» Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në intervistë në A2 CNN
Postuar më: 14/02/2019

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në intervistë në A2 CNN

VIDEO   Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në intervistë në A2 CNN

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë i ftuar në studion e A2 CNN, ku i është përgjigjur pyetjeve për aktualitetin e ditës, protestën e opozitës së 16 shkurtit, ngjarjen në Kuvendin e Shqipërisë, luftën dhe rezultatet kundër kanabisit, vendimin e gjykatës për Dritan Dajtin etj.

Pyetjes se nëse i druhej një proteste të dhunshme më datë 16 shkurt, ministri u përgjigj: “Nëse do u besojmë deklaratave të Partisë Demokratike, pra të titullarëve të saj: Po, duket se ka një prirje për të patur dhunë”.

Në lidhje me pretendimet e opozitës për pengesën e protestës nga Policia e Shtetit, ministri Lleshaj u shpreh se: “Policia e Shtetit nuk ka nxjerrë asnjë pengesë për të bërë mitingun, veçse duhet të kemi një gjë parasysh që Policia e Shtetit ka përgjegjësi për të gjithë qytetarët, për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe për institucionet. Pra nuk ka përgjegjësi vetëm për protestën. Protestuesit janë një pjesë e rëndësishme e vëmendjes së policisë së Shtetit, por Policia e Shtetit ka detyrim të  sigurojë edhe ata që nuk marrin pjesë në protestë, të sigurojë edhe funksionimin e qytetit”.

Më tej ai ka sqaruar se PD i është lënë hapësirë e mjaftueshme për të mbledhur 300-500 mijë veta. Ministri Lleshaj garantoi se: “Ne nuk kemi asnjë mision për të bërë përplasje. Policia e Shtetit është për të shërbyer, jo për t’u përplasur. Policia e Shtetit ka vetëm një mision, të shërbejë qytetarëve dhe shërbimi ndaj qytetarëve që protestojnë është pjesë thelbësore e detyrave të Policisë së Shtetit  dhe ajo do ta bëjë këtë megjithë këtë kujdesin e duhur”.

I pyetur se si e komentonte deklaratën e ambasadës së SHBA, ministri u përgjigj: “Është për të ardhur keq që kemi një deklaratë të tillë, që ambasada e një vendi mik, e vendit më të madh mik të Shqipërisë detyrohet të na kujtojë ne ABC-në e demokracisë. Të na kujtojë ne që duhet të distancohemi nga dhuna, të protestojmë pa dhunë. Pra deklarata e tyre ka një “megjithatë”, në fjalinë e dytë. Pra fjalia e parë thotë që është e drejta; pro protestës dhe pastaj menjëherë fillon: por pa dhunë”

Ndërsa ngjarjen në Kuvend, ku deputeti demokrat Edi Paloka, hodhi bojë në drejtim të Kryeministrit e  cilësoi si: “një sulm i përgatitur dhe i pabesë, i panevojshëm në një ditë solemne. Ne sot kishim një arsye që të ndihemi krenar, për arsye se kemi mundësuar dhe kemi marrë një vendim që Maqedonia e Veriut të pranohet në NATO dhe bashkë me të pranohet dhe futet në NATO një pjesë e madhe e kombit shqiptar. E kjo ishte një ditë e madhe për Maqedoninë e Veriut, për Rajonin, për Shqipërinë, për shqiptarët dhe ne duhet të mësojmë më së fundmi që edhe në luftë ka momente kur ulen armët”.

I pyetur për hetimet që po bëhen për rastin tha se: “substanca do të përcaktohet nga analizat laboratorike, nuk e dimë se çfarë ishte substanca dhe për këtë arsye, për të caktuar se cila ishte substanca dhe për të përcaktuar tërë dinamikën e asaj vepre, organet përkatëse do të bëjnë hetimet dhe kanë bërë hetime. Di që është këqyrur vendi i ngjarjes, fatkeqësisht është këqyrur një vendngjarje brenda në Parlament dhe do të presim përfundimet, por di që akti është krejtësisht i papranueshëm. Cenimi i integritetit fizik të personit është i papranueshëm kurdoherë”.

Më tej ai është pyetur për raportin e fundit të Guardia di Finanza, ku konfirmohet që Shqipëria për të dytin vit radhazi konfirmohet se Shqipëria ka dal nga harta  e vendeve kultivuese të kanabisit.

I pyetur për situatën e mëparshme ministri u shpreh se “Situata ka qenë e rëndë gjatë gjithë periudhës deri në vitin 2017. Në vitin 2017 ndryshimi i strategjisë që bëmë ne, ishte kyç për të arritur në një zgjidhje të re, sepse kaluam nga lufta kundër bimëve tek lufta kundër rrjeteve dhe tjetër, e spostuam fokusin e përpjekjes, sepse meqë ishte kundër bimëve atëherë pritej që bimët të rriteshin dhe shkonte policia dhe merrej me bimët, atëherë ne thamë që ta mbysim në embrion, para se të mbillen, kur janë në nivel embrional t dhe kjo ndodhi në vitin 2017-2018 dhe pastaj u kthye në një çështje të të gjithë institucioneve. Kundër kanabisit ka mbajtur policia peshën e madhe, por kanë marrë pjesë gjithë institucionet: të bujqësisë, të mjedisit, arsimit, shëndetësisë, institucionet e pushtetit vendor, prefektët, kryepleqtë, kryetarët e bashkive, shoqëria civile, media. Ka qenë një përpjekje e madhe  kombëtare e cila ka sjellë këtë rezultat dhe në këtë rezultat që është impresionues dhe kjo u konfirmua edhe nga partnerët ndërkombëtarët”.

I pyetur për deklaratat e bëra pas vendimit të gjykatës për t’i hequr dënimin me burgim të përjetshëm Dritan Dajtit, Ministri shpjegoi në mënyrë panoramike gjithë situatën, duke nënvizuar faktin që për 224 punonjës policie të vrarë, një pjesë e autorëve kanë marrë dënime qesharake nga gjykatat, gjë që u ka mundësuar të dalin shpejt nga burgu.

“Shumica e vrasësve të këtyre policëve, sot janë rrugëve tona ose të  botës, janë të lirë, e kanë mbaruar dënimin, kanë bërë nga një dënim simbolik, të turpshëm për ne si shoqëri. Dhe nuk mund të pajtohem kurrsesi me asnjë njeri që i thotë vetes gjyqtar që të shpërfillë kujtimin e tyre. Këtu kemi të bëjmë me një problem të madh për arsye se vendimi është krejtësisht i pakuptueshëm. Jo vetëm për mua, besoj për të gjithë shqiptarët është i pakuptueshëm. Dhe kemi premtuar që autorëve të kësaj nëpërkëmbjeje të madhe të dinjitetit të policëve të vrarë në aksion, në detyrë, këta autorët e këtij vendimi, patjetër që duhet të japin shpjegime”.

I pyetur se si mund të vendoset drejtësia pas këtij vendimi të kontestuar me 25 vjet burg për shtetasin Dritan Dajti, ndërkohë ai ka bërë tashmë 10 vite burg, dhe i mbetet edhe 15 gjithsej, Ministri Lleshaj u shpreh se “anë dy gjëra, e para është apeli, rekursi, që është tagër i Prokurorisë; e dyta, është kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për të filluar procesin e hetimit administrativ, disiplinor për gjyqtarët, të cilët dyshohet se kanë dhënë një vendim të padrejtë. Dhe janë edhe masa të tjera që do të aplikohen në rastin e këtyre gjyqtarëve.”

Duke folur për procesin e Vetingut në polici, Ministri tha se “presim nga ky proces që Policia e Shtetit të kalojë nëpër një rrugë afirmimi të vlerave të saj. Unë dua ta shoh si një proces pozitiv. Ne këtu nuk kërkojmë shpërdorues apo njerëz të padenjë. Ne kërkojmë të denjët. Ne duam të konfirmojmë oficerët e policisë të cilët janë të denjë për të shërbyer me besnikëri ndaj qytetarëve të vendit.”

Pyetjes nëse do të kishte ndryshime në kupolën e Policisë së Shtetit, Lleshaj iu përgjigj: “përgjithësisht besoj te proceset, tek sistemet më shumë sesa te njerëzit. Nuk besoj që çdo njeri që vjen në detyrë duhet të ndërrojë njerëzit për të arritur suksesin. Unë nuk kërkoj besnikëri personale; unë kërkoj besnikëri ndaj ligjit, ndaj kushtetutës, ndaj qytetarëve. Për sa kohë ata drejtues e punonjës të policisë, janë besnikë ndaj qytetarëve të Shqipërisë, ndaj kushtetutës dhe ligjit, ata janë miqtë e mi, janë besnikë dhe ndaj meje, dhe anasjelltas”.

Për sa  i përket ndryshimeve në ligjin për policinë dhe heqjen e afatit dy-vjeçar për personat e larguar nga radhët e organizatës, ministri tha se “thelbësore në Policinë e Shtetit nuk është rikthimi por është tërheqja e njerëzve të rinj. Ai është projekti im më madhor. Ne po marrim në Policinë e Shtetit një numër të konsiderueshëm studentësh që kanë mbaruar masterin në disa degë kryesore, me qëllim që të rinojmë trupën e oficerëve të saj dhe të pasurojmë atë me kapacitete të reja të cilat janë të domosdoshme”.

Për çështjen e pagesave të “orëve shtesë” në shërbim të punonjësve të policisë, Ministri tha se “sigurisht që meritojnë respektin tim  maksimal të gjithë oficerët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të cilët punojnë më tepër sesa ne i paguajmë, në përgjithësi. Për arsye se ne si shoqëri spostojmë një pjesë të madhe të detyrave që duhet t’i bëjmë ne ose institucionet tjera, te policia, si instanca e fundit, e cila duhet të merret me rendin, me qetësinë, me qarkullimin rrugor, me luftën kundër krimit, me kontrollin e territorit, me kontrollin e ndërtimeve pa leje, me çështjet e mos pagesave të energjisë, me shumë çështje… Nuk është sekret të themi që ne kemi borxhe ndaj policëve tanë, të gjithë, të cilat duhet të paguhen nga ne, nga shoqëria. Por është e vështirë të planifikohet gjithë ajo ngarkesë që nuk parashikohet dot, për shkaqe nga më të ndryshme. Me mijëra orë pune shtesë janë bërë për protestat e studentëve, do të ketë prapë orë të tjera shtesë. Këto para duhet të paguhen nga buxheti i shtetit tonë, nga qytetarët që protestojnë dhe nga ana që s’protestojnë. Këto do të paguhen patjetër, janë detyrime, thjeshtë është çështja se kur mund të futen në grafikun e planifikimit, sepse nuk janë planifikuar gjithë këto ngarkesa. Ky është një detyrim, një borxh që shteti u ka atyre dhe kjo duhet të bëhet patjetër, borxhi duhet të shlyhet!”