» Miratohet në Komisionin e Ligjeve marrëveshja me FRONTEX për menaxhimin e kufijve
Postuar më: 29/01/2019

Miratohet në Komisionin e Ligjeve marrëveshja me FRONTEX për menaxhimin e kufijve

Miratohet në Komisionin e Ligjeve marrëveshja me FRONTEX për menaxhimin e kufijve

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë” e prezantoi në Komision zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Ajo u shpreh se projektligji synon forcimin e bashkëpunimit në fushën operacionale ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Departamentit të Kufirit dhe Migracionit dhe Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare.

Zëvendësministrja tha se marrëveshja është e fokusuar në disa shtylla: lufta kundër migracionit të paligjshëm, krimit ndërkufitar dhe kryerja e operacioneve të kthimit e ripranimit në lidhje me menaxhimin e kufijve.

Voda deklaroi në Komision se marrëveshja e ngre në një stad më të lartë bashkëpunimin e strukturave të kufirit dhe emigracionit me Agjencinë Evropiane të Rojës Bregdetare dhe Kufitare. Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit në fushën operacionale të Shqipërisë me vendet e BE-së, në kuadrin e menaxhimit të kufijve, migracionit të paligjshëm si dhe kundër krimit ndërkufitar.

Anëtarët e Komisionit miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.