Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 76 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/03/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 76

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 76

(25 shkurt – 3 mars 2019)

MINISTRI

Siguri, Inovacion, Progres – 250 tableta elektronike për Policinë Rrugore

26 shkurt 2019 – Policia Rrugore mori në dorëzim 250 pajisje tableta elektronike të avancuara, të cilat do të shërbejnë për lehtësimin e procedurave të vendosjes së masave administrative për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit. Duke përshëndetur në këtë event, Ministri Lleshaj theksoi se “modernizimi i Policisë së Shtetit është drejtimi kryesor, i cili do të mundësojë realizimin e objektivave shumë të rëndësishme, që duhet të plotësohen në interes të rritjes së parametrave të sigurisë publike, si dhe të përmbushjes së objektivave të rëndësishme të anëtarësimit europian të vendit.” Ministri nënvizoi më tej se “masat e marra deri më tani për ndryshime për mënyrën e policimit në rrugë, heqja e postblloqeve dhe përqendrimi tek patrullimi, dokumentimi objektiv i shkeljeve administrative, kontrollet e shtuara për sjelljen dhe performancën e punonjësve të Policisë Rrugore janë disa hapa fillestarë në kuadër të një programi të gjerë për transformimin e vetë Policisë Rrugore.” Në lidhje me masat e tjera në drejtim të modernizimit të Policisë Rrugore, ai përmendi edhe se “Targat dixhitale, sistemet fikse dhe mobile të leximit të tyre, qendrat e monitorimit të akseve rrugore, sistemet e monitorimit me dron dhe sensorë të tjerë, përmirësimi i procedurave standarde operacionale, përmirësimet ligjore, trajnimi i stafeve të policisë dhe edukimi i publikut për një sjellje të përshtatshme në qarkullim do të jenë drejtime të tjera të rëndësishme për zhvillimin e Policisë Rrugore”. Në këtë takim morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues diplomatikë të misioneve të vendeve partnere që asistojnë policinë, si dhe zyrtarë të ndryshëm.

Takim përmbyllës me familjarët e policëve të vrarë të qarkut Tiranë

1 mars 2019 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi takimin përmbyllës me familjarët e punonjësve të rënë në krye të detyrës të Qarkut Tiranë. Në harkun e 3 muajve Ministri Lleshaj është takuar me familjarët e të gjithë policëve të vrarë në krye të detyrës nga të gjitha qarqet e vendit. Në këtë takim Lleshaj nënvizoi se “problemet e mëdha, do të trajtohen thelbësisht dhe do të jepen zgjidhje për secilin rast”. Ndër çështjet kryesore që u ngritën nga familjarët në këtë takim, janë ato për strehim, punësim, arsimim të fëmijëve, etj. Lleshaj tha se për këto probleme Ministria e Brendshme ka një projekt të detajuar, në bazë të cilit çështjet e shtruara do të marrin zgjidhje në afate të shpejta. Zgjidhjet bazohen në projektet për kredi të buta, bursa për të rinjtë, rekrutim në radhët e policisë apo me punësimet e familjarëve  në institucionet e varësisë së MB. Sa i përket problemit të statusit të punonjësve të vrarë para vitit 1999, Ministri tha se do të kenë trajtim të barabartë me ata pas kësaj date, nëpërmjet një rregullimi në kuadrin ligjor përkatës. Për ndjekjen e çështjeve rast pas rasti, Ministri ka kërkuar angazhimin e vetë drejtuesve të Policisë nëpër qarqe.

MINISTRIA

Miratohet marrëveshja e Konventës së Bashkëpunimit Policor për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave

28 shkurt 2019 – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të të dhënave të regjistrimit të automjeteve dhe marrëveshjes së saj zbatuese”. I pranishëm në komision ishte zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili gjatë prezantimit të projektligjit të iniciuar dhe hartuar nga Ministria e Brendshme u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes do të forcojë bashkëpunimin policor ndërkufitar në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimit kufitar dhe emigracionit të paligjshëm. “Kjo bëhet e gjitha në funksion të një lufte më efikase kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar, hetimit të krimit, parandalimit dhe vënies para përgjegjësisë së autorëve të tyre, pavarësisht nëse janë shtetas shqiptarë që kanë kryer krime këtu dhe jashtë vendit apo anasjelltas, e më tej edhe nëse këta shtetas kanë ndërruar identitetet, të dhënat biometrike nuk mund të ndryshohen, janë të ruajtura në bazën e të dhënave të këtyre vendeve nënshkruese e rrjedhimisht Shqipërisë i krijohet mundësia për të pasur një bazë më të gjerë të dhënash për hetimin dhe zbulimin e autorëve”, u shpreh zëvendësministri.

Programi i mbrojtjes së dëshmitarëve

25 shkurt 2019 – Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari zhvilloi një takim me zyrtarët e projektit të mbrojtjes së dëshmitarëve, bashkëpunëtorë të drejtësisë, për t’u njohur nga afër me problematikat dhe gjetjen e udhëve për sofistikimin e metodave të përdorura. Në një postim në rrjetet sociale, pas këtij takimi, Lamallari nënvizon se: “mbrojtja e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë një element kyç në luftën kundër krimit të organizuar. Siguria e jetës dhe mirëqenia e tyre dhe familjarëve, prioritet i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.”

Siguria në shkolla

28 shkurt 2019 – Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari zhvilloi një takim në shkollën “Dëshmorët e lirisë” në Tiranë me Këshillin e prindërve të kësaj shkolle për të diskutuar rreth sigurisë në shkolla dhe mirëqenies së fëmijëve. Në takim ishte e pranishme edhe Ardiana Jaku zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Lamallari u shpreh se me fëmijët dhe adoleshentët duhet treguar kujdes në komunikim me qëllimin krijimin e besimit të tyre dhe se duhen nxitur për t’u marrë me aktivitete sportive artistike si mënyra më e mirë për t’i mbrojtur nga gabime që mund t’u kushtojnë.

POLICIA E SHTETIT

Protesta e opozitës, procedohen 20 persona për akte dhune ndaj Policisë

27 shkurt 2019 – Policia e Tiranës, pas analizimit të pamjeve filmike, raport shërbimeve dhe provave të tjera të mbledhura gjatë protestës së opozitës të datës 26 shkurt, përpara Parlamentit ka proceduar penalisht 20 shtetas për veprat penale “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtim të punonjësit të rendit publik”.  Procedimi penal ndaj tyre nisi pasi në rrugën “George W.Bush”, në hyrje të Parlamentit kanë shtyrë e çarë me forcë kordonin e Policisë në shërbim, duke i goditur me sende te forta punonjësit. Gjatë tubimit u lënduan 2 punonjës policie, si dhe kanë marrë mjekim nga gazi lotsjellës 8 shtetas.

OPERACIONE TË POLICISË SË SHTETIT

“METROPOLIS”/Policia e Shtetit dhe Policia italiane ndaluan 5 persona për trafik droge

26 shkurt 2019 – Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion i përbashkët me interforcën Italiane, i koduar “METROPOLIS”, në fushën e trafikut të drogërave të forta. Njësia Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, FLO dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat e Shkodër, në bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve me Interforcën Italiane dhe Karabinierinë e Breshias Itali, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi drejt Italisë të 5 personave. Për këta shtetas Njësia Operative Radiomobile e karabinierëve të Breshias, Itali, në muajin mars të vitit 2015, ka nisur hetimin në lidhje me aktivitetin kriminal në drejtim të importimit në sasi të mëdha të lëndëve narkotike të llojit kokainë, nga Holanda në drejtim të Italisë. Në përfundim të operacionit të përbashkët “METROPOLIS” me autoritetet policore italiane, u arrestuan gjithsej 33 persona, nga këta 5 persona në Shqipëri, ndërsa 6 persona të cilët nuk janë kapur ende, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe po vijon puna për kapjen e tyre. Policia e Shtetit është e angazhuar për të rritur forcën goditëse në territor ndaj çdo paligjshmërie, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjetra ligj zbatuese dhe me partnerët ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik e financiar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe akteve terroriste që cenojnë sigurinë e jetës së qytetarëve apo sigurinë kombëtare.

“Çentralisti”/20 të proceduar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën

27 shkurt 2019 – Policia e Tiranës ka finalizuar operacion policor “Çentralisti”, në kuadër të të cilit janë ndaluar 9 shtetas për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe 5 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim. Këta shtetas, punonjës në një call center në Tiranë, dyshohet se kanë kryer aktivitetin e kundërligjshëm të rimbushjes dhe aktivizimit të paketave promocionale të një kompanie telefonike celulari (jashtë vendit) duke përdorur aplikacione dhe platforma të kundërligjshme. Dyshohet se ata i kanë shkaktuar kompanisë telefonike një dëm prej 510 000 euro.

Kapen me 100 kg marijuanë, prangosen 4 anëtarë të një grupi kriminal

27 shkurt 2019 – Në Shkodër policia ka finalizuar me sukses operacioni policor “SEGMENTI”, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Arrestimi i shtetasve të mësipërm pasi në aksin rrugor “Lezhë- Shkodër”, gjatë kontrollit në automjetin tip “Audi ” të parkuar në afërsi të një karburanti, u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si marijuanë. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:100 kilogram e 289 gram marijuanë, 2 automjete dhe katër telefonë celularë.

“Rrjeta”, dy në pranga për tregtim heroine

27 shkurt 2019 – Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion policor të koduar “Rrjeta”, në fushën e tregtimit të drogave të forta. Dy shtetas janë prangosur pasi u është gjetur 1 kg e 33 gramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, të cilën dyshohet se e tregtonin në doza të vogla në gjithë zonën e Tiranës dhe në afërsi të shkollave.

Sinjalizimi i qytetarëve, prangoset shoferi i dehur

26 shkurt 2019 – Policia Rrugore e kryeqytetit duke patrulluar dhe monitoruar zbatimin e rregullave te qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës, si dhe gjatë kontrolleve me përzgjedhje, nisur edhe nga ankesat e pasagjerëve, për mënyrën e sjelljes së drejtuesve të mjeteve të transportit publik qytetas dhe ato rreth qytetas, në rrugën “29 nëntori”, rreth orës 08:00, konstatuan një autobus të linjës “Institut Bujqësor – Tiranë” duke qarkulluar në mënyrë të çrregullt. Nga verifikimi me aparatin alkool testues, drejtuesi i autobusit, rezultoi nën efektin e alkoolit.

Ekstradohet nga Holanda i kërkuari për trafik femrash 

25 shkurt 2019 – Interpol Tirana ekstradon një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 15 vite burg për veprën penale “Trafikimi i femrave, kryer në bashkëpunim”. Ky shtetas u ekstradua nga Holanda drejt vendit tonë pasi, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me 15 vite burg për veprën penale “Trafikimi i femrave, kryer në bashkëpunim”.

“Lojërat e fatit”, procedohet një shtetas në Lushnje

25 shkurt 2019 – Policia vijon kontrollet në të gjithë vendin për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje, proceduan në gjendje të lirë një shtetas, të cilit në ambientet e lokalit në administrim të tij në Ngurrëz të Madhe, ushtronte aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme.

Fier, kapen 3 hajdutë

25 shkurt 2019 – Policia e Fierit ka zbardhur dhe dokumentuar disa vjedhje të ndodhura gjatë këtij muaji. 3 të rinj të dyshuar si autorë të të disa vjedhjeve të ndodhura në Fier dhe Lushnje janë ndaluar nga policia. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.

Kapet në portin e Durrësit i kërkuari për vrasje, ekstradohet drejt Anglisë

1 mars 2019 – Në Durrës policia arreston një shtetas me qëllim ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ky shtetas kërkohej nga autoritetet britanike që prej vitit 2018 për veprën penale “Vrasje”.