» MB e MTM mbledhje me strukturat për menaxhimin me sukses të sezonit të ri turistik
Postuar më: 08/02/2019

MB e MTM mbledhje me strukturat për menaxhimin me sukses të sezonit të ri turistik

VIDEO – MB e MTM mbledhje me strukturat për menaxhimin me sukses të sezonit të ri turistik 

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në takimin e mbajtur me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, me Prefektët, drejtues të Policisë së Shtetit dhe AZM për problematikat e vitit turistik 2018, ndarjen e detyrave për këtë vit dhe zbatimin e planit prej 365 masash për turizëm më cilësor, të sigurt dhe me standarde gjatë 2019:

I nderuar ministër Klosi,

Të nderuar prefektë të qarqeve

Drejtues të strukturave të policisë

Të nderuar pjesëmarrës,

Takimi që organizohet sot, një takim i përbashkët i strukturave të Ministrisë së Turizmit dhe Ministria e Brendshme, ka për qëllim që të trajtojë çështje të përbashkëta që kanë të bëjnë me menaxhimin me sukses të sezonit të ri turistik, të cili shpresohet të fillojë sa më shpejt.

Viti i kaluar ishte një përvojë e suksesshme e bashkëpunimit të strukturave të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mjedisit dhe strukturave të tjera të administratës shtetërore, prej të cilit u sigurua një sezon turistik i suksesshëm me tregues të kënaqshëm, me rritje të konsiderueshme, i cili gjeneroi të ardhura të mëdha në buxhetin e shtetit dhe evidentoi problematikë të reduktuar. Megjithatë mbeten shumë çështje për t’u diskutuar, çështje të rëndësishme, sepse tendenca e flukseve turistike drejt vendit tonë janë në rritje, që do të kërkojë dhe nivel të shtuar të angazhimit të të gjithë strukturave të Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të tjera që do t’i bashkohen më vonë, Ministria e Shëndetësisë dhe të tjera me radhë.

Ministër, unë do thosha shkurtimisht në trajtë përmbledhjeje që përveç të tjerave, viti është një vit i rëndësishëm politik për Shqipërinë, për arsye se është një vit në të cilin ne presim vendimin për hapjen e negociatave me BE-në. Dhe një sezon i mirë turistik është një kontribut për një imazh të mirë të vendit, imazh, i cili është mjaft i rëndësishëm për të ndikuar një vendimmarrje pozitive të vendeve anëtare të BE-së.

Dhe këtu kemi rol të gjithë për të luajtur, që imazhi i Shqipërisë të jetë ai që është në fakt, por përmes miliona qytetarëve të huaj që vijnë e vizitojnë Shqipërinë, ne mund ta përcjellim në rrugën më të mirë këtë imazh.

Vitin e kaluar kanë qenë 11.2 milionë qytetarë shqiptarë e të huaj, që janë përfshirë në sezonin turistik sipas INSTAT-it. Pra llogarisni vetë se çfarë impakti mund të ketë nëse të gjithë këta njerëz shkojnë mbrapsht me një përshtypje pozitive për vendin ku kaluan disa ditë pushimesh.

Sigurisht në të gjithë organizimin e sezonit, roli i Prefektëve do të jetë rol qendror, sepse vetë funksioni i prefektit është funksion qendror; do të duhet të koordinojnë punën mes të gjitha agjencive të tjera qoftë atyre të pushtetit qendror, apo vendor në mënyrë që reagimi, veprimi i të gjithë strukturave shtetërore të jetë si një i tërë.

Është me shumë rëndësi të përmendim këtu faktin e inspektimeve, që përmendi dhe Ministri, për të thënë që duhet të evitojmë inspektimet individuale, ku çdo inspektorat shkon e bën një axhendë të vetëm inspektuese. Duhet që këto të organizohen nga prefektët në mënyrë që inspektimet të bëhen të përbashkëta, pra të bëhen të thelluara por të mos rëndojnë herë pas herë, pa fund, sa mbaron njëri, fillon tjetri dhe shqetësohet. Në vend që të luhet një rol pozitiv, nganjëherë kthehet në negativ për shkak të morisë së inspektorëve që rendin drejt subjekteve të ndryshme tregtare apo turistike.

Pra të kemi një plan të mirë akorduar nën drejtimin e Prefektit për të bërë inspektime me ekipe, jo me individë. Ekipe të përbashkëta nga Policia, Mjedisi, Shëndetësia, Ushqimi etj. me radhë në mënyrë që ky subjekt, kur shkohet një herë, të mbarohet punë me një herë.

Me rëndësi të madhe do të jenë çështjet që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor. Sigurisht që flukset e shtuara turistike janë një barrë e madhe për qarkullimin dhe duhet të merren masa që tani në bashkëpunim edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Drejtoria përkatëse e Policisë Rrugore duhet të marrë që tani masat në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, me strukturat vendore në mënyrë që të gjithë ato projektet për përmirësime infrastrukturore në sistemet rrugore e të tjera me radhë, të marrin rrugë sa më shpejt dhe të ketë plane alternative për të devijuar dhe orientuar trafikun në rastet e ngarkesave të mëdha.

Këto plane duhen bërë që tani dhe koordinimet duhen bërë që tani. Aq sa do të duhet që strukturat e Policisë së Shtetit të merren dhe të mbështesin turistët, operatorët, bizneset në mbarë funksionimin e sezonit, po aq ato duhet të jenë të fokusuara edhe në fushën e krimit, i cili shoqëron aktivitete të tilla që janë masive. Nuk është ndonjë gjë e re që të themi se këto flukse të mëdha turistike shoqërohen edhe më përpjekje jo të vogla për spekulim nga subjekte të ndryshme, qofshin turistike, tregtare dhe të tjera me radhë, e këtu sidomos strukturat e krimit ekonomik financiar duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të mbajtur nën kontroll situatën, për të mos lejuar që turistët të manipulohen, të mashtrohen, të vidhen në ndonjë rast nga persona apo dhe subjekte të papërgjegjshme që ndonjëherë mundohen të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga flukset.

Sigurisht që çështjet që përmendi ministri, të zhurmave etj., të ngjashme që nuk duhet të shndërrohen kurrë dhe kënaqësia e njërës palë nuk duhet të shndërrohet në bezdinë e një pale që nuk bën pushime, por kam me rëndësi dy çështje që kam për të përmendur, që kanë të bëjnë me rërën dhe sigurinë në plazhe.

Viti i kaluar ka qenë viti i suksesshëm, por nëse futemi pak më thellë në histori shohim probleme të mëdha në këtë fushë dhe në këtë çështje nuk është fjala për opsion- ti ngrejë apo mos ti ngrejë kullat dikush. Këtu që ditën e parë, që tani, monitorimi do të jetë i tillë që të garantojë që asnjë segment plazhi nuk fillon funksionimin pa patur të krijuar të gjithë infrastrukturën e sigurisë sipas ligjit. E këtu nuk ka nevojë as për negociata, as për lënie kohe në dispozicion, kohën e kanë ata, e dinë, të gjithë ata që do të marrin përsipër të ofrojnë shërbim në plazhe, duhet të marrin përsipër edhe detyrën për të plotësuar ato kritere ligjore.

Duhen staf sigurie, duhen kulla sigurie, duhen kufizime përkatëse, është një rend i tërë masash që duhen marrë nga Operatorët që shërbejnë në plazhe dhe sidomos nga drejtuesit e pushtetit vendor. Dhe këtu ju duhet të jeni jashtëzakonisht të qartë, të saktë dhe pa asnjë mundësi tërheqje.

Kush merr përsipër të marrë para për plazhet që ju thashë janë pasuri publike, t’i inkasojë paratë private duhet që të ofrojë të gjitha standardet e sigurisë që janë të parashikuara në ligj dhe vetëm në këto kushte mund të veprojë dhe mund të funksionojë më tej një veprimtari e tillë në plazhe. Sepse kemi patur raste, mbani mend, kemi diskutuar gjatë takimeve në Drejtoritë Vendore të Policisë, që kjo ka mbetur një çështje ende e pazgjidhur plotësisht, me të gjithë progresin, por ende është e pazgjidhur plotësisht.

Ndërkohë që këtu nuk ka asnjë argument që të mos zgjidhet, sepse këtu ekzistojnë të gjitha. Ekzistojnë paratë, të gjitha ato hapësira shiten ndaj përdoruesve, kështu që edhe operatorët i kanë mundësitë edhe financiare për të bërë investime të domosdoshme në funksion të sigurisë. Jeta e njerëzve prevalon mbi gjithçka, jeta e turistëve dhe këtu toleranca do të jetë zero, për të mos thënë pak nën zero, jo mbi zero por pak nën zero do ishte mirë.

Faleminderit!