Inaugurohen ambientet e reja të Komisariatit nr. 6 Tiranë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/01/2019

Inaugurohen ambientet e reja të Komisariatit nr. 6 Tiranë

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, në inaugurimin e Komisariatit 6 në Tiranë:

I nderuar zoti Drejtor i Përgjithshëm,

Të nderuar përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe të Komisariatit nr. 6,

së pari, është një kënaqësi e veçantë për mua që më jepet mundësia sot për t’u shkëputur edhe nga rutina e për të ardhur për t’ju takuar juve këtu dhe në një rast si ky, një rast i mirë që shënon një hap tjetër drejt modernizimit të Policisë së Shtetit.

Fjala modernizim në fakt përbën kyçin e gjithë programit që unë kam vënë përpara vetes në raport me Policinë  e Shtetit.

Policia e Shtetit duhet të përjetojë, të vijojë procesin dhe ta thellojë më tej, një proces të gjithanshëm modernizimi, i cili do të prekë njerëzit, strukturën dhe infrastrukturën dhe hapi që bëjmë sot, inaugurimi i Komisariatit numër 6 është vetëm një hap tjetër jo i madh, i vogël do të thosha, në këtë rrugë e cila nuk do të ketë kthim. Përmes modernizimit ne modernizojmë në radhë të parë shërbimin ndaj qytetarëve dhe shërbimi ndaj qytetarëve është prioriteti më i rëndësishëm që Qeveria shqiptare ndjek. Në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj qeveria shqiptare përmes reformave të mëdha synon të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve. Përmes kësaj pune ne justifikojmë besimin e madh që qytetarët investojnë tek ne, qoftë besimin moral, po qoftë dhe burimet e konsiderueshme që i dedikojnë shërbimit tonë.

Sot banorët e zonës së Kombinatit, që është një nga njësitë më të mëdha të kryeqytetit, pas pothuajse 3 dekadave mungese vëmendjeje në këtë fushë për të cilën jemi mbledhur sot, kanë një Komisariat të ri, të ri-konstruktuar tërësisht, së bashku me Zyrën moderne të Shërbimeve për Qytetarët.

Investimi në këtë mënyrë në përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, besojmë se është mënyra më e mirë për të investuar tek besimi i qytetarëve, besim i cili në një farë mënyre është karburanti me të cilin ne duhet të funksionojmë dhe në qoftë se mbaron ky besim, ne na ka mbaruar dhe karburanti me të cilin funksionojmë.

Këto investime ndihmojnë Policinë e Shtetit që jo vetëm t’i shërbejë më mirë komunitetit, por dhe të forcojë më tej kapacitetet e saj në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik, atij financiar, korrupsionit, paligjshmërisë dhe formave të tjera të krimit.

Duhet të dimë që lufta kundër krimit në tërësi atij të organizuar në veçanti, do të vijojë të jetë prioriteti më i rëndësishëm i punës së Policisë së Shtetit, prioritet mbi bazën e të cilit do të matet puna, kontributi dhe do të bëhet edhe vlerësimi i secilit prej jush apo i kolegëve tuaj, që nuk janë në këtë sallë. Rezultatet e arritura në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” janë një inkurajim i rëndësishëm për të thelluar më tej punën në këtë drejtim.

Motoja jonë për vitin 2019 e në vijim do të jetë që Operacioni “Forca e Ligjit” nënkupton gjithë Policinë e Shtetit dhe jo vetëm Task Forcën e organizuar për këtë qëllim. Pra, e gjithë Policia e Shtetit do të jetë pjesë e këtij operacioni, i cili duhet të synojë thellimin e rezultateve të deritanishme, i cili do të synojë rritjen e treguesve në luftën kundër kriminalitetit, në forcimin e sigurisë publike dhe në prezantimin e rezultateve të prekshme, të cilat do të na bëjnë të mundur që në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE, ne të kemi mundësi të dëshmojmë që kemi pjekurinë e nevojshme, kemi treguesit e nevojshëm për të merituar hapjen e këtyre negociatave, të cilat do të shënojnë edhe një rast të jashtëzakonshëm progresi të vendit tonë drejt anëtarësimit në BE-së.

Sigurisht që për vitin 2018, siç u përmend edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka pasur investime të rëndësishme në fushën e modernizimit të Policisë së Shtetit, qoftë në infrastrukturë, qoftë në pajisje dhe në modernizim me një shifër të konsiderueshme e cila edhe këtë vit do të vijojë të jetë e tillë. Shifrat nuk kam ndërmend  t’i përmend tani. Dua t’ju theksoj që në vitin 2019 do të vazhdojnë dy projekte të rëndësishme që do të fokusohen kryesisht në krijimin e kapaciteteve të duhura për punën, për stërvitjen dhe për veprimtarinë e forcave operacionale të Policisë së Shtetit.

Po ashtu një investim i rëndësishëm po bëhet në Shkodër dhe investime të tjera po bëhen edhe në fushën e modernizimit në tërësi, qoftë në drejtim të krijimit të qendrave të të dhënave, modernizimit të flotës së Policisë së Shtetit, modernizimin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në fusha të tjera, të cilat do të mundësojnë që Policia e Shtetit të ngrihet në një nivel të ri në mënyrë që të jetë më e aftë për të përballuar sfidat e një misioni shumë kompleks i cili bëhet përditë e më i ndërlikuar për aq kohë sa krimi bëhet përditë edhe më i ndërlikuar.

Para ca ditësh ne patëm mundësinë që të prezantojmë vetëm një paketë të vogël automjetesh që u vunë në shërbim të Policisë së Rendit, kryesisht asaj të Policisë Rrugore. Viti 2019 do të shënojë prapë paketa të tjera madje edhe më të mëdha sesa ajo që sapo kemi prezantuar në muajin që shkoi, të cila do t’i shkojnë kryesisht në shërbim Policisë Kriminale dhe strukturave të hetimit, në mënyrë që edhe në këtë sektor të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, investimet të njohin impuls të reja. Dhe rezultatet po ashtu në përpjesëtim të drejtë me investimet, pritet që të jenë po ashtu të rëndësishme.

U përmend nga Drejtori i Përgjithshëm çështja e investimit që inaugurojmë së shpejti për modernizimin e Policisë Rrugore, e cila bashkë me futjen e tabletave të reja, duhet dhe do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e operimit të saj. Ne kemi urdhëruar dhe ka filluar tashmë zbatimi i qasjes së re për të hequr dorë nga postblloqet tradicionale në rrugët e vendit dhe për të kaluar në patrullim. Sigurisht, që heqja dorë nga postblloqet nuk do të thotë heqje dorë nga kontrollet, por shtim i kontrolleve, vetëm se kontrollet tashmë nuk do të adresohen më masivisht ndaj të gjithëve, por do të adresohen ndaj atyre që bëhen subjekt i policisë, pra ndaj atyre që i shkelin rregullat e qarkullimit rrugorë. Për të mos rënduar aspak jetën e atyre qytetarëve, të cilët janë në respekt të ligjit, policia do të merret me ata që dalin përtej ligjit, por dhe ndaj atyre qasja do të jetë mjaft moderne, gjobat do të shkojnë në rrugë postare apo më vonë edhe në mënyrë elektronike më qëllim që të rrisim eficencën, të shtojmë sigurinë në qarkullimin rrugorë dhe të ulim sa më shumë të jetë e nevojshme shpenzimin e kohës së panevojshme për qytetarët, por po ashtu të ulim sa më shumë të jetë e nevojshme kontaktin e panevojshëm të punonjësve të Policisë me përdoruesit e mjeteve, në mënyrë që në këtë rrugë të eliminojmë edhe mundësitë, sado të vogla, potenciale, për korruptim të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit në rrugën e saj të modernizmit do të njohë në vitin 2019 edhe momente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me atë që është çështja themelore e saj, modernizimin e njerëzve të saj. Akademia e Sigurisë do të fillojë së shpejti një program të ri që do t’u mundësojë studentëve që kanë mbaruar me suksese, me rezultate shumë të larta në universitetet e vendit kryesisht në degë deficitare për Policinë e Shtetit si: Ekonomia, Financa, Informatika, Elektronika dhe Jurispudenca, këta qytetarë, pra këta studentë që kanë përfundimet studimet me rezultate shumë të larta do t’i nënshtrohen një programi të rëndësishëm arsimimi në Akademinë e Sigurisë, në mënyrë që së shpejti të bëhen pjesë e strukturave tona të hetimit, për të fuqizuar sa më shumë kapacitetet e Policisë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar në tërësi, atij ekonomik, financiar dhe korrupsionit në veçanti dhe për ta realizuar këtë kërkohen specialist, kërkohen profesionist të rinj.

Hapi që do të ndërmarri Akademia e Sigurisë së shpejti do të jetë vetëm një hap i parë në këtë drejtim, i cili do të pasohet në vitin në vijim dhe në vitet e tjerë, me prurje të reja kryesisht nga radhët e atyre që kanë mbaruar shumë mirë universitetin, në mënyrë që trupa e oficerëve të policisë të njohë një rigjenerim të rëndësishëm, të njohë një përmirësim të rëndësishëm të kapaciteteve dhe të cilësisë së saj dhe në mënyrë që ajo të bëhet një strukturë plotësisht e krahasueshme me strukturat homologe, qoftë të vendet e rajonit, qoftë të vendeve të Evropës, për t’u bërë kështu një ndër ato trupa profesionistësh, të cilët shtyjnë përpara procesin e integrimit të vendit tonë në strukturat evropiane.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju uroj punë të mbarë dhe ta gëzoni Komisariatin e ri dhe u bëj thirrje atyre të tjerëve që nuk e kanë mundësinë të punojnë në një Komisariat si ky (se kemi dhe Komisariate të tjera që nuk janë në këtë gjendje kaq të mirë), që të bëjnë durim, sepse programi për rinovimin e të gjithë infrastrukturës është në lëvizje të plotë, në zhvillim të plotë dhe shumë shpejt ky program do të arrijë edhe në Komisariate të tjera, të cilat janë në gjendje të vështirë, apo dhe nuk ekzistojnë fare siç janë në disa raste Maliqi apo Vau i Dejës apo vende të tjera, që ende nuk është bërë e mundur ndërtimi i një strukture që të akomodojë në mënyrë të përshtatshme Policinë e Shtetit.

Ju faleminderit!

 

Ministri Lleshaj iu përgjigj interesit të medias, për disa çështje:

Pyetje: Studentët kanë pretenduar që janë dhunuar nga policia, a keni një koment? Dhe pse ka ndërhyrë Policia në ambientet ku studentët po protestojnë?

Ministri Lleshaj: Sigurisht unë dua të them që ju falënderoj për pyetjen dhe saktësimin e saj. Policia e Shtetit dhe organet e sigurisë në përgjithësi janë, ekzistojnë për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe sigurisht që qëndrojnë jashtë palëve.

Këtu, për rastin që ju i referoheni, kemi të bëjmë me një grup të vogël studentësh të cilët pas përfundimit të protestave të studentëve të cilat u zhvilluan në rrugët e vendit në mënyrë më demokratike por edhe masive të mundshme, kanë vendosur ta vijojnë në një formë tjetër, por kjo për mendimin tim është përtej protestave të studentëve të dhjetorit. Bëhet fjalë për një veprimtari tjetër.

Sigurisht që ligji për arsimin e lartë u garanton universiteteve autonominë dhe lirinë akademike, dhe mjediseve të universiteteve u garanton paprekshmërinë e tyre. Paprekshmëria e mjediseve universitare do të thotë paprekshmëria nga çdo formë e dhunës, e krimit apo e pasigurisë. Sigurisht që edhe organeve të sigurisë nuk u lejohet futja dhe angazhimi në mjediset universitare, pa kërkesë. Ne kemi pasur këto ditë shqetësime sa i përket bllokimit të disa universiteteve, bllokim i cili ka çuar që një pjesë e madhe e studentëve t’u pamundësohet vijimi i studimeve. Dhe mbrëmë ka pasur një kërkese nga drejtues të universiteteve për ndihmë, në mënyrë që të liroheshin ato mjedise që janë zënë me barrikada të improvizuara nga disa persona të caktuar, nga një grup i vogël personash.

Kryesisht veprimet janë bërë nga strukturat e policisë private të këtyre universiteteve. Policia ka mbështetur nga larg këtë veprimtari. Dhe dua të them që garancia që u jepet universiteteve dhe paprekshmëria e mjediseve universitare do të thotë  paprekshmëri nga çdo formë e dhunës apo e pasigurisë. Është detyrë e drejtuesve të universiteteve që të kujdesen që universitetet të mbeten zona të lira në çdo pikëpamje, të lira për këdo. Dhe gjej rastin t’i ftoj drejtuesit e universiteteve të caktuara të cilat janë prekur nga këto fenomene të shkëputura që të bëjnë kujdes që t’i ruajnë universitetet të lira nga çdo formë dhunimi, në mënyrë që të garantojnë vijueshmërinë e pandërprerë të mësimit, të programeve.

Sigurisht dua t’iu them edhe atyre personave të cilët kanë vendosur këtë formë proteste, t’iu them që unë i mirëkuptoj edhe thirrjet e tyre nganjëherë dhe entuziaste që universiteti është i yni, por dua t’iu them që universiteti është edhe i yni, është i të gjithëve; është i studentëve, por është edhe i atyre që paguajnë për ta, që jemi ne të tjerët, që paguajmë për studentët dhe duhet që të kujdesemi që vërtet t’i lënë universitetet zona të lira ku të bëhet mësim, ku ka liri akademike, liri debati dhe uroj që, sidomos po shihja disa skena tek Fakulteti Juridik dhe gjej ndoshta dhe rastin t’u drejtohem drejtuesve të Fakultetit Juridik që të kujdesen që nga Fakulteti Juridik të na ofrohet mundësia të marrim profesionistë të mirë, të marrim  gjyqtarë të ardhshëm, të marrim prokurorë të ardhshëm, të marrim edhe njerëz që do i shërbejnë ligjit në këtë vend dhe të mos marrim produkte, të cilat bëjnë të kundërtën, siç edhe për fat të keq i ndjekim, i kemi ndjekur edhe rastet e fundit me gjyqtarë të caktuar, të cilët turpërojnë çdokënd. Uroj që nga fakultetet tona në përgjithësi, nga Fakulteti i Drejtësisë në veçanti të mos na vijojnë të prodhohen gjyqtarë të atij modeli që sapo e keni parë në imazhet e fundit të përcjella nga mediat.

Pyetje: Zoti Lleshaj ju para Vitit të Ri na keni përgënjeshtruar si media, për shkak se studentët nuk u proceduan. Kemi një rast të ri ku dy studentë janë proceduar para pak ditësh, ndërkohë që ju thatë që asnjë student nuk do të procedohet për protestën. Edhe në lidhje me rastin që thatë pak më parë për bllokimin e veprimtarisë në universitete, studentët do të procedohen penalisht?

Ministri Lleshaj: Studentët nuk procedohen penalisht si të tillë. Në qoftë se bëhet fjalë për individë është tjetër gjë. Se ju përdorni këtë termin “studentët” edhe kur bëhet fjalë për një person. Ai person ka emër të veçantë, ka emër dhe mbiemër. Pra në qoftë se thoni studentët  unë them prapë, jo kurrë nuk procedohen studentët, po me student kuptoj grupin e madh prej 135 mijë studentësh të Shqipërisë. Individë të caktuar, që shkelin ligjin sigurisht nuk kanë imunitet, askush nuk ka imunitet në këtë vend nga prekja e ligjit. Rasti që ju referoni, janë thjesht shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga policia, dy persona të cilët kanë marrë çekanin dhe gozhdën dhe kanë gozhduar derën e një institucioni  të shenjtë të dijes. Një gjest mjaft fatkeq dhe një simbolikë mjaft fatkeqe, e cila mua më kujtohet vetëm nga mesjeta kur mbylleshin dyert e universiteteve. Dyert e universiteteve duhet të hapen, jo të mbyllen. Simbolika e barrikadave në derën e universitetit apo e gozhdës në derën e universiteteve nuk janë simbolika që na çojnë  drejt Evropës.

Pyetje: A keni një koment për ngjarjen në Elbasan ku mbetën të vrarë tre persona?

Ministri Lleshaj: Nuk kam një koment për ngjarjen! Çfarë komenti mund t’i bëj një ngjarjeje, e cila është në hetim e sipër, është një ngjarje e rëndë, e cila ka angazhuar të gjithë kapacitet e Policisë së Shtetit për të thelluar hetimet bashkë me prokurorinë dhe për t’i shkuar në fund ashtu siç duhet t’i shkohet në fund çdo vepre kriminale që ka ndodhur, apo do të ndodhë në këtë vend.

Faleminderit!