» “Për një Shqipëri pa kanabis”
Postuar më: 13/02/2019

“Për një Shqipëri pa kanabis”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka vlerësuar rezultatet dhe bashkëpunimin e strukturave të Policisë së Shtetit me partnerët të huaj, në një konferencë ndërkombëtare ku u publikuan të dhënat e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit për vitin 2018, të emërtuar “Për një Shqipëri pa kanabis”.

Në këtë takim të organizuar nga Ministria e Brendshme morën pjesë dhe përshëndetën përfaqësuesit më të lartë të Rojes Financiare të Italisë (Guardia di Finanza), ambasadorët e Italisë dhe të BE-së në Shqipëri, E Ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA, dhe diplomatë të misioneve të huaja të asistencës në vendin tonë. Të dhënat e raportit u bënë komentuan nga drejtuesi i GDF, Gjeneral Brigade Giuseppe ARBORE. Për luftën antikanabis të Policisë së Shtetit foli Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu.

Për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë foli Gjeneral Brigade Giuseppe SPINA, Drejtori i Shërbimit  nga Ministria e Brendshme italiane.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri Lleshaj vlerësoi praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe bëri falënderime të posaçme për strukturat e GDF por edhe atyre europiane. Ai u shpreh se “lufta jonë për të çrrënjosur përfundimisht kanabisin nga harta e Shqipërisë bëhet në kuadër të një aleance shumë të gjerë, e cila na bën krenarë dhe më të fortë.”

Sipas RAPORTIT të publikuar nga Guardia di Finanza, gjatë vitit 2018 Shqipëria ka  asgjësuar 100% të bimëve të mbjella në territorin e vendit. Në raportin e bërë publik nga GdF (English) thuhet se numri i bimëve të zbuluara dhe të asgjësuara në të gjithë vendin ishte 675 të tilla, çka përbën një ndër rezultatet më të ulëta në dekada, që prej kohës kur kanë filluar të mbahen statistika mbi fenomenin.

Ministri falënderoi në mënyrë të veçantë qeverinë italiane për mbështetjen e gjithanshme dhe posaçërisht strukturat e policisë italiane dhe të GDF (Rojës Financiare).

Ambasadori i BE në vendin tonë Luigi Soreca u shpreh se: “rezultatet e paraqitura sot janë mbresëlënëse. Ato konfirmojnë dhe amplifikojnë trendin e vërejtur vitin e kaluar në reduktimin drastik të kultivimit në natyrë të kanabisit në Shqipëri. Ato, gjithashtu, tregojnë një reduktim të ndjeshëm të kanabisit të kapur nga Italia si vend fqinj. Dëshiroj të përgëzoj forcat e policisë shqiptare dhe italiane për këto rezultate shumë të rëndësishme.”

E ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, duke vlerësuar hapat e arritura nga policia shqiptare në luftën kundër kultivimit të kanabisit, u shpreh se “dua të vlerësoi punën e madhe të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe të gjithë elementeve ligj zbatuese të qeverisë shqiptare që janë të përkushtuar ndaj kësaj kauze, për procesin e rëndësishëm në zvogëlimin e kultivimit të kanabisit. Dua të sjell veçanërisht në vëmendje përpjekjet e policisë së shtetit shqiptar që po lufton për sundimin e ligjit . Policia ka qenë pararoja në këtë përpjekje shumëkombëshe për të zvogëluar sasinë e kanabisit prodhuar brenda kufijve të Shqipërisë”.

Në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit (RAPORTI) për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike foli Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili dha shifra e detaje të shumta të angazhimit të strukturave policore. Ai nënvizoi faktin se “në total për vitin 2018, Policia e Shtetit, në kontroll territori angazhoi 19.862 grupe kontrolli, ku janë kryer gjithsej 415.506 orë shërbimi.” Veliu theksoi gjithashtu se punonjësit e policisë janë të angazhuar që këto rezultate pozitive t’i konfirmojnë edhe gjatë vitit 2109, me qëllim zhdukjen e plotë të fenomenit të kultivimit dhe trafikimit ta kanabisit nga vendi ynë.

VIDEO Fjala e Ministrit të Brendshëm Sander Lleshaj:

Të nderuar ministra dhe deputetë,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,

Gjeneral Arbore,

Gjeneral Spina,

Te nderuar përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile,

Zonja dhe zotërinj,

Prania kaq e madhe e përfaqësuesve të institucioneve të vendit dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, është një dëshmi e qartë e rëndësisë së temës, për të cilën jemi mbledhur, por edhe e faktit se lufta jonë për të çrrënjosur përfundimisht kanabisin nga harta e Shqipërisë bëhet në kuadër të një aleance shumë të gjerë, e cila na bën krenarë dhe më të fortë.

Historia e kanabisit në Shqipëri është relativisht e re. Ajo ka nisur në fillim të viteve 90-të, ka kaluar nëpër një trajektore plot oshilacione, ka prodhuar lajme botërore me Lazaratin dhe ka mbërritur sot në nivelet më të ulta.

Për vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare të PSH, niveli i kultivimit të kanabisit në Shqipëri është në minimumin historik.

Siç u dokumentua gjatë prezantimeve të mëparshme, ky sukses konfirmohet plotësisht edhe nga bregu përballë, Italia fqinje.

Në vitin 2018, sasia e kanabisit të kapur në Itali me origjinë nga Shqipëria është 81% më e ulët se në vitin 2017!

Prapa këtij rezultati shumë inkurajues është puna dhe përkushtimi i gjithë strukturave të PSH, organeve të pushtetit qendror dhe vendor.

Konsekuenca për zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, angazhimi i një numri të madh institucionesh, qasja gjithëpërfshirëse, koordinimi i ngushtë ndërinstucional dhe bashkëpunimi i shkëlqyer ndërkombëtar janë faktorë të rëndësishëm që qëndrojnë përpara këtij suksesi të madh.

Orientimi i goditjes ligjore, jo thjesht kundër bimëve narkotike, por kundër rrjeteve dhe grupeve kriminale, funksionimi i një sistemi të qartë përgjegjësish të drejtpërdrejta të zyrtarëve të pushtetit qendror e vendor që kanë detyra për kontrollin dhe administrimin e territorit, korrelacioni i qartë i përgjegjësive mes punonjësve të policisë me zonat potenciale për kultivimin të bimëve narkotike si dhe monitorimi i rreptë dhe i shumëfishtë i gjithë territorit, ku veçohet operacioni i monitorimit nga ajri, janë disa nga elementët kryesorë që kanë mundësuar rezultatin historik të arritur në këtë luftë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Unë gjej rastin të përshëndes dhe të falënderoj të gjitha strukturat shtetërore, të cila kanë ndërvepruar në kuadër të Task-forcës qendrore dhe atyre vendore, duke mundësuar një “rrethim” të mirëfilltë dhe të shumanshëm për rrjetet dhe grupet kriminale që operonin në këtë fushë.

Po ashtu, vlerësimet dhe falënderimet më të mira kam për kontributin e shumëfishtë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët janë bërë pjesë e kësaj përpjekjeje të re, që në procesin e hartimit të Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit ashtu dhe në fazën e zbatimit të tij.

Asistenca frontale e BE dhe e vendeve anëtare ka qenë e pranishme në të gjitha aspektet e luftës kundër kanabisit, si në hartimin e strategjive dhe planeve, në mbështetjen e strukturave ligj zbatuese, në lehtësimin e pasojave sociale, në mbështetjen e edukimit të shëndoshë, në ndihmën ndaj viktimave të kësaj veprimtarie kriminale, etj..

Në mënyrë të veçantë, sot dëshiroj të falënderoj, qeverinë italiane, strukturat e Rojës Financiare të Italisë dhe policinë italiane për finalizimin me sukses të plotë të projektit të mbështetjes me vëzhgim ajror për zbatimin e strategjisë kundër kanabisit (SANCAS).

Viti 2017 ishte një sukses i rëndësishëm. Ndërsa 2018-ta është një kulm historik suksesi.

Zhvendosja e objektivit të luftës nga bimët tek kriminelët është thelbi i suksesit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Shumica juaj kanë të drejtë legjitime të ndihen sot krenarë për këtë arritje të madhe. Krenarë duhet të ndihen punonjësit e policisë shqiptare, ata të policisë italiane, të Rojës Financiare të Italisë, ekspertët e TAIEX në BE, diplomatet e vendeve mike e partnere, prefektët, mësuesit, gazetarët, punonjësit socialë, ata të bujqësisë, të mjedisit, të arsimit, të shëndetësisë, drejtuesit dhe administratorët e pushtetit vendor, shoqëria civile, të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Ne kemi arritur së bashku fitore në një betejë të rëndësishme, e cila na krijon besim dhe shpresë se, përmes bashkimit të gjerë të energjive tona ne mund të arrijmë të fitojmë luftën e vërtetë që është integrimi europian i Shqipërisë.

Sigurisht që ne nuk mund të ndalojmë këtu. As kundër kanabisit as kundër veprimtarive të tjera kriminale.

Shumë beteja të tjera janë për t’u finalizuar.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ajo kundër migracionit ilegal dhe trafikimit të qenieve njerëzore janë dy të tjera po aq të rëndësishme.

Operacionet e realizuara së fundmi, si ai për vënien përpara drejtësisë të të shumëkërkuarit Klement Balili, ato për goditjen e disa rrjeteve të tjera të trafikimit të drogës, Operacioni “Rruga e Gabuar” për goditjen e një rrjeti të madh e të rrezikshëm të trafikimit të qenieve njerëzore, që u krye në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë amerikane si dhe operacioni i djeshëm “Lulet e Pranverës”, që u krye në bashkëpunim me partnerët tanë italianë, provojnë së paku tri të vërteta të mëdha:

Së pari, ne kemi vullnet të padiskutueshëm. Pra, ne duam.

Së dyti, ne kemi kapacitete për këtë qëllim. Pra, ne dimë.

Së treti, ne kemi mbështetje të madhe në këtë mision. Pra, ne nuk jemi vetëm.

Unë dua të garantoj gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe gjithë partnerët tanë, përherë besnikë, se qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera janë të motivuara dhe të angazhuara maksimalisht për të çuar përpara me energji të re të gjitha reformat historike, si ajo e sistemit të drejtësisë, të modernizimit të PSH, të Vetingut në polici dhe shumë të tjera, të cilat janë kushte të rëndësishme për realizmin e kryereformës sonë kombëtare që është ajo për Europën e vlerave tona.

Së fundmi, më lejoni ta mbyll fjalën duke dalë disi nga tema. Takimet më të gjata që kam zhvilluar gjatë këtyre ditëve të para të detyrës time si Ministër i Brendshëm kanë qenë ato me familjet e punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës.

Kanë qene takime shumë të vështira, ku kam pasur rastin të prek nga afër një pjesë të rëndësishme të dhimbjes së këtij vendi. Shqipëria ka tragjikisht shumë heronj të policisë së saj në harkun e pak viteve.

Kjo vajza që po shikoni në foto, quhet Sonja. Ajo është vajza e një heroi të Shqipërisë. Babai i saj, Roland Lika, ishte punonjës i PSH që dha jetën në luftë me krimin më 19 tetor 2010.

Pikërisht sot, Sonja mbush dhjetë vite. Është hera e parë që ajo përjeton një festë të mirëfilltë të ditëlindjes së saj, të organizuar nga kolegët, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Ka udhëtuar nga Vlora për në Dardhë, sipas dëshirë së saj, për të përjetuar një ditë ndryshe nga fëmijëria e saj e trishtë.

Duke i uruar Sonjës jetë të gjatë e të lumtur, shpreh edhe solidaritetin e plotë me familjet e gjithë punonjësve të PSH të rënë në krye të detyrës si dhe angazhimin maksimal se MB dhe PSH do të bëjnë gjithçka është e mundur për të trajtuar me respekt familjet e heronjve të policisë si dhe për të vijuar me vendosmëri të palëkundur përpjekjet për një Shqipëri më lirë, të drejtë dhe të sigurte.

Sado probleme që mund të ketë PSH, ajo ka një trashëgimi të rëndë, por edhe shumë të çmuar. Gjaku i derdhur nga 224 heronjtë e saj është një thirrje e përjetshme për besnikëri ndaj qytetarëve të këtij vendi, të cilët i besojnë asaj gjënë më të çmuar, jetën dhe sigurinë e fëmijëve të tyre.

Dhe përballë kësaj thirrjeje të përjetshme ne kemi vetëm një alternativë: Të fitojmë besimin e qytetarëve, për të mundur që të fitojmë edhe betejat e përhershme me të keqen kriminale të këtij vendi. Faleminderit!