Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 67 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 31/12/2018

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 67

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 67

(24-30 dhjetor 2018)

MINISTRI

Menaxhimi i kufirit Shqipëri-Kosovë, hiqen kontrollet e dyfishta

29 dhjetor 2018 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe homologu i tij kosovar Ekrem Mustafa, në prani të Kryeministrit të Kosovës Haradinaj, nënshkruan sot një marrëveshje në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar. Kjo marrëveshje krijon mundësitë që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e ka cilësuar këtë vendim si një hap shumë të rëndësishëm për lëvizjen e lirë mes dy vendeve. “Ndryshime të rëndësishme në menaxhimin e kufirit me Kosovën. Kontrollet e dyfishta hiqen. Policitë e të dy vendeve do të kryejnë së bashku kontrollet sipas parimit një ndalesë – një kontroll”, shkruajti ministri Lleshaj në Twitter. Më tej ai ka paralajmëruar se së shpejti do të ndërmerren hapa shumë më të rëndësishëm, për të vendosur standarde plotësisht evropiane në kufirin Shqipëri–Kosovë. (E PLOTE)

Takim me strukturat drejtuese të Policisë

Ministri i Brendshëm zhvilloi një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit. “Nga data 1 janar 2019, çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur, apo edhe të kamufluar veprimtari e lojërave të fatit dhe basteve sportive duhet të konsiderohet si parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë e gjithë qasja e Policisë së Shtetit ndaj këtyre aktiviteteve, nëse ka mbetur ende ndonjë në funksion”, theksoi ministri. (E PLOTË)

Takim me strukturat policore në Dibër

27 dhjetor 2018  Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit dhe strukturat e policisë së Dibrës. Gjatë takimit ministri Lleshaj ka kërkuar luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, intensifikim i punës për rritjen e zbulueshmërisë dhe goditjen e grupeve të rrezikshme kriminale. Lleshaj ka kërkuar performancë nga ana e trupës policore, shërbim korrekt ndaj qytetarëve, si dhe rritje të parametrave të sigurisë rrugore.

POLICIA E SHTETIT

Masa shtesë për fluksin e shtetasve përgjatë festave

27 dhjetor 2018 – Në kuadër të festave të fund vitit, Policia Kufitare është angazhuar maksimalisht për të përballuar fluksin e hyrje-daljeve në të gjitha pikat e kalimit të kontrollit kufitar tokësor, porte dhe aeroportin “Nënë Tereza”.  Në të gjitha Pikat janë shtuar sportelet në hyrje e dalje, me qëllim krijimin e lehtësive ligjore duke eliminuar radhët e gjata, si dhe për t’u ofruar një shërbim cilësor e në kohë, të gjithë shtetasve shqiptarë e të huaj.  Në kuadër të masave, Policia Kufitare po bashkëpunon ngushtë me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, si dhe me Policitë homologe. Është rritur prezenca policore në patrullim në kufirin jeshil e atë blu, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që mund të tentohet të kryhet nëpërmjet kufirit jeshil apo atij blu. Departamenti i Policisë Kufitare fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga punonjësit e Policisë në numrin 112, aplikacionin Komisariati Dixhital, në numrin jeshil 0800 90 90 duke ju garantuar reagim të shpejtë, profesional e të paanshëm.

OPERACIONE 

26 dhjetor 2018 – Në Elbasan, Policisë Rrugore ka patrulluar në aksin rrugor nacional “Elbasan-Librazhd” për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e kodit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Gjatë patrullimit janë evidentuar 38 drejtues mjetesh të cilët kanë kryer parakalim të gabuar ku në shumicën e rasteve parakalimet kanë qenë me rrezik të madh për të shkaktuar aksident rrugor. Policia Rrugore ka hartuar masat administrative të cilat do t’iu dërgohen drejtuesve të automjeteve që kanë kryer shkeljen në adresat e banimit të tyre.

24 dhjetor 2018 – Në Kukës, policia ka proceduar penalisht përgjatë 1 jave, 15 shtetas për vepra të ndryshme penale. Ndër të arrestuarit, 2 shtetas ishin të shpallur në kërkim, ndërsa 2 të tjerë janë arrestuar në flagrancë.  Policia Rrugore gjatë kësaj jave ka vendosur 109 masa administrative për kundërvajtësit.

24 dhjetor 2018 – Në Elbasan gjatë një jave u proceduan penalisht 61 shtetas për vepra të ndryshme penale nga të cilët 10 janë arrestuar, 10 janë shpallur në kërkim ndërsa janë 39 në ndjekje të lirë. Policia Rrugore ka pezulluar 46 leje drejtimi ndërsa janë vendosur 980 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

24 dhjetor 2018 – Në Tiranë gjatë 1 jave U proceduan penalisht 200 shtetas, nga të cilët 26 të arrestuar për vepra të ndryshme penale, 4 shtetas të shpallur në kërkim dhe 170 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Policia Rrugore ka proceduar 41 shtetas për “Shkelje të rregullave të qarkullimit Rrugor si dhe për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.