» Siguri, Inovacion, Progres – 250 tableta elektronike për Policinë Rrugore
Postuar më: 26/02/2019

Siguri, Inovacion, Progres – 250 tableta elektronike për Policinë Rrugore

Siguri, Inovacion, Progres – 250 tableta elektronike për Policinë Rrugore. JO më bllok me gjoba

Raporti i Sigurisë Rrugore për vitin 2018 – PDF

VIDEO Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në eventin për tabletat e Policisë Rrugore:

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,Siguria Rrugore 2018

Të nderuar përfaqësues të misioneve partnere,
Të nderuar drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit,

Veprimtaria e sotme është një hap i vogël në kuadër të projektit të madh të modernizimit të Policisë së Shtetit.

Investimi që përurojmë sot, i kryer edhe në bashkëpunim me AKSHI-n dhe ICITAP-n, është shprehje e qartë e vëmendjes së Qeverisë shqiptare për Policinë e Shtetit, vëmendje e cila do të njohë një rritje të dukshme në të ardhmen e afërt dhe të largët. Në prioritetet e Ministrisë së Brendshme, të cilat janë prezantuar në fillim të këtij viti, modernizimi mund të konsiderohet si fjala kyçe.

Modernizimi i Policisë së Shtetit është drejtimi kryesor, i cili do të mundësojë realizimin e objektivave shumë të rëndësishme, që duhet të plotësohen në interes të rritjes së parametrave të sigurisë publike, si dhe të përmbushjes së objektivave të rëndësishme të anëtarësimit europian të vendit.

Modernizimi do të përfshijë në radhë të parë njerëzit dhe pastaj strukturën, infrastrukturën, procedurat dhe padyshim mjetet, teknikën dhe teknologjinë.

Sot futen në përdorim të Policisë një numër i konsiderueshëm tabletash, të cilat do të shërbejnë për të regjistruar elektronikisht masat administrative apo për të kryer verifikimin e automjeteve në kohë reale.

Me këtë hap shënohet dhe fillimi i një faze të re në punën e Policisë Rrugore, e cila shënon shkëputjen përfundimtare, jo vetëm nga një periudhë e caktuar historike, por dhe nga një mentalitet tjetër.

Masat e marra deri më tani për ndryshime për mënyrën e policimit në rrugë, heqja e postblloqeve dhe përqëndrimi tek patrullimi, dokumentimi objektiv i shkeljeve administrative, kontrollet e shtuara për sjelljen dhe performancën e punonjësve të Policisë Rrugore janë disa hapa fillestarë në kuadër të një programi të gjerë për transformimin e vetë Policisë Rrugore.

Gjatë vitit 2019 do të gjejnë zbatim përfundimtar detyrat për të dërguar në rrugë postare të gjitha masat administrative në adresë të shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor duke vendosur kështu një praktikë europiane, e cila ngushton dukshëm edhe hapësirat për abuzim apo korrupsion.

Për këtë qëllim do të shërbejnë edhe ndërhyrjet e rëndësishme që do të bëhen në mënyrën se si do të lëshohen lejet e qarkullimit, të cilat do të plotësohen me adresën e saktë të mbajtësit të tyre, duke u dhënë kështu këtyre lejeve një element shumë të rëndësishëm, por edhe të munguar prej vitesh.

Futja masive e teknologjisë në kontrollin dhe menaxhimin e qarkullimit rrugor do të jetë një tjetër drejtim i rëndësishëm zhvillimi.

Targat dixhitale, sistemet fikse dhe mobile të leximit të tyre, qendrat e monitorimit të akseve rrugore, sistemet e monitorimit me dron dhe sensorë të tjerë, përmirësimi i procedurave standarde operacionale, përmirësimet ligjore, trajnimi i stafeve të policisë dhe edukimi i publikut për një sjellje të përshtatshme në qarkullim do të jenë drejtime të tjera të rëndësishme për zhvillimin e Policisë Rrugore.

Krijimi i mundësive të reja për rekrutime cilësore nga radhët e të rinjve dhe të rejave që kanë përfunduar me rezultate të larta studimet universitare është një masë tjetër me rëndësi, e cila hap rrugë për rritjen e nivelit profesional të strukturave të Policisë së Shtetit në tërësi, por edhe të Policisë Rrugore në veçanti.

Të gjitha përpjekjet për modernizimin e Policisë Rrugore janë në shërbim të sigurisë së jetës, të sigurisë publike dhe luftës kundër kriminalitetit në vend.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, të cilat edhe u prezantuan këtu, duke krahasuar periudhat kohore Janar- Dhjetor të viteve 2017 dhe 2018 rezulton një rënie e ndjeshme e numrit të aksidenteve me pasoja të vdekur, me të plagosur të rëndë, të plagosur të lehtë dhe numrit në tërësi të aksidenteve, gjë që është një tendencë inkurajuese.

Këto rezultate nuk paraqesin thjesht një pamje të çastit, por një tendencë të qëndrueshme në përmirësim, e cila është rezultat i punës së bërë nga strukturat përgjegjëse dhe i masave të marra për mbikëqyrjen e qarkullimit rrugor, për parandalimin e aksidenteve, si dhe për edukimin dhe sensibilizimin e publikut në tërësi.

Në vitin 2018 u regjistruan 213 aksidente rrugore me pasojë vdekjen nga 378 që ishte kjo vlerë në vitin 2009, duke shënuar kështu një ulje të dukshme.

Kjo tendencë për ne ka vetëm një domethënie; ajo mund të shërbejë si një inkurajim që na provon se ne mund ta përmirësojmë dhe do ta përmirësojmë më tej nivelin e sigurisë në rrugët e vendit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës, çdo investim në fushën e Sigurisë Rrugore është investim në shërbim të jetës njerëzore.

Duke e parë kështu Qeveria Shqiptare, Kryeministri dhe Ministria e Brendshme, janë plotësisht të angazhuar për të vijuar me vendosmëri programet e modernizimit në të gjitha elementët që kontribuojnë në përmirësime rrënjësore në këtë sektor shumë të rëndësishëm.

Në të njëjtën kohë, ne jemi të bindur se të gjitha reformat e modernizimit duhet të paraprihen në radhë të parë nga mbështetja e njerëzve, pra e punonjësve të Policisë së Shtetit. Arsimimi modern, trajnimi, kualifikimi dhe trajtimi i përshtatshëm ekonomik dhe financiar me përparësi i punonjësve të Policisë së Shtetit do të vijojnë të kryesojnë listën e prioriteteve tona.
Faleminderit!