SHÇBA ekzekuton 4 urdhra të Gjykatës, për punonjës të DVP dhe DRKM Kukës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/02/2019

SHÇBA ekzekuton 4 urdhra të Gjykatës, për punonjës të DVP dhe DRKM Kukës

SHÇBA ekzekuton 4 urdhra të Gjykatës, për punonjës të DVP dhe DRKM Kukës

16 shkurt 2019- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, për 4 oficerë e punonjës policie të DVP dhe Drejtorisë së Kufirit të Kukësit, të cilët akuzohen për disa vepra penale, pas lejimit të daljes nga paraburgimi të një shtetasi të dënuar me 7.4 vite burg. Gjykata ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për 2 punonjës policie, ndërsa për 2 të tjerë masën “Detyrim paraqitjeje”. Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme SHÇBA në kuadër të procedimit penal të datës 25 janar 2019, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kreu ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për punonjësit e policisë:

– Ferdinand Gjeta, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, Kukës, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë gjyqësore”;

– Agim Basha, në detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kukës, për veprën penale të “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë” parashikuar nga neni 139/ç i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ai është shpallur në kërkim, pasi megjithë kërkimet nuk është ndaluar ende;

– Kujtim Spahia, me detyrë specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Kukës, për veprën penale të “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë”, dhe “Falsifikim të dokumenteve, me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”;

– Shkëlzen Ibaj, me detyrë specialist në Sallën e Komandimit në DVKM, Kukës, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Masat e sigurimit për këta oficerë e punonjës policie, janë vendosur në funksion të hetimeve që kryhen për një procedim penal, ku rezulton se me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe në mos-përmbushje të ushtrimit të detyrës, kanë sjellë pasojë lirimin nga dhomat e paraburgimit të shtetasit Naser Gashi, të cilin Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e ka dënuar me 7.4 vjet burg. Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda vijojnë hetimet për të sqaruar pozitën e punonjësve të tjerë të Policisë dhe të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.