Pajisja me karta ID e rreth 1.4 mln shtetasve që u skadojnë në 2019 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/01/2019

Pajisja me karta ID e rreth 1.4 mln shtetasve që u skadojnë në 2019

Pajisja me karta ID e rreth 1.4 mln shtetasve që u skadojnë në 2019

VIDEO – flet Drejtori i Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj:

Përse skadojnë në këtë periudhë rreth 1.4 milionë karta identiteti?

Bledar Doracaj: Karta e parë e identitetit e lëshuar nga Autoriteti, daton në mars 2009. Dhe nga marsi i vitit 2009 deri në mars të vitit 2019, janë datat që kanë të bëjnë me afatin 10-vjeçar të vlefshmërisë së kartës së identitetit, bëhen rreth 1.4 milionë shqiptarë të cilëve ju mbarojnë kartat e identitetit.

A mund të aplikohet për kartë ID, edhe para datës së skadencës së saj?

Bledar Doracaj: Absolutisht po, çdo qytetar, për të bërë të mundur pajisjen me dokumentin e ri të identitetit, ID kartën në rastin konkret, mund të paraqitet pranë sporteleve të kompanisë koncesionare “Aleat” dhe mund të aplikojë edhe para kësaj date me qëllim që në rast të ndonjë fluksi të mundshëm në këtë fillim viti apo edhe përgjatë vitit, të shmangë sa më shumë radhët apo fluksin nëpër sportelet e kompanisë “Aleat”.

Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, a mund të aplikojnë edhe në vendet ku jetojnë?

Bledar Doracaj: Po, janë në disa shtete si Greqia, Italia, SHBA, Belgjika, Anglia, Gjermania, ku shteti shqiptar ofron mundësinë e aplikimit për shtetasit e tij që jetojnë përtej territorit të Republikës së Shqipërisë, pranë ambasadave tona, për të aplikuar për pasaporta dhe karta identiteti.

Çfarë masash shtesë janë marrë për të përballuar këtë fluks?

Bledar Doracaj: Në bashkëpunim me kompaninë “Aleat” ne tashmë kemi të hartuar një plan veprimi për të mundësuar pajisjen e shtetasve me kartën e identitetit në të gjitha qendrat ku ka shërbim të gjendjes civile dhe jemi në fazën e implementimit. Gjithashtu kemi filluar një komunikim intensiv me publikun për ta sensibilizuar dhe për ta bërë të vetëdijshëm që të gjithë atyre që u skadojnë dokumentet e identitetit, nga marsi i vitit 2019 e në vijim të paraqiten në sportelet e kompanisë “Aleat” për t’u pajisur me karta identiteti. Kemi filluar dhe janë shpërndarë postera në të gjithë sportelet e shërbimit, jo vetëm të zyrave të gjendjes civile apo kompanisë “Aleat”, por dhe në sportelet e shërbimit të kujdesit ndaj klientit OSHEE dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu nëpër pikat e kalimit kufitar shtetasit pajisen me fletëpalosje të cilat bëjnë me dije ata por dhe vlefshmërinë e kartës së identitetit dhe procedurat që duhet të ndjekin.

Çfarë dokumentesh nevojiten për të rinovuar kartën e identitetit dhe pasaportën?

Bledar Doracaj: Për kartën e identitetit nuk nevojitet asnjë dokument me përjashtim të kuponit, i cili blihet pranë sporteleve të Postës Shqiptare dhe vetë paraqitja fizike e personit në momentin e aplikimit. Për pajisjen me pasaportë, dokumentet janë thjesht formulari i Policisë, i cili bën identifikimin e shtetasit, kopje e kuponit për t’u pajisur me pasaportë dhe paraqitja në sportelet e kompanisë “Aleat” për të bërë aplikimin dhe më pas për t’u pajisur me pasaportë dhe me kartë.

A janë kapacitetet e mjaftueshme për të pajisur 1.4 milion shqiptarë me kartë para datës së zgjedhjeve të Qershorit?

Bledar Doracaj: Besoj që kompania koncesionare ka kapacitetet e nevojshme, por këtu nuk është thjesht dhe vetëm thjesht çështje kapacitetesh, është çështje fluksi. Jemi këtu që të ofrojmë një shërbim sa më të mirë dhe cilësor qytetarëve dhe të shpejt gjithashtu dhe prandaj kemi filluar komunikimin që të mos mbajnë radhë nëpër sportele për pajisjen me kartë identiteti.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, në “Vizion Plus” – Intervista VIDEO

Aleksandër Furxhi: Kartat elektronike të identitetit u lëshuan për herë të parë në muajin mars të vitit 2009. Futja në përdorim e kartës u pa shumë shpejt se ishte mjaft e dobishme për një numër shërbimesh. E lehtë në përdorim, e thjeshtë për tu mbajtur me vete në kuletë apo në portofolin e secilit prej nesh. Kjo ishte arsyeja që brenda pak muajsh që rreth 1.5 milionë qytetarë u pajisën me kartën e re, por sot mbas 10 vitesh kartave të para po ju afron fundi i afatit të përdorimit. Kështu pra rreth 1.4 milionë, siç e thamë qytetarë pra do të duhet të marrin midis marsit dhe qershorit të 2019-ës, do të duhet të rinovojnë kartat e identitetit nëse duan të shkojnë në votime në zgjedhjet lokale të muajit Qershor. Pra një problem. Sigurisht për zgjidhjen e tij pyesim Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, z.Bledar Doracaj, mirëmbrëma dhe kënaqësi që jeni në studio!

Bledar Doracaj: Mirëmbrëma, kënaqësia është e imja!

Aleksandër Furxhi: Zakonisht njerëzit, e kanë zakon le të themi, që e lënë një problem ta zgjidhin në çastet e fundit. Nëse kështu do të jetë rasti për 1.4 milionë qytetarë të pajisen, atëherë cila do të ishte zgjidhja e kësaj situate?

Bledar Doracaj: Më lejoni të bëj një saktësim në lidhje me atë çfarë ju thatë, duke përfituar dhe nga mundësia që më jepni për të komunikuar me publikun dhe për t’i sensibilizuar në lidhje me vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit, në rastin konkret të kartës së identitetit.
Karta e parë e identitetit është lëshuar në shkurt të vitit 2009, që do të thotë vetëm pas pak ditësh ose pas një muaji, fillon afati ose vlefshmëria e kartave të identitetit të lëshuara 10 vite më parë.
Ministria e Brendshme, tashmë prej disa muajsh, ka filluar një komunikim intensiv me publikun, për t’i sensibilizuar me qëllim që jo gjithë njerëzit të shkojnë pranë sporteleve të Zyrave të Gjendjes Civile apo pranë kompanisë koncesionare që të aplikojnë, por që të shtrihen në kohë për të bërë aplikimin pa krijuar flukse dhe radhë, të cilat nuk i shërbejnë as vetë qytetarit, po as shërbimit, i cili ushtrohet në ato zyra.

Aleksandër Furxhi: Pra zgjidhja është të mos dynden në të njëjtën kohë, kjo është zgjidhja…

Bledar Doracaj: Absolutisht, ne tashmë kemi filluar, siç thashë dhe pak më lart, marrjen e masave, kemi shpërndarë postera në gjithë zyrat e shërbimit ndaj qytetarëve, jo vetëm në Zyrat e Gjendjes Civile dhe kompanisë “Aleat” apo në pikat e kalimit kufitar, apo në komisariatet dhe drejtoritë e policisë vendore, por edhe në të gjithë zyrat e Postës Shqiptare apo OSHE, aty ku jepet shërbimi ndaj qytetarëve, për ti sensibilizuar që ata të fillojnë e të shkojnë pranë sporteleve për të aplikuar për karta.

Aleksandër Furxhi: Z. Doracaj a dihet se sa nga këta 1.4 milionë qytetarë janë shtetas (në përqindje të paktën) që jetojnë në Shqipëri dhe sa mund të jenë në emigracion. A keni ju të dhëna të tilla?

Bledar Doracaj: Nuk besoj që kemi një të dhënë, prandaj dhe tashmë ne kemi filluar dhe një proces tjetër, regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pasi nuk kemi një të dhënë se sa nga këta shqiptarë jetojnë brenda territorit dhe sa nga këta shqiptarë jetojnë jashtë territorit. Megjithatë më lejoni që të informoj publikun që mundësia ose e drejta për të aplikuar për dokument identiteti, në rastin konkret kartë identiteti ose pasaportë, nuk ofrohet vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, por dhe në disa përfaqësi diplomatike.

Aleksandër Furxhi: Mund t’i listojmë në cilat p.sh.?

Bledar Doracaj: Kemi në Angli, SHBA, në Belgjikë, në Itali, në Greqi. Kuptohet që Greqia ka dy posta aplikimi në dy konsullatat, Italia gjithashtu në Milano dhe në Romë, janë rreth 10 stacione ose në 10 përfaqësi diplomatike, ku shtetasit shqiptarë mund të aplikojnë për kartë identiteti ose pasaportë.

Aleksandër Furxhi: Le të shfrytëzojmë rastin të informojmë përsëri qytetarët, të rifreskojmë pak çfarë duhet të bëj unë në se dëshiroj të rinovoj kartën, pra duhet të pajisem me një kartë të re, çfarë duhet të marrë me vete, ku duhet të paraqitem, çfarë duhet të bëj?

Bledar Doracaj: Për tu pajisur me kartë identiteti i vetmi dokument që shtetasi duhet të ketë me vete dhe i vetmi vend ku duhet të shkojë, pasi të blejë kuponin në zyrat e postës Shqiptare, shtetasi duhet të paraqitet me dokumentin e vjetër të identitetit (kartën ID) në zyrën e kompanisë “Aleat”, e cila ndodhet ngjitur me zyrën e gjendjes civile dhe menjëherë bën aplikimin.

Aleksandër Furxhi: Dhe sa kohë do duhej të pritej si zakonisht një javë, dy javë?

Bledar Doracaj: Besoj brenda pak ditësh, 1 javë, 10 ditë është koha që qytetari mund të paraqitet për ta tërhequr.

Aleksandër Furxhi: Pyetja e fundit për ju z.Doracaj si Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile sa shtetas janë të regjistruar aktualisht në Regjistrin Kombëtarë të Gjendjes Civile? Dhe sa kanë të drejtë vote, domethënë sa janë tashmë mbi 18-vjeç e lartë?

Bledar Doracaj: Janë rreth 4.5 milionë shtetas shqiptarë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe janë rreth 3.5 milionë shtetas në qoftë se do i referohemi ekstrakteve zgjedhore që kanë të drejtë vote në zgjedhjet për pushtetin vendor në 30 Qershor.

Aleksandër Furxhi: Z.Doracaj, ju falënderoj që ishit në edicionin qendror të lajmeve!