» “Kursi i Oficerit të Policisë Kriminale”
Postuar më: 04/03/2019

“Kursi i Oficerit të Policisë Kriminale”

“Kursi i Oficerit të Policisë Kriminale”

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në ceremoninë e hapjes së “Kursit të Oficerit të Policisë Kriminale”, në aktivitetin ku mori pjesë Kryeministri Rama, anëtarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, përfaqësues të misioneve të asistencës ndërkombetare policore, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, studentë e pedagoge të Akademisë së Sigurisë:

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar anëtarë të Komisionit të Sigurisë,

Përfaqësues të misioneve të asistencës ndërkombëtare,

Të nderuar studentë e pedagogë,

Ndryshimet që u bënë në Ligjin për Policisë së Shtetit në dhjetor të vitit 2018, hapën rrugën për prurje të reja nga radhët e universiteteve. Në njëfarë mënyre, ceremonia e sotme shënon një moment historik, pasi, me hapjen e Kursit të Oficerit të Policisë Kriminale, fillon periudha e një standardi të ri në formimin e ekspertëve të hetimit në Policinë e Shtetit.

Akademia ka qenë për shumë vite e “harruara e madhe” e Policisë së Shtetit. Harresa e papërgjegjshme ndaj këtij institucioni jetik ka sjellë pasoja të rënda, të cilat vijojnë ende që të ndikojnë mbi cilësinë e shërbimit të Policisë, edhe pas përmirësimeve të ndjeshme që u bënë në vitin 2014.

Nevoja për cilësi të re në nivelin e formimit të oficerëve të Policisë së Shtetit, kushtëzohet ndër të tjera edhe me kërkesat në rritje që lidhen me fatin e reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi, e cila tashmë ka hyrë në fazën e saj kulmore dhe të pakthyeshme, mund të japë rezultatet e pritura vetëm atëherë kur Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligj zbatuese në tërësi, por sidomos strukturat e Policisë Kriminale dhe ato të Hetimit në veçanti, janë në nivelin e duhur si në aspektin e integritetit, ashtu dhe në atë profesional.

Kursi që hapet sot i adresohet në mënyrë të posaçme hetimit të krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Duke përforcuar kapacitetet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne japim një kontribut esencial në përmirësimin e nivelit të sigurisë publike, krijojmë kushtet e domosdoshme për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik dhe kulturor të vendit si dhe mbështesim me vendosmëri procesin e integrimit europian të tij.

Të nderuar kursantë dhe pedagogë,

Me fillimin e këtij kursi, ju shënoni edhe fillimin e një periudhe të re në përballjen e Policisë së Shtetit me krimin e organizuar dhe me korrupsionin.

Suksesi juaj do të jetë njëkohësisht dhe sukses i Shqipërisë dhe i gjithë qytetarëve të saj.

Në kushtet e një bote, ku krimi sofistikohet e modernizohet me shpejtësi të lartë, përballimi i tij mund të bëhet vetëm nga oficerë dhe specialistë të tjerë të cilët janë dhe mbeten modernë në të gjitha aspektet. Oficerë modernë për nga integriteti, motivimi, formimi, edukimi, pajisjet, etj..

Për këtë kurs, të parë në llojin e tij që hapim sot, ju do të jeni në njëfarë mënyre dhe aktorë dhe autorë të tij.

Suksesi i tij do të jetë edhe një parakusht i rëndësishëm që do të na inkurajojë më tej për ta vijuar këtë proces modernizimi në gjithë PSH.

Fakti i parë, që për këtë kurs ka pasur një numër shumë të lartë aplikantësh dhe fakti i dytë, që megjithatë në fund të procesit u zgjodh një numër i kufizuar i më të mirëve nga më të mirët, është një sinjal i qartë se, nga njëra anë, interesi i të rinjve të talentuar për t’u bashkuar në radhët e Policisë së Shtetit është i lartë dhe, nga ana tjetër, kujdesi i Ministrisë së Brendshme dhe i PSH për të mbajtur në maksimum kërkesën për integritet dhe cilësi është dhe do të jetë shumë i lartë.

Kërkesat pothuajse maksimale që u vendosën si kusht pranimi, si në drejtim të formimit profesional (mesatarja), të integritetit, të kondicionit fizik dhe të njohurive të gjuhës angleze, u justifikuan nga përgjigja e kënaqshme me kërkesa, duke befasuar skeptikët jo të paktë, të cilët nuk besonin se vajza dhe djem kaq cilësorë do të zgjidhnin Policinë si të ardhmen e tyre profesionale.

Por ja që Shqipëria ka plot vajza dhe djem të talentuar, të cilët e kërkojnë sfidën e bukur për të kontribuar në një fushë, ku gjithçka sfidohet me tepëri: edhe mendja, edhe zemra edhe trupi, por edhe ku suksesi përjetohet me një intensitet të jashtëzakonshëm, që nuk ndeshet kudo i tillë.

Përgjigja impresionuese e më të mirëve për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit është provë e qartë se ata mund të bashkohen edhe në stafet universitare, ato të administratës, të drejtësisë etj. Por me një kusht: ata duhet të kërkohen, të inkurajohen dhe të gjejnë hapësira për këtë.

Sot, ju të nderuar studentë bashkoheni në radhët e Akademisë së Sigurisë, ku studiojnë një pjesë tjetër e rëndësishme oficerëve të ardhshëm të Policisë së Shtetit dhe ku kualifikohen gjithë të tjerët.

Me futjen tuaj në këto radhë, unë besoj se ju do të pasuroni më tej profilin e këtij institucioni të rëndësishëm edukimi, do të krijoni marrëdhënie të shëndosha me kolegët e tjerë, që sot janë krah jush dhe do të kontribuoni për rritjen e mëtejshme profesionale të Akademisë së Sigurisë.

Një institucion arsimimi dhe edukimi, siç është Akademia e Sigurisë, është aq i mirë sa studentët e tij, sa pedagogët e tij, aq i mirë sa partnerët, biblioteka dhe infrastruktura që ka.

Krejt të ndërgjegjshme për këtë, Kryeministri, Qeveria, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë të angazhuar për të marrë masa të gjithanshme për modernizimin e thellë të Akademisë së Sigurisë, e cila do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme ekselence për arsimimin, kualifikimin dhe kërkimin shkencor në shërbim të të gjithë institucioneve të sigurisë dhe atyre ligj zbatuese të vendit.

Në funksion të këtij modernizmi, do të orientohet edhe bashkëpunimi e mbështetja ndërkombëtare, ku prioritare do të jenë marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shprehje e qartë e këtyre prioriteteve është edhe fakti që një ndër tri fushat e bashkëpunimit me BE në kuadër të Programit IPA, do të jetë Akademia e Sigurisë, e cila pritet të bëhet pjesë e një projekti të rëndësishëm binjakëzimi me një institucion homolog nga një vend i BE.

Me këtë rast, kam kënaqësinë të falënderoj edhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare të asistencës pranë MB dhe PSH për mbështetjen e deritanishme si dhe për programet ambicioze që kemi në proces për të ardhmen.

Të nderuar pjesëmarrës,

të premten e shkuar, zhvillova takimin e fundit në kuadër të një serie takimesh që kam zhvilluar, me të gjithë familjarët e punonjësve të shumtë të Policisë së Shtetit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës përgjatë më shumë se 3 dekadash.

Gjatë atij takimi, mësova se Adriana Alistafa, punonjëse e Policisë së Shtetit dhe motra e Pajtim Alistafës, një prej të rënëve në detyrë nga kjo Polici, i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe është pranuar në kursin që hapim sot.

Bashkë me Adrianën, shpreh urimet më të mira për të gjithë vajzat dhe djemtë që sot fillojnë Kursin e Oficerit të Policisë Kriminale në Akademinë e Sigurisë, të cilëve u kërkoj që në të gjithë karrierën e tyre të mos harrojnë kurrë, as misionin e lartë që kanë të përmbushur në interes të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, dhe as sakrificën sublime të atyre punonjësve të Policisë së Shtetit që i dhanë jetën asaj.

Faleminderit!