Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 68 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 07/01/2019

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 68

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 68

(31 dhjetor – 6 janar 2019)

MINISTRIA E BRENDSHME

Pajisja me karta ID e rreth 1.4 mln shtetasve që u skadojnë në 2019

Ministria e Brendshme ka nisur një komunikim intensiv me publikun për të sensibilizuar të gjithë shtetasit shqiptarë të cilëve u skadojnë kartat ID gjashtë muajt e parë të 2019, të paraqiten në sportelet e kompanisë “Aleat” për t’u pajisur me karta identiteti. Drejtori i Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj ka sqaruar se karta e parë e identitetit e lëshuar nga “Aleat”, daton në mars 2009 dhe nga marsi i vitit 2009 deri në mars të vitit 2019, që përkojnë me afatin 10-vjeçar të vlefshmërisë së kartës së identitetit, bëhen rreth 1.4 milionë shqiptarë të cilëve ju mbarojnë kartat e identitetit. Ai ka sqaruar se çdo qytetar, për të bërë të mundur pajisjen me dokumentin e ri të identitetit, ID kartën në rastin konkret, mund të paraqitet pranë sporteleve të kompanisë koncesionare “Aleat” dhe mund të aplikojë edhe para datës së skadimit, me qëllim shmangien e ndonjë fluksi të mundshëm.  Ndërkohë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, si: Greqi, Itali, SHBA, Belgjikë, Angli dhe Gjermani, shteti shqiptar ofron mundësinë e aplikimit për shtetasit e tij që jetojnë përtej territorit të Republikës së Shqipërisë, pranë ambasadave shqiptare, për të aplikuar për pasaporta dhe karta identiteti.

SHÇBA

2 janar 2019 – Kukës, Sektori i SHÇBA-së në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, arrestuan në flagrancë 6 shtetas, mes tyre 2 punonjës policie. Arrestimi u bë pasi në datë 1 janar 2019, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë ndihmuar për t’u larguar nga vendi i qëndrimit, shtetasin serb S.V., 53 vjeç, banues në Mirocka, Serbi. Ky i fundit ishte me masë sigurie ”Arrest shtëpie” dhe ruhej nga punonjës policie në një ambient privat, në Kukës. Arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi gjatë kohës që ishin me detyrë, ruajtjen e shtetasit S.V., kanë lejuar takimin e tij me të afërm pa autorizim përkatës, duke mundësuar largimin e të arrestuarit nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Dhënia ndihmë e një të burgosuri për largim, kryer në bashkëpunim”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

POLICIA E SHTETIT

Festimet e fundvitit, pa incidente

1 janar 2019 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka inspektuar shërbimet e Policisë në sheshin “Skënderbej” ku u kryen festimet nga bashkia e Tiranës. Gjatë një prononcimi për mediat Drejtori i Përgjithshëm Veliu ka theksuar se në të gjithë vendin ndërrimi i viteve ka kaluar pa probleme, në të gjitha sheshet janë hedhur fishekëzjarrë në mënyrë të organizuar dhe është për t’u vlerësuar fakti se si rezultat i masave të marra pothuaj është zeruar hedhja e kapsollave. Drejtor Veliu ka uruar gjithë punonjësit e Policisë të cilët natën e ndërrimit të viteve e kaluan në punë dhe vijojnë të jenë në shërbim, por edhe gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit si dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin që ata i japin Policisë së Shtetit. Më pas Drejtori i Përgjithshëm i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Kastriot Skënderaj dhe Zëvendësdrejtori për Rendin i DVP Tiranë Dhimitraq Ziu, kanë vizituar Sallën Operative të DVP Tiranë si dhe shërbimet e Policisë me shërbim tek “Ish-Blloku”. Në të gjithë vendin si rezultat i hedhjes së fishekëzjarreve janë lënduar lehtë pa probleme për jetën dy shtetas, një shtetas në Tiranë dhe një shtetas në Korçë. Për herë të parë në sheshin Skënderbej nuk janë hedhur kapsolla nga qytetarët.

Ndryshime në strukturat e larta drejtuese në Policinë e Shtetit

4 janar 2019 – Zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë një takimi me drejtuesit qendrorë të Policisë së Shtetit, kanë bërë të njohur dy urdhra të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Në bazë të urdhrave të mësipërm, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj emërohet Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtues i Lartë Eduart Merkaj emërohet Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit.

Tiranë e Mallakastër/3 të proceduar për lojëra fati të paligjshme

3, 4 janar 2019 – Policia e Tiranës vijon kontrollet në të gjithë qarkun në bazë të planit të masave për evidentimin e ushtrimit dhe zhvillimit të kundraligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë kontrolleve është konstatuar se dy subjekte, nuk kishin mbyllur aktivitetin dhe iu gjetën aparatura të dyshuara për lojëra fati. Policia lokale procedoi penalisht pronarët e tyre, konkretisht:  T.C., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi i llotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në rrugën “Bardhok Biba” në lokalin e tij nuk ishte mbyllur aktiviteti i lojërave të fatit, si dhe  E.B., për veprën penale “Organizim i palejuar i lojërave të fatit”, pasi në rrugën “Muhamet Allushi” në subjektin e tij u konstatuan aparatura të dyshuara për lojëra fati. Një tjetër procedim ka ndodhur në Ballsh, për organizimin të llotarive të palejuara, ku është proceduar një 26-vjeçar. Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital” çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme.

Tepelenë/Goditet një rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike

6 janar 2019 – Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 3 shtetasve. Arrestimi i tyre u bë pasi në aksin rrugor Krahës – Memaliaj gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin po udhëtonin, Policia gjeti dhe sekuestroi 63.6 gram lëndë e dyshuar narkotike si ajo e llojit Cannabis Sativa. Gjithashtu gjatë kontrollit në një banesë në fshatin Zhulaj, Memaliaj, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej rreth 102 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Port, Durrës/Goditet tenativa për trafik heroine

6 janar 2019 – Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës në zbatim të masave shtesë për intensifikimin e kontrolleve, në mbrëmje kanë goditur një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike. Sasia e heroinës së sekuestruar është 4.3 kg dhe një shtetas u ndalua.