» Shkodër, ministri Lleshaj inspekton punimet në DVP Shkodër
Postuar më: 19/02/2019

Shkodër, ministri Lleshaj inspekton punimet në DVP Shkodër

VIDEO – Lleshaj: Program i gjerë për përmirësimin e infrastrukturës, ritëm i lartë punimesh

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj inspektoi punimet në kantierin ku po ngrihet ndërtesa e re e DVP Shkodër, shoqëruar nga zyrtarë të MB dhe policisë lokale. Ndërtimi i ambienteve të reja nëpër qarqe është pjesë e një programi të gjerë, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës për organizatën e Policisë së Shtetit.

Gjatë inspektimit, Ministri Lleshaj u shpreh se “Drejtoria e re Vendore e Policisë po ngrihet në kuadër të një programi të gjerë që Ministria e Brendshme ka për të përmirësuar infrastrukturën e të gjitha drejtorive dhe komisariateve. Sot jemi në Shkodër, shoh që punimet po ecin mirë. Është një investim i rëndësishëm”.

Ministri lajmëroi se ndërtesa dhe të gjitha punimet e brendshme do të përfundohen para afatit dhe do të jenë të gatshme para fundit të vitit. “Me kënaqësi konstatoj ritëm të lartë punimesh dhe, besoj, siç u premtua edhe nga Kontraktori, që drejtoria e re do të jetë gati nga fundi i vitit, para afatit të parashikuar, gjë që është një lajm i mirë për gjithë strukturat e policisë së qytetit të Shkodrës dhe punonjësit e saj,” tha ministri i Brendshëm.

Projekti për ndërtimin e objekteve të Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë Shkodër financohet nga buxheti i shtetit. Sipas kontratës me kompaninë ndërtuese, afati i zbatimit është 24 muaj, që shkon deri në 10 tetor 2020. Por ecuria e punimeve ka qenë e mirë dhe nuk janë evidentuar probleme, ndaj me ritmin aktual parashikohet që punimet të mbyllen plotësisht brenda këtij viti. Policia e Shkodrës prej vitesh punonte në një ndërtesë larg parametrave, duke cenuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe pa kushte normale për punonjësit.