» Apliko online – Hapet aplikimi për t’u bërë pjesë e Policisë, për studentët që përfunduan universitetin me rezultate të larta
Postuar më: 31/01/2019

Apliko online – Hapet aplikimi për t’u bërë pjesë e Policisë, për studentët që përfunduan universitetin me rezultate të larta

Apliko online – Bashkohu me Policinë e Shtetit

Nga 1 shkurti hapet aplikimi për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit

Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 150 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Kriteret e përgjithshme për pranimin në Akademinë e Sigurisë e këtyre kandidatëve:

të jenë shtetas shqiptarë;

– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;

– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;

– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht, për të kryer detyrën;

– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundra vajtjeje penale me dashje;

– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;

– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

Kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë për t’u pranuar në këtë cikël janë:

– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë): 

– të jenë në moshë jo më shumë se 29 vjeç;

– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;

– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;

– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet PORTALIT të Akademisë së Sigurisë (KLIKO), nga data 1 Shkurt 2019 deri në datë 15 Shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit:

– vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga mesatarja e mesatares së ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në të njëjtin profil arsimor, si dhe ata me mesatare të njëjtë sipas institucionit ku aplikanti ka përfunduar shkollimin;

– vlerësimi i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

– intervistimi i aplikantëve;

– kontrolli shëndetësor;

– marrjes së shenjave të gishtave;

– verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Kjo hapje e Policisë së Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik, me gradën “nënkomisar”.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.