Qeveria dhe Federata Shqiptare e Futbollit, për një reagim të fuqishëm ndaj dhunës në sport dhe për të ndërmarrë së bashku një reformë të thellë modernizuese:

Policia e Shtetit është e detyruar më ligj të ofrojë dhe garantojë siguri për qytetarët e Republikës kudo ku ata janë, edhe kur ndodhen në skutat e apartamenteve të tyre dhe devijojnë nga normaliteti, edhe kur janë në stadium, edhe kur janë në rrugë, edhe kur janë në protestë, pra ka një gamë shumë të gjerë përgjegjësish për të kryer.

Por këtu vlen ta theksojmë që policia është një strukturë e dhënë; që ka disa parametra të dhënë, ka një madhësi të dhënë, ka kapacitete të caktuara. Dhe kemi dy gjëra që duhet t’i mbajmë në konsideratë: kapacitetet edhe kompetencat!

Dhe kur diskutojmë për futbollin, këto të dyja bëhen faktorë për t’u konsideruar, madje edhe shqetësues, për arsye se, e para, kemi kompetencat që na mungojnë për t’u futur brenda stadiumeve.

Sot bëjmë një diskutim të paktën dy vjet me vonesë se kur është hartuar ligji për sportin, këto gjëra nuk janë marrë në konsideratë dhe duheshin marrë në atë kohë. Por gjithsesi ne tani jemi për t’u marrë me faktin.

Pra kompetenca është një çështje e madhe, e cila duhet zgjidhur me ndryshime ligjore, të cilat duhet t’i bëjmë të mirëmenduara në mënyrë që pas dy vjetësh të tjera të mos futemi në një diskutim tjetër ndoshta po për të njëjtën gjë.

Dhe e dyta, ka të bëjë me kapacitetet. Policia ka kapacitete të caktuara të cilat janë parashikuar për të ofruar siguri publike, por jo për të shkuar mbas çdo rasti individual sepse është e vështirë. Duhet t’ju them që ne kemi policinë më të vogël në rajon, krahasuar me numrin e popullsisë, pra policia jonë për frymë është pothuajse nën mesataren europiane.

Kemi shumë pak policë, por shumë probleme dhe shumë barrë, të cilat i ngarkohen policisë edhe kur asaj nuk i takojnë në mënyrë origjinale.

Kështu them që gjatë diskutimeve që do të vijojnë, policia është e gatshme për ta vijuar këtë diskutim në nivel ekspertësh dhe në një klimë mirëkuptimi dhe jo kështu topi në publik për ta hedhur dhe pritur secili në mënyrën e tij.

Pra jemi të gatshëm që ta fillojmë këtë proces, do ta fillojmë, do të ngarkojmë personat kompetentë për të marrë përsipër përgjegjësitë nga ana e policisë, por do të na duhet gjithsesi t’i mendojmë të dyja këto. Sa herë të kërkojmë diçka nga policia do të jemi të qartë që kjo do të ketë edhe një faturë e cila nga dikush duhet paguar për arsye se na duhet të rrisim kapacitetet. Me kapacitetet aktuale policia ka vështirësi, edhe sikur t’i ketë kompetencat ligjore, ka vështirësi ta përballojë volumin shumë të lartë të aktiviteteve sportive që kryhen në të gjithë vendin.

Sipas një përllogaritje të vogël, ne na duhet që për çdo ditë sportive duhet të kemi rreth 500 deri në 700 policë të angazhuar vetëm me këtë çështje, e cila do të thotë: orë shtesë, kapacitete shtesë e të tjera me radhë.

Unë besoj që përveç kësaj do të kemi edhe një hapësirë tjetër ku mund të ndërhyjmë dhe kjo ka të bëjë me që të rregullojmë ato gjëra që nuk kërkojnë as kapacitetet, as investime, por kërkojnë organizim.

Janë shumë çështje të cilat mund të adresohen në kuadër të adresimit të organizimit të ndeshjeve të sportit. Ne ende në stadium fusim turma dhe jo individë. Kjo është shumë e thjeshtë për t’u zgjidhur, pra duhet të fusim individë, pra të individualizuar me emër dhe mbiemër, për të ditur se kush janë dhe kush hyn, sepse përgjithësisht në stadiumet tona thjesht futen turma.

Zgjidhja e kësaj besoj nuk kërkon shumë volum administrativ.

Jam dakord që teknologjia është ndihmësja e madhe që na mundëson që të kursejmë kapacitetet njerëzore dhe ajo që është më rëndësishme është përgjegjshmëria e individëve që janë brenda, nga sportdashësit e shumtë, tek personat që merren me organizmin.

Ndryshimi i ligjit dhe angazhimi i policisë, jo për të përballuar fizikisht turmat, por për të përndjekur në kuptimin penal, për të proceduar në kuptimin penal ata që shkelin ligjin besoj ky do të jetë dhe instrumenti kryesor me të cilën ne do ta realizojmë këtë detyrë. Pra për momenti që ne ndryshojmë ligjin, ashpërsimi i Kodit Penal për të gjithë ata që përfshihen në organizmin dhe në pjesëmarrjen në aktivitetet sportive, do i japë një mundësi të madhe Policisë që ta kryejë detyrën me më pak kapacitete, me më pak forca.

Nuk zgjidhet kjo punë fizikisht që të marrin 10 mijë tifozë dhe të kemi dhe 10 mijë policë përballë, kjo është ajo që tha dhe Kryeministri, ashpërsimi i ligjit ashtu si dhe në vende të tjera, do të bëjë që çdo person që vjen në stadium të jetë i përgjegjshëm dhe të mos ketë nevojën e një polici në krah, për t’i frenuar impulset apo instinktet që ndonjëherë dalin nga normaliteti.

Përfundimisht, dua të garantojë vullnetin e plotë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për t’u angazhuar në këtë proces, i cili është një proces shumëpalësh, ku ne do të luajmë me seriozitetin më të lartë, pjesën që na takon. Faleminderit!

#perFutbollin